24,12,2024

Vushtrriasja 22 vjeçe nderohet nga NASA, një asteroid do ta mbajë emrin e saj

Must Read

Emrin e kosovares Pranvera Hyseni e mban e një asteroid. Së fundmi SHBA-ja e ka shpërblyer Hysenin edhe me çmimin “24 Under 24”, çmim i cili ndahet për të rinjtë që arrijnë të bëjnë një ndryshim në botë, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Pranvera Hyseni është emri i një asteroidi (planet i vogël që rrotullohet rreth diellit). Këtë emër e ka marrë nga Administrata Kombëtare Aeronautike Hapësinore Amerikane (NASA) në nderim të kosovares 22-vjeçare Pranver Hysenit..

Vushtrriasja është shumë e dhënë pas astronomisë, fushë në të cilën po punon me përkushtim dhe tashmë ka korrur sukseset e para ndërkombëtare.
Së fundmi ajo është shpërblyer edhe me çmimin “24 Under 24”, i cili dhurohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të rinjtë nën 24 vjeç që arrijnë të bëjnë një ndryshim në botë.

Në një rrëfim për gazetën “Zëri” Pranvera Hyseni tregon se si fëmijë ishte e intriguar nga fusha e astronomisë, mirëpo duke marrë parasysh kushtet dhe rrethanat se sa kjo fushë është e zhvilluar në Kosovë vështirësitë për t’ju rrekur kësaj rruge ishin të dukshme.

Aktualisht në mungesë të një dege të astronomisë, Hyseni është studente në Fakultetin e Gjeografisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ajo synon që në të ardhmen studimet e magjistraturës t’i bëjë në SHBA për astronomi e pas kësaj zotohet se do të kthehet në Kosovë për të kontribuuar në zhvillimin e kësaj fushe.

Nga hapat e parë deri te asteroidi me emrin e saj

Si astronome e re, Hyseni ka pasur rastin të vizitojë disa departamente të shkencave në botë, duke përfshirë në Itali, në Zvicër dhe në Australi, por e veçon eksperiencën në SHBA ku ka qëndruar katër muaj dhe ka vizituar 17 shtete.

“Atje kam prezantuar në tetë konferenca shkencore me astronomë dhe shkencëtarë. Kam qenë e ftuar të flas edhe unë në Universitetin e Harvardit e gjithashtu edhe kam vizatuar dy qendrat e NASA-s, aty ku e kam pasur ëndërr të shkoj! Ishte një vizitë private dhe kam parë makineri, gjëra që kanë shkuar në hapësirë e janë kthyer dhe departamente të veçanta. Kam takuar edhe astronautë. Për mua kjo do të thotë shumë, sepse e bën Kosovën të njihet ndërkombëtarisht”, thotë Pranvera, duke theksuar se gjatë këtyre katër muajve ka mësuar jashtëzakonisht shumë.

Asteroidet zakonisht emërohen sipas shkencëtarëve dhe njerëzve që lënë gjurmë në botën e shkencës. Si i tillë nga SHBA-ja është vlerësuar edhe emri i Pranvera Hysenit.

“Pasi kam shkuar në SHBA, te qendra ‘Catalina Sky Survey’, ku vrojtohen dhe ku zbulohen asteroidet, aty disa asteroide pagëzohen me emra të nobelistëve, të shkencëtarëve dhe të personave kontribuues të shkencës. Unë aty jam takuar me astronomin Richard Hills dhe pikërisht ky më kishte nominuar në Departamentin e Universitetit të Harvardit që bën emërimin e asteroideve. Për shkak se Hill kishte dashur të ma bënte befasi, unë nuk e dija se jam e nominuar. Gjithçka kam marrë vesh në momentin kur asteroidi ka marrë zyrtarisht emrin tim”, tregon Pranvera.

Fakti që një trup qiellor në hapësirë mban emrin e saj e bën të ndihet shumë e lumtur dhe e përmbushur. “Nuk është puna që është emri im, është puna që është një emër shqiptar. Kjo ka një domethënie të madhe për organizatën tonë, e duhet të ketë edhe për Kosovën. Normalisht që jam ndier shumë e nderuar dhe njësoj janë ndier edhe familja dhe gjithë ekipi”, thotë Hyseni.

