Mbi 150 studentë të viteve të III-ta të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), të shoqëruar nga Rektori, Prof. Dr. Agron Bajraktari dhe stafi akademik e administrativ i Universitetit, po qëndrojnë për vizitë në qytetin e Durrësit, Shkodrës, Tiranës dhe Vlorës, ku po realizojnë vizita në vendet turistike të Shqipërisë.
![](https://ferizajpress.com/wp-content/uploads/2019/04/57277825_2135337863248952_2812695101996793856_o.jpg)
Studentët gjatë kësaj vizite patën mundësi të shohin vendet më të bukura, ndërtimet arkitektonike, veprave të artit, zhvillimin dhe menaxhimin e turizmit dhe hotelierisë dhe pjesët historike të kulturës së Shkodrës, Durrësit, Tiranës dhe Vlorës.
Gjatë kësaj vizite studentët u njoftuan për kontributin që dhanë shqipëtarët ndër breza, i cila u kurorëzua me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe 28 Nëntorin e vitit 1912.
![](https://ferizajpress.com/wp-content/uploads/2019/04/57294150_2135337893248949_3979641062099517440_o.jpg)
E veçantë e kësaj vizite ishte Marrëveshja e Bashkëpunimit me Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, të nënshkruar nga Rektori Bajraktari dhe Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, ku përmes kësaj Marrëveshje do të bëhet i mundur shkëmbimi i përvojave në mes të universiteteve, si dhe do të mundësohet shkëmbimi i stafit akademik dhe studentëve në mes të këtyre dy universiteteve.
![](https://ferizajpress.com/wp-content/uploads/2019/04/56800611_2135338109915594_4043424491836014592_o.jpg)
Rektori Bajraktari dhe Rektorja Sotirofski para studentëve kujtuan kohën e luftës në Kosovë, si dhe mbështetjen e parezervë që i bëri shteti shqipëtar Kosovës në strehimin e mijëra kosovarëve, të cilat u dëbuan nga zonat e luftës. Po ashtu, të dy Rektorët u zotuan që do të përpiqen që të realizojnë Marrëveshjen në mënyrën më të mirë të mundshme.
![](https://ferizajpress.com/wp-content/uploads/2019/04/56691401_2135338369915568_4206869382090981376_o.jpg)
I pranishëm gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes ishte edhe Ambasadori i Kosovës në Tiranë, z. Sylë Ukshini, i cili përshëndeti studentët dhe të pranishmit dhe tha se ndihet i privilegjuar të jetë në mesin e studentëve nga rajoni i Ferizajt. Sipas tij Marrëveshja erdhi në një moment historik, në 20 vjetorin e çlirimit të shtetit të Kosovës dhe uroj që ky bashkëpunim të thellohet edhe më shumë në të ardhmen.