26,12,2024

Viti i rrezikshëm 2017-të

Must Read
Blerim Shala

 

Kushdo që në këtë fundvit pretendon të bëjë një rekapitulim të ngjarjeve të vitit 2016-të në Botë, duke bërë edhe një lloj të vlerësimit të prerë konkludues të tyre, mbase, do të del i gabuar, herët a vonë.

Megjithatë, duket që është përtej dyshimi mendimi që ky vit është një vit kufitar, që shënon rrumbullakësimin e një periudhe historike dhe politike, dhe nisjen e një tjetre, e cila mbërrinë në skenë me shumë pyetje dhe me përgjigjet që do të formulohen dhe bëhen në të ardhmen e afërt.

Vit i kësisojt kufitar ka qenë ai i 1989-tës, me rrënimit e Murit të Berlinit dhe ai i 2001-shit, me shkatërrimin e Kullave Binjake në New York.

Por çfarë ndodhi në të vërtetë me 9 nëntor, 1989, në Berlin dhe me 11 shtator, 2001, apo, cilat ishin pasojat për Gjermaninë dhe SHBA-në, për Evropën dhe Botën, kjo u mor vesh vetëm në vitet e mëpasme.

Në realitet, nëse këtu për pak kohë i kthehemi kalendarit politik të vitit në largim e sipër, do ta shohim, të gjithë së bashku, që thuaja të gjitha ngjarjet që rrëmbyen kryelajmet mediatike në Botë, janë me origjinë nga ato dy vitet kufitare të përmendura më parë, që u veçuan me prishjen e një Rendi të deriatëhershëm ndëkombëtarë.

Rusia e Vlladimir Putinit tash e sa kohë, po përpiqet të revidojë, sa më shumë që është e mundur, rezultatet e disfatës në Luftën e Ftohtë, e cila u kumtua tek Muri i Berlinit, dhe e cila, në atë formën më të qartë të mundshme, u vërtetua me fushatën ajrore të Paktin NATO mbi Serbinë dhe Kosovë, në pranverën e vitit 1999-të.

Putin ka përsëritur shumë herë që shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ka qenë katastrofa më e madhe gjeo-politike e Shekullit XX. Të gjitha veprimet e tij që prej se është bërë President, veçmas në tri vitet e mbrama, tregojnë që ai po përpiqet ta relativizojë këtë dështim të madh të Bashkimit Sovjetik.

Në anën tjetër, e gjithë rrëmuja e përgjakshme e Sirisë, Irakut, Afganistanit, e zhvillimeve në këto anë të Rruzullit tokësor, ka si datë nismëtare 11 shtatorin e vitit 2001 në Amerikë, kur ndodhën sulmet e sinkronizuara terroriste.

Po del kështu që objektivisht, një rrjedhë historike kurrë nuk merr fund në mënyrë të plotë, apo, ajo vetëm sa transformohet.

Sidoqoftë, çka është fare e re, në përpjekjet për të marrë vesh se çfarë na ndodhi në vitin 2016-të, duket se është një bindje, e cila nuk ka qenë e pranishme, as pas rrënimit të Murit të Berlinit dhe as pasiqë Kullat Binjake u bënë shkrumb e hi.

Kjo bindje na flet që kjo periudha e ardhshme historike mbi të gjitha do të karakterizohet me pasigurinë si dukuri planetare, e cila si e tillë, do të reflektohet në secilën anë të Botës, me tipare shtesë të ndërlikimit, që në rastin e Evropës shprehen me kontestimin më të madh që i është bërë ndonjëherë Projektit politik dhe ekonomik të Bashkimit Evropian.

Ne në Kosovë, pra, tash e tutje, sidomos në vitin 2017-të, do të përballemi me katër rrathë të pasigurisë si veçori mbizotëruese politike.

Pos pasigurisë në nivelin botëror dhe evropian, do të kemi edhe pasigurinë në rajonin tonë, më të madhen që prej ndryshimeve të ngjarjeve të viteve 1999-2001, por edhe me atë pasigurinë politike në vend, e cila është rezultat i vazhdimësisë së një politike të konflikteve të përhershme, e cila është kryefjala e kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës dhe të mandatit të kësaj Qeverie të Kosovës.

Në Botë, me gjasë, nuk e kemi në atë ‘siguresën’ supreme në trajtë të SHBA-së, për të pamundësuar zhytjen në kaos dhe në rrëmujë të Rendit Ndërkombëtarë.

Në Evropë, është mëdyshur ajo ‘siguresa’ kryesore politike për ta ruajtur Bashkimin Evropian si garancë të stabilitetit dhe të qëndrueshmërisë së kontinentit të vjetër.

Në Kosovë, ne vet e kemi kontestuar, në të gjitha mënyrat e mundshme, politikën kosovare si garantuese themelore të shtetit të Kosovës, i cili si i tillë, është garancë sipërore e fatit të qytetarëve të Kosovës.

Nuk duhet pra shumë mend dhe dije, për të mbërritë tek konkludimi që për ne, në Kosovë, viti i ardhshëm do të shquhet me sprovat më të rënda, më të rrezikshme dhe më problematike që prej çlirimit të vendit e këndej./Lajmi.net/

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img