Ato as që kanë dhënë sinjale se së shpejti mund të ketë një qeveri të konstituuar ndërmjet tyre.
“Do t`ju informojmë sapo të kemi momente të reja”, ka deklaruar për Radion Evropa Lirë, zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Ivo Kotevski.
Zyrtarë nga kjo parti kanë theksuar se brenda kësaj jave, përkatësisht deri më 29 janar, kur mandatari është i obliguar t`i dorëzojë Parlamentit programin për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë, do të arrijnë t’i harmonizojnë dallimet që kanë këto dy parti rreth ligjit për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, si dhe vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale Publike.
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, ka thënë se duhet respektuar parimin e formimit të qeverisë me partitë, të cilat kanë dalë fituese në zgjedhje.
Analistët politikë vlerësojnë se në këtë formë, partitë politike synojnë të përgatisin terrenin për formimin e një qeverie të re ndërmjet VMRO DPMNE-së dhe BDI-së.
“Deklarata e zëdhënësit të BDI-së, Bujar Osmani, se është i mundshëm një koalicion mes VMRO DPMNE-së, dëshmon se ky koalicion është i pamundur për shkak se kontesti është te mosrealizimi i kërkesave elementare të shqiptarëve. Ali Ahmeti tani detyrimisht duhet t’u kthehet kërkesave të shqiptarëve që nga themelimi i partisë që e drejton, që nga viti 2002, sepse brenda në parti është evidente se ka deputetë që nuk e përmbajnë idenë e formimit të qeverisë nga Nikolla Gruevski. Ky është dhe realiteti, me të cilin detyrimisht duhet të ballafaqohen këto dy parti dhe Gruevski në fund të javës, do të detyrohet të kthejë mandatin”, thotë për Radion Evropa Lirë, Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike.
Ai thekson se, “nëse dështon Gruevski për të formuar qeverinë, synohet të krijohet opinion që presidenti i shtetit t`ia japë sërish mandatin kësaj partie, VMRO DPMNE-së me një mandatar të ri dhe jo partisë që ka dalë e dyta, Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë”.
“Një çështje tjetër do të jetë si do të interpretohet Kushtetuta -kujt dhe si do të t`ia japë presidenti i shtetit mandatin për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë. Ekziston mundësia për t`ia dhënë sërish mandatin VMRO DPMNE-së po me një mandatar tjetër që do të thotë se do të vazhdojë manipulimi”, thekson Demiri.
Nga ana tjetër, Arsim Sinani nga Instituti për Studime Evropiane, për Radion Evropa e Lirë thotë se nuk ka bazë as juridike, po aq më pak morale të respektohet parimi i konstituimit të qeverisë nga partitë politike fituese, përderisa VMRO DPMNE-ja nuk e ka respektuar realizimin e kërkesave të shqiptarëve, të cilat kanë mbetur të hapura më shumë se një dekadë edhe pas miratimit të Marrëveshjes së Ohrit .
“Formimi i qeverisë nga partitë politike nga viti 2008 është bërë vetëm formalisht, sepse shqiptarët kanë hyrë në qeveri, por nuk kanë guxuar ta hapin gojën as për obligimet që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, as për zgjidhjen e statusit të ish -pjesëtarëve të UÇK-së, as për zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe, as për barazinë në aspektin e zhvillimit ekonomik”.
“Pra, për asnjë çështje që është me interes për shqiptarët. Kështu që shqiptarët tani do të duhet ta gjejnë rrugën e vet dhe kjo do të thotë rrugën e realizmit të platformës së hartuar dhe firmosur nga partitë politike shqiptare me kërkesa dhe obligime të qarta”, thotë Sinani.
Ndryshe, parimi që partitë fituese në bllokun maqedonas dhe atë shqiptar, të krijojnë qeverinë e Maqedonisë, doli nga Marrëveshja e majit e vitit 2007, që u arrit me ndërmjetësimin e amerikanëve, pasi në vitin 2006 Nikolla Gruevski qeverinë e konstituoi me Partinë Shqiptare Demokratike, e cila kishte fituar më pak mandate në bllokun politik shqiptar kundrejt Bashkimit Demokratik për Integrim.