19,04,2024

Gjenevë: Promovohet libri “Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës 1991-1995” i Dr. Nikë Gjeloshit

Must Read

Me organizimin e përbashkët të Shoqatave kulturore “Bashkimi i Intelektualëve Shqiptar” të Zvicrës dhe “Rrethi Shqiptar-Mejrinas” mbrëmë në Gjenevë është bërë promovimi i librit “Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës 1991-1995” i Dr. Nikë Gjeloshi.
Të pranishmëve në këtë mbrëmje kulturore me një fjalim rasti u është drejtuar Agim Paçarizi, kryetar i Rrethit Shqiptar-Mejrinas,i cili së pari ka përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit e në veçanti ka falënderuar z. Gjeloshi, që u ka mundësuar mërgimtarëve tanë në Gjenevë, njohjen e drejtpërdrejtë me aktivitetet e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, e cila Ministri qe formuar në kohë okupimi me qëllimin e vetëm për t’ju kundërvu me të gjitha mjetet e mundshme forcave pushtuese të Serbisë, të cilat çdoditë ushtronin dhunë dhe represion të paparë në Kosovë.

Pastaj nëpërmjet një punimi gjithëpërfshirës biografinë dhe veprën e Dr. Nikë Gjeloshi e ka prezantuar veprimtari i palodhshëm Abas Fejzullahu, i cili aktualisht kryen funksionin e kryetarit të Shoqatës “Bashkimi i Intelektualëve Shqiptar të Zvicrës”.

Fejzullahu duke qenë edhe vetë pjesë e shumë iniciativave dhe zhvillimeve ka pasur rastin që me autorin e këtij libri të njihet në fund të viteve të 80-ta. Z. Fejzullahu në këto kohëra tepër kritike pati themeluar me shtrirje në të gjitha trojet shqiptare Shoqatën humanitare “Familja ndihmon familjen”ku nëpërmjet aksioneve të kësaj Shoqate u shmang rreziku serioz i ballafaqimit me uri të familjeve me shumë fëmijë dhe të pakurrfarë të ardhurash, siç ishte rasti konkret me Minatorët e Trepçës, të cilët regjimi i Millosheviqit me format më të ndyta u mundua t’i nënshtrojë.

Në saje të këtij aktiviteti bamirës këta njerëz qëndruan të pathyeshëm dhe nga horizontet e thella të nëntokës së Stantërgut tetë ditë e tetë net pandërprerë i thirrën lirisë së Kosovës. Sigurisht këto kontakte të hershme të z. Fejzullahu me z. Gjeloshi ,e kanë ndihmuar atë që para auditorit të sontëm të paraqesë të detajuar dhe të përmbledhur ashtu si duhet aktivitetin politik dhe kombëtar të Dr. Nikë Gjeloshi.

Libri “Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës 1991-1995” sipas z.Fejzullahu prek çështje të veçanta e mjaft interesante nëpërmjet të cilave përshkruhen edhe përpjekjet e njëmendta dhe serioze të ushtarakëve të karrierës për të krijuar njësite adekuate të cilat me një strukturim të duhur do ta gjunjëzonin armikun sikur në Kosharen legjendare. Përpjekjet e Gjeloshit për të thënë të vërtetën rreth ekzistimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, z. Fejzullahu në cilësinë e vlerësuesit kritik të këtij libri i konsideron si një arritje, sepse ky problem përveç debateve të aty-këtushme s’ është studiuar si duhet asnjëherë deri me sot.

Dr. Nikë Gjeloshi mbështetur në njohurit e tij rreth kësaj Ministrie ka mbledhur materialin e ruajtur dhe e ka shtruar në këtë libër me kusht që lexuesve t’u ofrojë nëpërmjet fakteve paanësisht përvojën e tij në periudhën kur ai ishte në krye të kësaj Ministrie.

Z. Fejzullahu në fund të vështrimit të tij kritik ka thënë që libri mund të ketë edhe zbrazësitë eventuale. Ai duke qenë edhe vetë pjesëtarë i kësaj Ministrie pohon që arkivimi dhe ruajtja e materialeve ishte gati e pamundshme.

Ai e përgëzon autorin Gjeloshi që në rrethana kaq të vështira ka arritur të arkivojë materialet e prezantuara në libër të cilat për shkaqe tashmë të njohura shihet që kanë humbur paksa në cilësi. Ndërkaq për ngjarjet e trajtuara në librin”Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës 1991-1995”ka folur autori Gjeloshi, i cili në këtë fazë kreu paralelisht funksionin e Zëvendëskryeministrit dhe atë të Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, në Qeverinë në ekzil të njohur ndryshe edhe si Qeveria Bukoshi.