Pavarësisht se është emri i parë shqiptar që NASA e ka vulosur në hapësirë, Hyseni nuk është nderuar e as nuk është pritur ende nga asnjë zyrtar apo institucion shtetëror, duke përjashtuar këtu kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirin.

Vullneti për ta gërshetuar teorinë me praktikë – motiv për t’u marrë me astronomi

Duke qenë se në Kosovë gjithçka që mësohet për astronomin ngelet në librat e thjeshtë ku përmenden planetët e sistemi diellor, Hyseni i ka vënë qëllim vetes ta çojë përpara zhvillimin e kësaj shkence në Kosovë. Sa e pazhvilluar është kjo lëmi ajo e kishte të qartë qysh në fillim, por kjo nuk e bëri të zmbrapset.“Në fillim ishte e vështirë duke e pasur parasysh gjendjen në Kosovë që është shumë vështirë të bësh diçka me astronomi, tek e fundit as të ardhura nuk ka prej saj. Në vitin 2011 e kam pasur donacion teleskopin e parë dhe prej atëherë kam filluar të merrem intensivisht me këtë punë”, kujton Pranvera duke theksuar se të gjitha mësimet e para i ka bërë në mënyrë autodidakte. “Pasi mësova gjërat e para fillova ta marr teleskopin në shkollë e në disa panaire të shkencës dhe e vërejtsha që të gjithë ata që e shihnin reagonin të habitur sepse s’kishin pasur rast ndonjëherë të shihnin teleskop. Kështu më erdhi ideja që teleskopin ta demonstrojë në shumë vende, në mënyrë që ta shohin edhe të tjetër. Më vonë përmes rrjetit social ‘Facebook’ kam takuar dhe kam kontaktuar shumë astronomë dhe shkencëtarë të cilët më kanë ndihmuar shumë duke më dhuruar edhe teleskopë të tjerë, kamera planetare, laptop e gjëra që më nevojiten për astronomi”, tregon Pranvera.

Duke e parë mungesën e njohurive për astronomi dhe me qëllimin që kjo fushë të popullarizohet në Kosovë, Hyseni në vitin 2015 themeloi klubin e astronomisë “Astronomy Outreach of Kosovo”, që sot numëron rreth 100 anëtarë.

“Si grup kemi filluar të rritemi që nga aktiviteti i parë. Jemi të regjistruar si organizatë joqeveritare. Për tre vjet kemi arritur të organizojmë një numër të madh aktivitetesh, që përfshijnë disa shkolla dhe shumë pjesëmarrës. Qëllimi ka qenë të fokusohemi në praktikën e asaj teorie të thatë që mësohet nëpër shkolla”, thekson Hyseni.

Organizata e saj ka pritur si mysafirë disa astronomë e shkencëtarë prej të cilëve kanë marrë trajnime të ndryshme.

Ëndrra për zhvillimin e astronomisë në Kosovë

Organizatën “Astronomy Outreach of Kosovo” e ka nisur me misionin e popullarizimit të astronomisë, por tashmë ky klub synon që të ndërtojë një observator dhe të sjellë në Kosovë teleskopë akoma më profesionalë. “E ndoshta një ditë astronomia do ta ketë edhe një departament në Universitetin e Prishtinës, një derë ku do t’i jepet mundësia të rinjve të Kosovës”, thotë Hyseni.

Ajo konsideron se interesimi për këtë fushë tashmë nuk mungon në Kosovë. “Unë shoh interesim edhe pse më herët askush nuk ka pasur njohuri për astronominë. Ne si organizatë konsideroj që e kemi filluar atë shkëndijën e parë në këtë drejtim. Kam vërejtur qëkur e kam themeluar organizatën kam qenë krejtësisht e vetme, por gradualisht janë shtuar anëtarët. Edhe pasi jemi bërë disa anëtarë kam qenë e vetmja e cila kam montuar teleskopët sepse të tjerët nuk kanë ditur, por tash është krejt ndryshe. Interesimi është dukshëm i madh”, shprehet Pranvera.

Aktualisht klubi “Astronomy Outreach of Kosovo” ka tetë teleskopë. Fakti që për një periudhë trevjeçare kanë arritur të zgjojnë goxha interesim e gëzon dhe e motivon atë. Zëri/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img