27,12,2024

Thaçi: Dështimi i Demarkacionit rrezikon liberalizimin dhe të ardhmen evropiane

Must Read

Hashim Thaçi ka kërkuar nga Kuvendi dhe spektri politik që të përmbyllin sa më shpejt çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që Komisioni Evropian të mos e rishikojë rekomandimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës, ka folur dhe për dialogun me Serbinë dhe dekriminalizimin e skenës politike në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti President, që nga intervista e fundit për programin tonë, jo shumë kohë më parë, ju i patët adresuar një mesazh Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit më Malin e Zi. Kjo ende nuk ka ndodhur. Pse ka një zvarritje të tillë?

Hashim Thaçi: Besoj se janë zhvilluar biseda të rëndësishme mes spektrit politik. Një dialog që vitin e fundit ka munduar. Tash në fillim të muajit gusht do të ketë edhe një debat që do të jetë me rëndësi edhe për procesin e ratifikimit të çështjes së Demarkacionit.

Kështu që, sot është krijuar një ambient më i përshtatshëm, më shpresëdhënës dhe optimist se Demarkacioni nuk do të politizohet, por do të kuptohet dhe do të kemi një qëndrim të gjithë spektrit politik në interes të shtetit dhe jo politikave ditore.

Prandaj edhe sot mesazhi im për gjithë spektrin politik është që të debatohet, të nxirren konkluzionet e drejta dhe të votohet, në mënyrë që kjo çështje të përmbyllet njëherë e përgjithmonë.

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi nënkupton konsolidim dhe forcim të mëtutjeshëm të shtetit tonë, por edhe perspektivë të sigurt euro-atlantike. Çdo vonesë, apo dështim, larg qoftë i ratifikimit, do të nënkuptonte pasoja të rënda për të ardhmen evropiane dhe euro-atlantike për Republikën e Kosovës.

Këto pasoja mund të ishin rrezikimi i procesit të liberalizimit të vizave, por edhe rreziku tjetër që mund të ndodhë, që Komisioni Evropian, ta tërheq madje edhe rekomandimin për liberalizimin e vizave.

Radio Evropa e Lirë: Më 3 gusht është caktuar një debat, tryezë e rrumbullakët, ku Kuvendi dhe shoqëria civile do të diskutojnë pikërisht për Demarkacionin. Sa prisni që në këtë debat të buron, kushtimisht thënë, zgjidhja e nyjës që është krijuar lidhur me këtë marrëveshje?

Hashim Thaçi: Për fat të keq, për shkak të dhunës politike në kuvend dhe jashtë tij, nuk është lejuar që të ketë debat, edhe pse kemi qenë të gjithë të etur që t’i informojmë qytetarët e vendit për Marrëveshjen e Demarkacionit. Ajo është një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme, profesionale dhe në interes të dy vendeve dhe të paqes e stabilitetit në gjithë rajonin.

Debati që do të zhvillohet është i mirëseardhur, por duhet kuptuar se debati është edhe çështje e diskutimeve interpretuese, në kuptimin edhe politik, por nganjëherë edhe të kauzave të adresave të caktuara politike. Por, unë dua të besoj që ku debat do të ndihmoj që të kemi një vetëdijesim edhe më të lartë që çështjet të adresohen në interes të shtetit dhe jo të kauzave të paqëndrueshme politike.

Dialogu me Serbinë të përmbyllet me marrëveshje pajtimi

Radio Evropa e Lirë: Sa jeni i gatshëm ju, si president i vendit, të ushtroni rolin unifikues nëse paraqitet nevoja dhe t’i mblidhni partitë politike në debat?

Hashim Thaçi: Unë çdo herë, por edhe sot e nesër, do ta ftoj spektrin politik që të punoj bashkërisht për agjendën shtetërore. Dua të shpresoj në vullnetin e shumicës së spektrit politik se e duan zbatimin e kësaj agjende të përbashkët shtetërore, qoftë pozitë apo opozitë. Dua që edhe më 3 gusht të shoh një diskutim më optimist për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe jam i bindur se nëse jemi bashkë do të arrijmë suksese edhe më të mëdha, siç kemi arritur edhe në të kaluarën.

Ftoj të gjithë që t’i lënë interesat e politikës ditore apo partiake dhe të vihen në shërbim të agjendës dhe interesave shtetërore dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të kalojmë edhe te një çështje tjetër. Në vazhdimësi është folur këto vitet e fundit për dialogun me Serbinë. Megjithatë, disa çështje kanë mbetur në zbatim e sipër. Ndër to, është edhe ajo e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ku qëndrojnë problemet, pse nuk formohet ky Asociacion?

Hashim Thaçi: Ka pasur debate jo të lehta edhe sa i përket çështjes së Asociacionit. Debate këto që duhet të respektohen, por të njëjtën kohë e kemi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila ka dhënë opinionin e vet sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Institucionet e Kosovës e kanë për obligim që ta respektojnë në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kështu që unë dua të besoj që edhe Qeveria e Kosovës në të ardhmen e afërt do ta bëjë publike formimin e ekipit menaxhues për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili nuk do të ketë karakter as legjislativ dhe as ekzekutiv, por do të jetë në përputhshmëri me qeverisjen lokale të standardeve evropiane.

Prandaj, duke e themeluar ne atë ekip menaxhues dhe duke punuar për themelimin e këtij Asociacioni, të njëjtën kohë Serbia obligohet për zbatimin e tri çështjeve që kanë mbetur pezull në kuadër të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, sa i përket qarkullimit të lirë mbi Urën e Ibrit, sektorit të energjisë dhe çështjeve tjera.

