Lajme

AAK: E kemi pritur boll Vetëvendosjen, ftesa për protestë vlen edhe për këtë parti


Publikuar më:


lideret-opozitare

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila e vetme ka bërë ftesë për një protestë gjithëpopullore më 14 maj, thotë se ftesa vlen edhe për Lëvizjen Vetëvendosje , raporton Indeksonline.
Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj ka thënë për Indeksonline se që nga shtyrja e protestës së 26 marsit nuk ka pasur ndonjë interesim për mbajtjen e protestës, kështu që në pamundësi të pres, ka thirr protestë më 14 maj.
“Protesta e dakorduar me partitë opozitare ka qenë e paracaktuar të mbahet më 26 mars. Ajo është shtyrë me kërkesë Vetëvendosjes. Ne për hir të bashkëpunimit dhe të frontit të përbashkët opozitar e kemi pranuar edhe shtyrjen e kësaj proteste, ani pse pa ndonjë arsye të qëndrueshme për ne. Mirëpo që nga atëherë nuk ka pasur ndonjë interesim për mbajtjen e protestës së anuluar, kështu që në një situatë të tillë, AAK nuk ka mundur të presë deri në pakufi dhe ka vendosur të thërrasë e vetme protestën e radhës”, ka thënë Nitaj.
Sipas tij, ftesa është publike për të gjithë, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, zyrtarë të së cilës thonë se nuk kanë qenë të njoftuar për protestën në fjalë.
“Ftesa është publike për të gjithë, edhe për VV-në. Kushdo që e sheh të arsyeshme që ta kundërshtojë kapjen e shtetit, është i domosdoshëm të jetë i pranishëm në protestën e 14 Majit. Kjo protestë nuk ka të bëjë me asnjë parti politike, por me kundërshtimin e keqqeverisjes në vend dhe me llogaridhënien e atyre që e shkelen kushtetutën e vendit përmes dy marrëveshjeve”, ka thënë tutje Nitaj.
Kujtojmë se zëdhënësi i VV-së, ka shkruar në një postim në Facebook se Vetëvendosje nuk ka qenë e njoftuar për protestën e paralajmëruar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe se as nuk janë konsultuar mes vete për mbajtjen e saj. /

Comments
To Top