Pasditen e sotme, me nismën e profesor Liman Rushitit dhe bashkëfshatarëve e trashëgimtarëve të martirëve të pushkatuar më 24 tetor 1912 nga ushtria serbe në fshatin Sazli, mbështetjen e Komunës së Ferizajt e donatorëve të tjerë, u ngrit Obelisku në përkujtim të 105 të vrarëve në Masakrën e Sazlisë.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin i pari i Ferizajt, Agim Aliu, bashkë me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, ish Kryetari i Ferizajt dhe deputeti Bajrush Xhemaili, deputeti Valon Ramadani, e përfaqësues e drejtues të institucioneve lokale, qendrore, bashkësive fetare, Forcave të Armatosura të Kosovës dhe banorë të shumtë të fshatit Sazli.
Në fjalën e tij, i pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se obelisku që po zbulohet sot, do t’i shërbej brezave për të kuptuar barbarinë e shekullit të shkuar si dhe të vë në vend amanetin e vulën e lirisë, për të cilën u sakrifikuan shumë dëshmorë e martirë të vendit.
“Tetori si për fatin e keq pothuajse të të gjitha muajve ndër ne, shënohet jo vetëm si një ndërrim i thjeshtë muajsh, as si data që parëndësishëm nuk rreshtin njëra-tjetrën por si ditë përkujtimi, historia që shfaqet në çdo copëz të jetës së çdo shqiptari. Është edhe ky moment, ky vend që na kthen 108 vite prapa për të vënë amanetin në vend, për të kujtuar e skalituar përherë në të bardhën e të përgjakshmen faqe të historisë, Masakrën e 105 banorëve të Sazlisë. Viti i largët 1912, shqiptarëve i dha Pavarësinë. I dha shtetin me kufijtë për të cilat u derdh aq shumë gjak dëshmorësh e martirësh.Janë edhe këto 105 familje, 105 zëra lirie që gati për të dhënë jetën, mbrojtën vatrën stërgjyshore e rrënjët e depërtuara thellë në historinë tonë të lavdishme. Sot, Sazlia dhe gjithë Ferizaj, i bënë homazh 105 martirëve përmes obeliskut që ngre shtatin për këtë qëllim, për t’i lënë trashëgim të tashmes e së ardhmes, brezave që do të vijnë pas nesh, një gjurmë guximi e sakrifice të të parëve, vrarë barbarisht për këtë dhé” tha mes tjerash Kryetari Aliu.
Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, njëherit edhe një nga mbështetësit kryesor për ngritjen e këtij obelisku tha se me këtë vepër nderohet e përjetësohet sakrifica e 105 martirëve që u masakruan më 1912 në fshatin Sazli.
“Ky obelisk dëshmon për dhunën e vazhdueshme dhe masakrat që i ka kryer shteti serb. Duhet theksuar se gjatë tërë historisë, pikërisht është shteti serb që ka kryer masakra në Kosovë. Shqiptarët, në të gjitha luftërat e tyre kanë pasur pozicion mbrojtës. Shqiptarët në çdo luftë dhe çdo angazhim kanë bërë luftë çlirimtare. Shqiptarët në asnjë situatë, në asnjë moment, nuk kanë pasur as kapacitete as mundësi për të ushtruar dhunë ndaj të tjerëve. Të gjithë këta 105 martirë të kësaj ane ose të tjera që kanë qenë në ato momente të rënda këtu në Sazli, kanë dhënë jetën duke besuar dhe duke qenë të sigurtë që momentet e para të shkatërrimit të asaj që ka qenë ose tentimit për shkatërrim të asaj që ka qenë qenia shqiptare e asaj kohe, do të vi një moment dhe kohë, kur do të rikthehet. Ka qenë dashur dy javë ditë në vitin 1912 për t’u bërë gjithë ajo dhunë, për t’u ushtruar gjithë ajo dhunë e për të ndodhur gjithë ato masakra. Na janë dashur gati se 100 vite për t’u filluar dhe rikthyer ne aty ku kemi qenë, për të qenë të dinjitetshëm dhe për të krijuar shtetin e parë shqiptar, pastaj shtetin e dytë shqiptar dhe pastaj për t’u forcuar si shqiptarë anëkend aty ku jemi dhe ku do të qëndrojmë për jetë e mot” tha mes tjerash deputeti Reçica.
E në emër të Këshillit Organizativ, profesori Liman Rushiti nderoi me mirënjohje kontributdhënësit për ngritjen e këtij obelisku duke u shprehur se kjo ditë është nga më të veçantat në jetën e tij.
“Sot jam më i gëzueshmi në jetën time që arrita ta realizoj idealin, amanetin të cilin i kam vu vetes që nga viti 1975, kur kam magjistruar dhe kushtet deri më sot nuk u krijuan për të bërë këtë obelisk, por duke iu falënderuar donatorëve dhe bashkëatdhetarëve e bashkëfshatarëve të mi e bëmë këtë që sot do ta zbulojmë” tha mes tjerash profesor Rushiti i cili edhe paraqiti shkurtimisht një historik të rrjedhës historike për fshatin Sazli dhe Masakrën e 24 Tetorit 1912, ku ushtria serbe masakroi 105 martirë në Masakrën e Sazlisë.