Pra, ajo që dihet është se askush nuk mund të parashikojë të ardhmen, raporton Teelsport.
Ndonjëherë edhe menaxherët apo trajnerët më të mirë kanë hedhur poshtë mundësi të arta për të marrë futbollistë që më pas kanë shkruar historinë.
Ja cilat janë disa nga shembujt e transfertave që nuk u kryen kurrë, por që mund të kishin ndryshuar historinë e Premier League…
Kaka te Manchester City
Në vitin 2009, Manchester City që po bëhej një nga klubet më të mëdha të Europës, duke shpenzuar shifra marramendëse, ishte pranë blerjes së brazilianit Kaka. Milan mori një ofertë prej 120 milionë eurosh, do të ishte një marrëveshje rekord që do të bënte bujë edhe në ditët e sotme dhe do të kalohej vetëm nga PSG që mori Neymar apo Mbappe dhe nga Barcelona që mori Coutinho. Një tifoz i City, dhjetë vjet më parë, i bindur se marrëveshja u arrit bëri edhe tatuazh me emrin e Kaka. Por në fund, fituesi i “Topit të Artë 2007” vendosi ta refuzojë transferimin, ndërsa shefi i asaj kohe te City, Garry Cook dha se Milan e kishte sabotuar marrëveshje.
Steven Gerrard te Chelsea
Një njeri, një klub! Në vitin 2005, sapo fitoi Champions League në mënyrë të befasishme, Steven Gerrard u mërzit me drejtuesit e Liverpool dhe kërkoi të largohej nga “Anfield Road”. Mesfushori ishte në planet e Jose Mourinho, që ishte gati të bënte gjithçka për ta pasur në qendër të projektit të tij në “Stamford Bridge”. Në Angli nisën diskutime të shumta, shokët e ekipit të Gerrard te Liverpool u mblodhën për të bindur lojtarin që qëndronte. “Një titull me Liverpool vlen sa tre apo katër me Chelsea,” – i tha kapitenit Jamie Carragher. Fatkeqësisht për këta të dy, që nga ajo ditë Chelsea është shpallur katër herë kampione e Anglisë, ndërsa Liverpool vazhdon të jetë në pritje.
Robert Lewandowski te Blackburn
Përpara se të njihej si një nga sulmuesit më të mirë të planetit, Robert Lewandowski i ri ishte subjekt i admirimit të Sam Allardyce te Blackburn Rovers. Klubi i Lancashire i ofroi 5 milionë euro klubit polak të Lech Poznan, për të marrë sulmuesin në vitin 2010. Gjithsesi, shpërthimi i një vullkani në Islandë, që ndërpreu të gjitha linjat ajrore, pengoi udhëtimin e Lewandowski për t’u njohur me kushtet e ekipit anglez. Ai kishte programuar një fundjavë takimesh me Allardyce dhe njerëzit e klubit, por më pas shkoi te Borussia Dortmund. Më vonë do të zbulonte se ndoshta anglezët do ta kishin bindur, po të kishte shkuar atje. Por vullkani e çoi në Gjermani…
Rivaldo te Bolton Wanderers
Në vitin 2004, Bolton kishte filluar të kishte ambicie të mëdha dhe të ëndërronte Europës. Sam Allardyce, sërish ai, nisi bisedimet me 32-vjeçarin Rivaldo, i cili nuk ishte më në formacionin e Milan. Fituesi i Kupës së Botës do të deklaronte: “Do të doja me kënaqësi të shkoja te Bolton në Angli dhe ta çoja këtë klub në Kupat e Europës, për herë të parë në histori. Eshtë një sfidë që më tërheq.” Çuditërisht, pak ditë më vonë ndryshoi mendim dhe shkoi te Olympiakos në Greqi. Bolton e mbylli atë kampionat me pikë të barabarta me Liverpool, vetëm tre pikë larg zonës Champions. Sezoni më i mirë i historisë së klubit, shumë larg asaj që ndodhi në vitin e kaluar ku vetëm një gol në sekondat e fundit i shmangu rënien në kategorinë e tretë.
Andriy Shevchenko te West Ham
Gojëdhënat tregojnë se Harry Redknapp në vitin 1994 ishte shumë pranë blerjes së atij që do të bëhej një nga sulmuesit më të mirë të futbollit modern. Harry e mori Shevchenko për një provë katër ditore, ku përfshihej edhe një ndeshje kundër Barnet. Gjithsesi, ai zgjodhi të mos e merrte Shevën edhe pse Dinamo e Kiev nuk do ta pengonte. “Ai nuk bëri asgjë të jashtëzakonshme, edhe pse u duk se ishte një futbollist që mund të luante në Premier League. Më pas para disa probleme me menaxherin e tij dhe me disa futbollistë rumunë, kështu që mendova: mjaft me Europën Lindore. I fundit për të cilin kisha nevojë ishte një ukrainas,” – zbuloi Redknapp.
Zlatan Ibrahimovic te Arsenal
Në vitin 2000, Arsene Wenger e ftoi të riun suedez të quajtur Zlatan Ibrahimovic që të luante me Arsenal. Atij ju premtua fanella me numrin 9 dhe gjithçka po shkonte mirë gjatë bisedimeve, derisa Wenger tha se kishte nevojë që futbollisti të bënte një javë provë përpara se të firmoste. Këtu gjithçka shkoi dëm. Zlatan tha: “Jam Ibrahimovic, unë nuk bëj kurrë prova. Ose firmos, ose mirupafshim!” Imagjinoni ekipin që e fitoi kampionatin pa asnjë humbje, “të pamposhturit”, plus Zlatan. Një madhështi që nuk u bë kurrë realitet…
Must Read