Investimet publike, veçanërisht ato në fushën e infrastrukturës rrugore kanë ndërruar pamjen e qytetit tonë dhe fshatrave. I tillë është edhe projekti që zyrtarisht u përurua sot, ai i nënkalimit të veturave dhe këmbësorëve në Nikadin-Varosh. Një pamje spektakolare, rrugë me standardet më të larta infrastrukturore, me sinjalistikën komplete, shtegun për biçiklistë, është investimi që sot doli ta përuroj Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, bashkë me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Xhavit Zariqi, drejtorët e drejtorive komunale, këshillin e ekspertëve të planifikimit urban dhe dhjetëra qytetarë.
Kryetari Aliu vuri theksin tek siguria e mundësitë e shtuara ekonomike që ofron kjo vepër infrastrukturore, çka ka bërë që të mbyllet epoka e rreziqeve në këtë vendkalim porse si i tillë, tash e tutje të jetë referencë e model pune në infrastrukturën rrugore.
“Më lejoni që në emër të qeverisë komunale që unë drejtoj, të uroj të gjithë bashkëqytetarët ferizajas por edhe më gjerë sesa Ferizaj sepse ky është një nënkalim që do t’ju shërbej më shumë sesa banorëve të kësaj ane, më shumë sesa qytetarëve të Ferizajt sepse është një nyje që do të lidh edhe me Kaçanikun dhe Shkupin, do të lidh edhe me Gremen e Brezovicën prandaj është i një rëndësie të veçantë. Është edhe një rëndësi e veçantë sepse është në kuadër të projekteve që dëshmon përkushtimin, guximin, vizionin por mbi të gjitha atë që ne jemi duke e bërë si qeverisje komunale në bashkëpunim me Këshillin e Ekspertëve për të transformuar qytetin, për të transformuar çdo zonë, çdo pjesë të Ferizajt që të përshtatet me atë që e themi vazhdueshëm se Ferizaj sot është kryeqendër e zhvillimit ekonomik, se Ferizaj paraqet një ndër qendrat urbane më të rëndësishme në Republikën e Kosovës. Ne me projektet jemi duke e argumentuar në çdo ditë të punës sonë se ky epitet i takon me të drejtë. Pork jo nuk do të mjaftohet me këtë projekt sepse ne jemi të qartë në guximin dhe vizionin në projektet që kemi paraqitur dhe do të paraqesim, që ta bëjmë Ferizajn, një ndër qendrat më të rëndësishme urbane. Sot, ky nënkalim është një mundësi më shumë për zhvillimin ekonomik të vazhdueshëm të të gjitha bizneseve por jo vetëm të Ferizajt siç e thashë, por rëndësia është se sot ne, me 18 nëntor të vitit 2020, po përmbyllim një epokë e cila ka mundur të shkruhet fatkeqësisht edhe me shkronja të zeza për familjarët, respektivisht bashkëqytetarët tanë, sepse ka qenë pikë e zezë në kuptimin e shfaqjes së pasigurisë të kalimit qoftë si këmbësor, qoftë si automjete. Pra, sot me këtë nënkalim ne po i japim më shumë siguri këmbësorëve, po i japim më shumë siguri çiklistëve, automjeteve individuale dhe ato në funksion të bizneseve” tha mes tjerash Kryetari i Komunës, Agim Aliu.
Përgëzime për këtë projekt dha edhe zëvendësministri Xhavit Zariqi i cili njëkohësisht uroi banorët e kësaj zone për këtë investim.
Detajet teknike të projektit, zgjidhjet urbane dhe modelin e ndjekur të punës e dhanë arkitektët Arsim Murseli dhe Sabri Ramadani, bashkë me ekipin profesional që shpjeguan punën në këtë projekt.
Nënkalimi për vetura dhe këmbësorë në Nikadin-Varosh është pjesë integrale e projektit “Bashkimi i Qytetit” – investimit transformues urban në zonën qendër dhe në pjesë të tjera të qytetit.