Nga dëshira që pjesëmarrësve të kësaj mbrëmje t’u ofrohet e vërteta rreth nismave dhe proceseve nëpër të cilat ka kaluar kjo Ministri autori shtjelloi sipas kronologjisë të gjitha ngjarjet e kësaj periudhe. Ai duke mos dashur që të ndërhyjë në kompetencat e të tjerëve në këtë libër ka pasqyruar vetëm ngjarjet e zhvilluara brenda mandatit të tij.

Me të përfunduar rrëfimin rreth ndodhive të sistemuara në këtë libër Z. Gjeloshi u është përgjigjur edhe pyetjeve të shumta të drejtuara nga ana e të pranishmëve. Nga ky takim sy me sy me autorin Gjeloshi,pjesëmarrësit e kësaj mbrëmje kanë mësuar shumë të panjohura rreth veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, e cila shikuar realisht sipas asaj çfarë u tha mund të konsiderohet si një gurë themeli i bërjes së shtetësisë së Kosovës.

Në këtë promovim libri mori pjesë edhe z. Ramadan Avdiu konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Gjenevë. Mirëpo ai nuk u përfshi në debat, me arsyetimin se librin në shqyrtim të z. Gjeloshi e ka lexuar vetëm sipërfaqësisht, andaj edhe nuk e sheh të udhës të japë vlerësime kuturu. Promovimi i këtij libri mori formën e një diskutimi tamam të duhur dhe u gjallërua kur Dr. Rifat Haxhijaj oficer i karrierës nisi të shtrojë pyetje konkrete rreth shumë problemeve e veçmas procedurave të organizimit të kësaj Ministrie. Ai duke e analizuar me vëmendje librin e z. Gjeloshi, daljen në dritë të tij e vlerëson si diçka që i ka munguar lexuesit

Po ashtu Haxhijaj insistonte në vazhdimësi që të mësojë nga autori se kush ishin ata që penguan marrëveshjet për përfshirjen e të gjitha grupeve në një forcë të përbashkët ushtarake. Dr. Gjeloshi duke ditur që këto ngjarje u zhvilluan jashtë mandatit të tij nuk e ndjeu të arsyeshme të lakojë emra.

Ai mendon që këtu rol tepër negativ luajtën disa individë dhe grupe që veten e pandehnin si lider edh pse në fushën e artit luftarak ishin panjohuri elementare.

Ata duke mos pranuar rreshtimin nënkomandën e eprorëve profesionistë kanë shkuar edhe në qërim hesapesh duke i likuiduar oponentët e tyre edhe me atentate siç ishte rasti me kolonel Ahmet Krasniqi, i cili u vra më 21 shtator 1998 në zemër të Tiranës.

Në përfundim të fjalës së tij Dr. Nikë Gjeloshi tha që edhe sot ndjen keqardhje për atë krim makabër sepse Krasniqin e njihte si një burrë të urtë e atdhetar që vinte nga trungu i familjes Zhilivoda të Vushtrrisë, familje kjo e njohur për akte trimërie që në vitin 1937. Këto ngjarje të dhimbshme Dr. Gjeloshi mendon se duhet të ndriçohen patjetër nga akterët e asaj periudhe.

Përveç këtij libri Dr.Nikë Gjeloshi i specializuar në shkencat politike ka shkruar edhe librat: “Kosova në Udhëkryq 1989” Kosova 1999”dhe “Kosova dhe e Ardhmja e Saj”

Gjithashtu ai ka publikuar edhe disa studime profesionale mbi çështjen e Kosovës, në gjuhë të huaja me të cilat ndjeshëm ka sensibilizuar faktorin ndërkombëtar, i cili pak dinte mbi gjendjen në Kosovë.

Po ashtu në cilësinë e njërit prej themeluesve të Partisë Demokristiane Shqiptare të Kosovës, ai ka takuar personalitete të larta dhe me ndikim të vendeve të ndryshme të Evropës, të cilave ua ka prezantuar gjendjen faktike të popullit shqiptar nënokupimin serb.

Nga ky informim objektiv dhe i drejtë më pas kanë pasuar edhe vizitat e delegacioneve të shumta të Parlamentit Evropian në Kosovë.

Me të përfunduar promovimin autori u ka dhënë librin e tij dhuratë disa lexuesve të pasionuar. Kurse për fondin e bibliotekës së Bashkisë së Meyrin-it dhe atë të Kryqit të Kuq të Gjenevës, ka ndarë ekzemplarë të veçantë.

Arif Ejupi

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img