16,11,2024

Vdekja e gruas shtatzënë, ministria: Ja ç’ndodhi me nënën dhe foshnjën

Must Read

Familjarët e saj akuzojnë mjekët për këtë ngjarje të rëndë, ndërsa para pak minutash MSH deklaron se mjekët i kanë dhënë asaj asistencën e duhur dhe gjatë gjithë kohës ka lëvizur me ambulancë.

Familjarët e gruas shtatzënë janë shprehur se urgjencën e kanë gjetur të mbyllur dhe kanë pritur 20 minuta që të hapej, pretendim ky që drejtoresha e maternitetit Rubena Moisiu e hodhi poshtë.

Në diagnozën e mjekëve, është konstatuar hemorragji masive në regjionin e shpretkës dhe koagula të shumta në këtë zonë dhe me gjithë ndihmën e dhënë pacientja nuk ka mundur të mbijetojë.

DEKLARATA E MINISTRISË SË SHËNDETËSISË

Pacientja A. Ç., e datëlindjes 28/07/1981, lindur në Kukës dhe banuese në Bathore, Tiranë, shtatzënia e tretë, është paraqitur në SUOGJ “Koço Gliozheni” rreth orës 22 e 30 minuta të datës 15/09/2016. Pacientja paraqiti ankesa për vështirësi në frymëmarrje, cianozë periorale dhe dhimbje në regjionin perikardiak.

Në Repartin e Pranimit të Shërbimit të Obstetrikës të këtij spitali, është ekzaminuar nga mjekët e rojës në abdomen, pasi gruaja ka refuzuar vizitën vaginale, e cila rezultoi me RZF (Rrahjet e Zemrës Fetale) prezente, uterus të qetë, pa kontraksione, paraqitje oblik­cefalik në palpacion, pa hemorragji të dukshme.

Në këto kushte, pacientja dërgohet me autoambulancë nën asistencë të personelit mjekësor rreth orës 23 e 15 minuta në Urgjencën e QSUT “Nënë Tereza”, dhe pas mbërritjes është vizituar nga mjeku kardiolog. Më tej, nisur nga dispnea, cianoza dhe dhimbja prekordiale që paraqiste pacientja, rreth orës 1 e 45 minuta dërgohet me autoambulancë nën asistencën e personelit mjekësor të shërbimit të Urgjencës në SU “Shefqet Ndroqi”.

Pacientja u paraqit në SU “Shefqet Ndroqi” rreth orës 02 të datës 16/09/2016. Aty konstatohet një rënie e kuadrit të gjakut, grafi pulmonare normale dhe u dyshua për hemorragji të brendshme pa burim të përcaktuar.

Për këtë arsye, pacientja rikthehet në SUOGJ “Koço Gliozheni” në orën 4 të datës 16/09/2016, e shoqëruar me personel mjekësor me oksigjen dhe në perfuzion me dopaminë, ku shtrohet me diagnozën: “Gravidancë 41­42 javë oblik­cefalik, feto­morto in utero, abdomen akut”.

Qysh në shtrim, përshkruhet gjendje e rëndë, e zbehtë, me djersë, puls të dobët takikardik 120/min, TA (Tension Arterial) 83/40 mm të shtyllës së zhivës. Në këto kushte, transferohet menjëherë në reanimacion, ku fillohet reanimimi dhe monitorimi.

Vazhdoi trajtimi i pacientes me gjak, dopaminë, adrenalinë dhe O2 nazal dhe kortizonik. Në kushtet e gjendjes së rënduar të pacientes, u thirr konsultë e zgjeruar, dhe me gjithë vazhdimin e reanimimit, gjendja e pacientes vazhdoi të rëndohet, me puls periferik, me shenjat tipike të gjendjes së shock­ut.

Në këtë situatë, konsulta vendosi që pacientja të futet në sallën operatore me diagnozën: “Abdomen Akut”, me dyshim për hemorragji të brendshme. Në orën 5, pacientja e fut në sallën operatore, ku u hap barku dhe u konstatua hemoperitoneum, rreth 2500 ml, me koagula të shumta, kryesisht majtas, uterusi (mitra) intakt (e paprekur).

U nxor fetusi i vdekur (vdekje e freskët), likid i pastër, placentë normale. Nisur nga reperti kirurgjikal i paraqitur në orën 5 e 45 minuta u kërkua konsultë nga kirurgu, i cili konstatoi hemorragji masive në regjionin e shpretkës dhe koagula të shumta në këtë zonë.

Me gjithë ndihmën mjekësore të ofruar, pacientja fatkeqësisht ndërroi jetë. Kështu, të gjitha lëvizjet e pacientes janë bërë me autoambulancë nën asistencën e personelit mjekësor dhe shoqëruar me dokumentacionin mjekësor përkatës. Autoambulanca SUGJ “Koço Gliozheni”– QSUT: TR 3516 L Autoambulanca QSUT– SU “Shefqet Ndroqi”: TR 9438 K Autoambulanca SU “Shefqet Ndroqi” – SUGJ “Koço Gliozheni”: TR 9604 K.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Erion Veliaj: Ferizaj dhe miku im, Agim Aliu i bashkohen “Paradës së Shqiptarëve” më 28 Nëntor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”  

Bashkia e Ferizajt është e para që i është bashkuar “Paradës së Shqiptarëve” që do të mbahet në Tiranë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img