26,04,2024

A duhet shkruar “për të mos iu lënë vend keqinterpretimeve” apo “për të mos u lënë vend keqinterpretimeve”?

Must Read

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ndër të tjera, paska shkruar:

“… Për t’iu përgjigjur pyetjeve të shumta që kanë ardhur prej qytetarëve, por edhe prej gazetarëve, si dhe për të mos iu lënë vend keqinterpretimeve apo keqkuptimeve, me bashkëpunëtorët e mi në Lëvizjen VETËVENDOSJE! ne kemi përgatitur atë çka deri më tash i ka munguar qeverive të Kosovës: një platformë mbi dialogun…”

Shkronja “i” te pjesa “për të mos iu lënë vend”, është e tepërt, duhet “për të mos u lënë vend”!

Pse “për t’iu përgjigjur pyetjeve” është me vend, kurse “për të mos iu lënë vend keqinterpretimeve” është gabim?

Sepse, paskajorja e standardit “për t’iu përgjigjur pyetjeve” është në diatezën joveprore, e cila formohet duke i paravënë pjesëzën trajtëformuese “u”(për t’u përgjigjur), kurse trajta e shkurtër e përemrit vetor të vetës së tretë shumës në rasën dhanore (pyetjeve/atyre) “u”, për shkak të takimit me pjesëzën trajtëformuese “u”, është shndërruar në “i”. Pra “i”-ja është trajtë e shkurtër e përemrit, kurse “u”-ja pjesëz trajtëformuese dhe, në këtë rast, dyjat janë me vend.

Kurse, në rastin “për të mos iu lënë vend keqinterpretimeve”, paskajorja është në diatezën veprore, këtu nuk ka vend pjesëza trajtëformuese “u”, duhet vetëm “u”-ja si trajtë e shkurtër e përemrit vetor të vetës së tretë shumës në rasën dhanore (keqinterpretimeve/atyre), pra duhet “për të mos u lënë vend keqinterpretimeve”.

Po pse nuk qenka edhe te rasti i dytë diateza joveprore?

Sepse shqip thuhet “u përgjigjemi pyetjeve dhe nuk u lëmë vend keqinterpretimeve”, e nuk thuhet “u përgjigjemi pyetjeve e nuk u lihemi keqinterpretimeve”, pra është çështje e semantikës së fjalëve.

Ky lloj i gabimit, në thelb, i ngatërrimit të pjesëzës trajtëformuese me trajtën e shkurtër të përemrit vetor është karakteristikë e shkruesve/folësve kosovarë. Rexhep Qosja e përdor kështu gabim kudo në shkrimet e tij të paredaktuara.

Për t’u çuditur është që Albin Kurti gabon si toskët aty ku përdorimi i natyrshëm i gegëve përkon me rregullat e standardit: ai rimerr me trajtën e shkurtër “i” dhe jo siç duhet me “u” përemrin vetor të vetës së tretë shumës në rasën dhanore. Shkruan:
“…ne kemi përgatitur atë çka deri më tash i ka munguar qeverive të Kosovës…”

Duhet “…ne kemi përgatitur atë çka deri më tash u ka munguar qeverive të Kosovës…

Më shumë se për të vënë në dyshim autorësinë, ky lloj i gabimit do interpretuar si imitim i verbër i shkruesve/folësve toskë.

/Ilmi Rexhepi/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img