I pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Infrastrukturës, Arbër Bytyqi, kanë takuar përfaqësuesit e Swiss Coorperation , gjegjësisht zv. drejtorin e këtij institucioni, Bernhard Soland dhe Zyrtaren e Programit Kombëtar Ardiana Efendija Zhuri me ç ‘rast u diskutua për problemet e furnizimit me ujë të pijshëm në Komunën e Ferizajt, defektet në investimet ekzistuese, nevoja për investime të reja si dhe shndërrimin e Kompanisë “Bifurkacioni” në kompani regjionale.
Kryetari i Komunës, Agim Aliu paraqiti sfidat me të cilat po ballafaqohet Komuna e Ferizajt në aspektin e furnizimit me ujë të pijshëm, duke theksuar sidomos mungesën e saj në disa prej fshatrave të komunës sonë, si dhe nevojën që të bëhet një studim/analizë e defekteve të cilat po shoqërojnë projektet ekzistuese të cilat janë hasur në këto investime.
Në vullnetin e institucionit të Komunës është edhe shndërrimi i Kompanisë së Ujësjellësit “Bifurkacioni” në kompani regjionale, për të cilat nga të pranishmit në takim u dakordua që të shkëmbehen praktikat më të mirë.
Përfaqësuesit e Swisss Cooperation shprehën interesimin e tyre që të investojnë me projekte të reja në Ferizaj si dhe të ofrojnë të gjitha kapacitetet në plotësim të nevojave që ka për analizën e defekteve dhe shkëmbimin e përvojave më të mira.
Për këtë takim dhe gatishmërinë e tyre për investime, i pari i Ferizajt, Agim Aliu i falënderoi përfaqësuesit e Swiss Cooperation, duke i siguruar se qeverisja lokale do të ofroj gjithë infrastrukturën e nevojshme për tejkalimin e problemeve që ka komuniteti për furnizimin me ujë të pijshëm.