28,11,2024

VV kundërshton referendumin në Bosnje e Hercegovnë

Must Read
Vetëvendosje

Sipas Vetëvendosjes, referendumi në Bosnjë po bëhet  duke shkelur viktimat e luftës kriminale të Milloshevicit.

Lexojeni të plotë reagimin e Vetëvendosjes

Lëvizja VETËVENDOSJE! i bashkohet zërave që e kundërshtojnë fuqishëm referendumin jolegjitim që planifikohet të mbahet në datën 25 shtator nga Milorad Dodiku, Presidenti i “Republika Srpska” në Bosnjë dhe Hercegovinë. “Republika Srpska”, sipas vetë gjykimeve që kanë ndodhur në Tribunalin e Hagës, është një entitet politik i ndërtuar mbi gjenocidin ndaj boshnjakëve. Nuk mund të pretendohet asnjë mbrojte e vlerave të demokracisë përmes mbajtjes së referendumit në një vend ku janë shfarosur njerëzit prej atyre që sot po e organizojnë këtë referendum. Ky referendum që ka si gurthemel krimin ndaj njerëzimit është zgjatim i këtij krimi në Bosnjë e Hercegovinë.

Referendumi po organizohet me synimin për legjitimimin e datës 9 janar si “Dita e Republikës” së “Republika Srpska”, e cila pati shpallur pavarësinë prej Bosnjës me 9 janar të vitit 1992. Kjo pavarësi, e kjo “republikë”, u shpallën në mes të zbatimit të politikave serbomadhe të Milosheviçit që çuan drejt qindra mijëra të vrarëve, gjenocidin në Srebenicë, dhjetëra mijëra përdhunimeve dhe në shpërnguljen e dhunshme të mbi dy milion njerëzve.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje Hercegovinës tashmë e ka marrë një vendim që e shpall këtë referendum të jashtëligjshëm dhe diskriminues ndaj popujve joserbë të Bosnje Hercegovinës, por Milorad Dodiku nuk është zmbrapsur. Ai ka marrë mbështetje të plotë për këtë akt të vazhdimit të krimit përmes retorikës boshe për “demokraci” nga Putini, që ka vendosur të hapë edhe qendra votimi për këtë referendum për serbët që jetojnë në Rusi. Njëkohësisht, Dodiku ka marrë përkrahjen edhe nga Vuçiçi dhe Beogradi zyrtar, që jo vetëm nuk e ka kundërshtuar këtë referendum por edhe e mbështet hapur legjitimitetin e datës 9 janar, si shënjues politik kundër projektit të Bosnje Hercegovinës si shtet sovran, funksional dhe i zhvilluar.

Referendumi i Dodikut, i ngritur mbi krimin ndaj njerëzimit, është dëshmia më e fundit e mungesës së procesit të “denazifikimit” të Serbisë, duke mos e ballafaquar atë me të kaluarën e saj kriminale. Mosndëshkimi i kriminelëve të luftës në Serbi, i ka sjell ata ne krye të Qeverisë dhe brenda Parlamentit të Serbisë duke nxitur pareshtur provokime të rrezikshme në disa vende të Ballkanit. Përmes këtij referendumi, Serbia po vërteton sërish se nuk ka hequr dorë nga projekti serbomadh dhe pretendimet aneksuese hegjemonike në rajon, e mbështetur edhe nga Rusia.

Ky referendum shkon në drejtim të kundërt të zhvillimit shtetëror të Bosnje Hercegovinës. Sakaq, degradimi i sovranitetit të Bosnje Hercegovinës, dhe rikthimi i politikave ekspansioniste të Serbisë, përbëjnë një kërcënim direkt për sigurinë në të gjitha vendet e Ballkanit. Kjo ngjarje është kambanë alarmi për mbarë Evropën. Prandaj, mbajtja e këtij referendumi duhet kundërshtuar me çdo kusht.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img