Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-u ka kërkuar lirimin e dy punëtorëve të vet të cilat janë ndaluar sot gjatë aksionit të zhvilluar nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës në veri.
Përmes një publikimi për media, nga UNMIK kanë deklaruar se po përcjellin me shqetësim zhvillimet e fundit në Kosovë.
“UNMIK-u po përcjell me shqetësim të madh zhvillimet në veri të Mitrovicës sot, duke përfshirë këtu ndalimin e dy personave që janë punëtorë të UN gjatë aksionit të Policisë. Të dy pjesëtarët e stafit janë transferuar në spital për trajtim të lëndimeve. Ne jemi duke shikuar rrethanat e sakta në koordinim të plotë me të gjitha organizatat ndërkombëtare në terren”, thuhet ndër të tjerash në deklaratën e UNMIK-ut, transmeton Indeksonline.
Përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin gjithashtu ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të pjesëtarëve të stafit të UNMIK-ut, duke shtuar se “çdo lëndim i pjesëtarëve të UNMIK-ut do të ketë përgjigje të lartë ligjore diplomatike dhe ndërkombëtare”.
“Iu bëjë thirrje të gjitha palëve që të udhëhiqen nga principet e sundimit të ligjit dhe dinjitetit për jetë, liri dhe të ndihmojnë në rikthimin e qetësisë dhe sigurisë në këtë pjesë”, ka thënë ai.
Ndryshe në mesin e të arrestuarve sot ka shqiptarë, serb, boshnjakë si dhe rusë. Madje presidenti i vendit, Hashim Thaçi konfirmoi arrestimin e rusëve e për të njëjtën çështje reagoi edhe ambasadori i Rusisë në Beograd, i cili kërkoi lirimin e menjëhershëm të shtetasve të tij./Indeksonline/