Ndonëse është në proces gjyqësor çështja e fryrjes së listave të veteranëve, Kadri Veseli, kandidat për kryeministër nga PDK-ja, u ka premtuar sot veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se së bashku do të angazhohen për largimin e veteranëve të rremë.
Në një tubim me qindra veteranë, Veseli gjithashtu premtoi se veteranët e punësuar në sektorin privat do të marrin edhe 80 përqind të pagesës së veteranit, ndërsa të punësuarve në institucione publike 50 përqind.
Veseli tha se kategoritë e luftës, duke përfshirë këtu familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, familjet e viktimave civile, ish të burgosurit politikë, përbëjnë një pjesë të ndjeshme të shoqërisë dhe meritojnë përkujdesje të veçantë nga shteti.
“PDK-ja do të vazhdojë të jetë krah jush edhe më shumë në mandatin e ardhshëm, duke shtuar përkujdesin për ta. Ne do t’i luftojmë pa kompromis abuzimet dhe shpërdorimet, duke ndërmarrë hapa konkretë për ta zgjidhur njëherë e mirë çështjen e mashtruesve që janë futur në mënyrë abuzive në listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë besoj në nevojën e aplikimit të politikave aktive sociale edhe tek çështja e veteranëve tanë. Kjo qasje e politikave aktive sociale, nënkupton nxitjen e kategorive të ndryshme sociale që të jenë sa më të pavarura, të mos kenë varësi nga ndihma e qeverisë, të jenë sa më të integruara në shoqëri dhe të jenë pjesëmarrëse në jetën ekonomike të vendit”, tha Veseli.
Ai inkurajon veteranët që të kenë një rol sa më aktiv në shoqëri dhe fuqizim sa më të madh ekonomik. Ndërsa ka thënë se pret që veteranët e UÇK-së të mbështetni luftën kundër korrupsionit.
“Përveç pensioneve, përfituesit e skemës së veteranëve do të vazhdojnë të kenë benificione në lirim nga shpenzimet e energjisë elektrike dhe lirim nga shpenzimet e zhdoganimit të veturave. Për familjet e dëshmorëve dhe martirëve kemi bërë një padrejtësi, ku në tre mujorin e parë nuk do të ketë në asnjë familje të tillë ndarje të pensioneve kontributdhënëse. Po ashtu, unë pres që ju veteranë të UÇK-së të mbështetni luftën kundër korrupsionit, e cila është shkaktarja më e madhe e emigrimit të të rinjve dhe pengesa më e madhe për të ardhmen e Kosovës”, deklaroi Veseli.