Të dashur qytetarë të Komunës së Ferizajt!
Kuvendi i Komunës së Ferizajt solidarizohet me të gjithë qytetarët e Komunës së Ferizajt, duke uruar më të mirat për ju e familjet e juaja, sidomos në këtë kohë jo të favorshme për ne, kur e dijmë që rastet e prekura nga COVID-19 po shtohen në botë, e fatkeqësisht edhe në Republikën e Kosovës.
Fatmirësisht, në Komunën e Ferizajt deri më tani nuk kemi asnjë rast, duke ju falenderuar qytetarëve për mobilizim për t’u vetizoluar, për të shmangur kontaktet me njëri tjetrin dhe duke ju përmbajtur të gjitha udhëzimeve të propozuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Mbështesim dhe falenderojmë të gjithë stafin shëndetësor, institucionet lokale, përkatësisht shtabin emergjent dhe kreun e Komunës së Ferizajt z.Agim Aliu, të cilët janë në gatishmëri për t’i dalë ballë kësaj situate në të cilën gjendemi, duke ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e kësaj pandemie.
Një falenderim i veçantë për mantelbardhët, Policinë e Kosovës dhe gazetarët, të cilët janë në krye të detyrës, përderisa ne jemi duke qëndruar në shtëpitë tona, ashtu siç na kanë rekomanduar.
Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, në çdo situatë deri më tani kanë treguar solidaritetin dhe mbështetjen për qytetarët në nevojë, siq ishte rasti i z.Lulzim Abazi, i cili i dhuroi QKMF-së dy aparate për prodhimin e oksigjenit me pajisje përcjellëse. Ne e falenderojmë për kontributin e tij mjaft të nevojshëm për trajtimin e pacientëve, sidomos tani kur përballemi me këtë gjendje.
Andaj, të dashur bashkëqytetarë, apelojmë t’i përmbaheni udhëzimeve për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, duke qëndruar me familjet e juaja në shtëpi, të merrni masat mbrojtëse higjienike, gjithashtu të shmangni shetitë. Vetëm duke qenë të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm, ashtu siç keni vepruar deri më tani, mund të tejkalojmë këtë situatë jo të mirë.
Kujdes Po, Panik Jo!
Me respekt
Kristina Gashi-Bytyçi
Kryesuese e Kuvendit të komunës së Ferizajt.