Lajme

​Çka përfitoi Kosova nga marrëveshja e 19 prillit, tre vjet më parë


Publikuar më:


e7230809-13d6-4e99-985c-4ac09faedbe2-w1000-r1-s

Nga marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013, e cila si qëllim kishte normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë më së shumti ka përfituar Serbia.

Ndërkohë që Kosova zakonisht e ka ndjekur agjendën e Serbisë dhe nuk ka arritur asnjëherë që të vë kushte, e aq më pak të pengojë ndonjë marrëveshje, për arsye parimore ose reciprociteti. Kështu mendon analisti politik Imer Mushkolaj dhe Zgjim Hyseni nga Vetëvendosja në ditën kur janë bërë tri vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe shtetit fqinj, Serbisë.

Marrëveshja e 19 prillit, ndër të tjera përmban pika që flasin për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe dhe shpërbërjen e strukturave paralele në veri. Por tre vjet pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, nuk mund të thuhet se ka zbatim. Analisti Mushkolaj, thotë se tri vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë, shihet se përfituese e vetme nga këto bisedime dhe marrëveshje, del të jetë Serbia.

Mushkolaj: Nga marrëveshjet përfitoi Beogradi

“Së pari duhet me përmend se kur është nënshkruar kjo marrëveshje, na u tha se kjo do të shërbejë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Mirëpo nëse shohim se çfarë është arritur në këtë aspekt, tash tre vite pas ne shohim se në fakt jo që nuk janë normalizuar këto marrëdhënie, por përkundrazi Serbia vazhdon me sabotu, vazhdon me pengu shtetin e Kosovës, kudo që mundet dhe kudo që ka fuqi. Dhe në anën tjetër fatkeqësisht pjesë e vendimmarrjes në Qeverinë e Kosovës, është bërë edhe Beogradi përmes Listës Serbe. Fatkeqësisht tre vjet pas arritjes së marrëveshjes, ne kemi përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilët bëjnë fushatë me partinë e Aleksandër Vuçiqit. Ndërkohë që askush nuk merr kurrfarë mase për t’u ndërprerë kjo….Nga kjo marrëveshje unë besoj se ka përfituar jashtëzakonisht shumë Beogradi. Kjo mund t ë vërtetohet dhe me pozicionin se ku gjendet Beogradi në raport me integrimet evropiane dhe ku gjendet Kosova pikërisht në këtë raport”, tha Mushkolaj për KosovaPress.

Mushkolaj thotë se nuk ka përparime të dukshme as sa i përket përmirësimit të jetës së qytetarëve serbë dhe se lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Serbisë, vazhdon të zhvillohet me probleme. Megjithëse Kosova ka paralajmëruar kushte disa herë, ai thotë se kjo nuk ka ndodhur në realitet. Ndërsa deklaratat e kryeministrit Isa Mustafa për vënie të kushteve për Serbinë, sipas tij janë pak të besueshme, duke i pasur parasysh deklaratat e tilla edhe në të kaluarën, por të cilat nuk janë jetësuar asnjëherë.

Mushkolaj:Askush si beson deklaratave të Isa Mustafës për kushtet për Serbinë

“Kosova disa herë ka paralajmëruar kushte. Madje ne sot dëgjuam edhe njëherë kërcënimin në thonjë za të zyrtarëve qeveritarë, respektivisht kryeministrit, se pa zhbërjen e strukturave paralele, nuk do të ketë krijim të Asociacionit. Mirëpo përnjëmend janë thënë disa herë, janë thënë aq shpesh, s aqë askush më nuk mund t’iu besoj. Përderisa ne jemi në situatë, ku nuk mund t’i pengojmë, ose nuk duam t’i pengojmë organizimin e zgjedhjeve në Kosovë”, tha Mushkolaj.

Sipas tij në të ardhmen duhet të ndryshojë radikalisht qasja e Kosovës në raport me Serbinë, sa u përket negociatave. Në të kundërtën, sipas Mushkolajt, do të vazhdohet me nënshkrim të marrëveshjeve dhe moszbatim të tyre, ashtu siç ka ndodhur deri tani.

Mushkolaj: Duhet të ndërrohet qasja në negociata

“Qasja e Prishtinës, respektivisht Kosovës në negociata, duhet të ndryshoj radikalisht. Përndryshe nëse vazhdojmë kështu, ne këto bisedimet si pa kokë, atëherë do të nënshkruajmë dhe një grumbull edhe të marrëveshjeve tjera. Mirëpo nëse shikojmë në aspektin e zbatimit, ato nuk janë të zbatueshme, siç ka ndodhur në këto marrëveshjet e deritashme. Pra konsideroj që Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës duhet ta ndërroj qasjen. Të shohim se ku jemi deri tash në zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur në mënyrë që të vazhdojmë tutje”, tha ai.

Ndërsa Zgjim Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se rezultatet e arritura nga negociatat me Serbinë, kanë qenë të njëanshme dhe se Kosova gjithmonë ka dalë e dëmtuar. Në fakt sipas tij prej gjithë këtyre negociatave, fituesi i vetëm ka qenë Serbia, qoftë sa i përket aspektit të integrimit në Unionin Evropian, por edhe sa i përket rritjes së fuqisë dhe ndikimit, brenda territorit të Kosovës.

Hyseni: Rezultate të njëanshme, Kosova është dëmtuar nga negociatat

Deri më tash nga negociatat pa parime me Serbinë, pa barazi midis palëve, pa parim të reciprocitetit, sigurisht që edhe rezultatet kanë qenë të njëanshme. Me ç’rast gjithmonë është dëmtuar Kosova. Marrëveshja e 19 prillit, paraqet një hap të madh përpara, drejtë krijimit të një entiteti autonom serb brenda territorit të Kosovës, duke i legalizuar strukturat paralele të Serbisë. Mirëpo duke e thelluar ndarjen etnike në Kosovë, kjo marrëveshje i jep fund parimit të multietnicitetit, i cili është proklamuar aq shumë përmes planit të Ahtisaarit. Kjo marrëveshje duke paraparë parimin etnik, sa i përket zgjedhjeve të problemeve, nuk i kontribuon bashkëjetesës midis komuniteteve dhe aq më pak integrimit të qytetarëve serbë, brenda jetës politike e shoqërore në Kosovë”, tha Hyseni.

Hyseni thotë se dialogu kështu siç është, duhet ndaluar sa më parë, pasi që ky dialog po e ofron Kosovën më afër Serbisë dhe Serb isë po i rritet ndikimi brenda Kosovës. Madje ai thotë se përkundër marrëveshjeve të arritura, Serbia vetëm sa ka vazhduar ta pengojë Kosovën aty ku ka mundur dhe ka pasur fuqi.

Hyseni:Serbia po vazhdon ta pengoj Kosovën

“Duke qenë që marrëveshjet janë quajtur si marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, ne e kemi parë që në fakt Serbia thjeshtë e ka rritur ekspansionin dhe destruktivitetin e saj, sa i përket kësaj çështje. E rasti i fundit për ta dëshmuar këtë është pengesa që ia ka bërë Serbia anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, tha ai.

Më 19 prill të vitit 2013 Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve.

Dokumenti është nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian .

Comments
To Top