Radio Evropa e Lirë: Kryesisht negociatat politike, deri më tani, janë zhvilluar në nivele të kryeministrave. A do të ketë edhe nivele tjera të bisedimeve me Beogradin, përkatësisht a do të ketë takime në nivele presidentësh?

Hashim Thaçi: Tani duhet të koncentrohemi me gjithë potencialin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Mendoj se duhet të shkojmë në një rrafsh me të gjerë të dialogut, sepse nuk mund të vazhdojmë deri në pafundësi me një dialog të çështjeve teknike.

Prandaj, unë jam në favor të një angazhimi të fuqishëm politik, me një rol udhëheqës të Bashkimit Evropian dhe rol mbështetës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një kornizë më të gjerë të dialogut politik që do të nënkuptonte fqinjësi të mirë mes Kosovës dhe Serbisë, pajtim mes shteteve dhe kombeve tona, por edhe një bashkëpunim në frymën evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Ku e shihni finalen e këtij dialogu. Në arritjen e një marrëveshjeje për normalizim të marrëdhënieve?

Hashim Thaçi: Vlerësoj se do të ishte në interes që të punohet edhe më tutje drejt arritjes së një marrëveshje të madhe politike që do të nënkuptonte pajtimin dhe bashkëpunimin mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe kjo do të ndodhë herët a vonë.

Kuvendi i ardhshëm pastrohet nga njerëz me akuza për krim e korrupsion

Radio Evropa e Lirë: Kohëve të fundit ju kemi dëgjuar të flisni edhe në lidhje me dekriminalizimin e skenës politike në Kosovë. Mund ta shtjelloni pak më hollësisht, çka do të nënkuptonte një dekriminalizim i kësaj skene politike?

Hashim Thaçi: Ne kemi vërejtur disa mangësi, zbrazësi në Ligjin Penal të Republikës së Kosovës. Kam iniciuar ndryshimin e këtij ligji, në kuadër të angazhimeve dhe konsultave të vazhdueshme që kemi me qeverinë dhe pastaj duhet të kalojnë edhe në kuvend. Mendoj se tani duhet të jemi të vendosur, çka vetëm se kemi filluar, është puna e jonë e përbashkët për dekriminalizimin e plotë të skenës politike.

Dua të theksoj që Kosova po zhvillon një luftë të drejtpërdrejtë, të ashpër, në të gjitha nivelet, kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve. Gjithashtu dua të potencoj që Kosova ka arritur suksese të konsiderueshme, që janë vlerësuar edhe nga Bashkimi Evropian në rastin e rekomandimit për liberalizim të vizave sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Deri më tani kemi pasur largimin e disa deputetëve nga Kuvendi. Kemi pasur edhe largimin e ministrave të caktuar që ishin me aktakuza. Ajo që është jashtëzakonisht me rëndësi është se ne tani kemi një qëndrim shumë të qartë se askush me akuza për çështje të tilla, nuk do të mund të jetë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ky është mendimi dhe qëndrimi im. Mendoj se ky është qëndrim i përbashkët edhe i bartësve të institucioneve të Kosovës. Mendoj se duhet të kemi edhe një kod të spektrit politik që edhe me rastin e zgjedhjeve lokale apo të përgjithshme, asnjë i akuzuar të mos jetë pjesë e listave zgjedhore, në mënyrë që të kemi një kuvend me njerëz kredibil. Po ashtu edhe bartës të institucioneve, por edhe në qeveri dhe nivele lokale të kemi njerëz të përgjegjshëm, kredibil, të pastër dhe njerëz që i shërbejnë qytetarit dhe vetëm qytetarit.

Radio Evropa e Lirë: Ndonëse bie mbi organet e drejtësisë, megjithatë, cili është mesazhi i juaj në lidhje me disa zyrtarë qoftë në nivelin qendror apo lokal, të cilët ose janë në procedura gjyqësore ose kanë marrë verdiktin e gjykatave dhe vazhdojnë punën?

Hashim Thaçi: Ta them të drejtën nuk di që ka nga bartësit e institucioneve dikush që ka akuza dhe qëndron aty. Por, mendoj që është edhe përgjegjësi e vet spektrit politik dhe partive politike që njerëz me akuza të mos jenë pjesë e institucioneve. Diçka të tillë nuk do të lejojmë.

Radio Evropa e Lirë: Krejt në fund, Zoti President. Marrë parasysh përplasjet në lidhje me Demarkacionit, a po krijohet një krizë në Kosovë dhe sa do të jeni ju i gatshëm që në rast të bllokadës institucionale të merrni hapin tjetër dhe të qoni vendin drejt zgjedhjeve?

Hashim Thaçi: Unë edhe sot ftoj që spektri politik të ulet dhe të bisedojë dhe të gjitha çështjet që janë dalluese t’i tejkaloj në një dialog të brendshëm. Nuk mendoj se ka çështje të patejkalueshme nëse ndodh komunikimi mes spektrit politik.

Kosova sot është ndryshe, nuk është ajo e para gjashtë muajve. Sot, secili me secilin komunikon dhe debaton për gjërat që janë në interes të vendit. Mendoj se kjo është mirë.

Prandaj, ballafaqimi me sfidat e ardhshme që do t’i kemi në të ardhmen e afërt, mendoj se janë sfida që do të na bashkojnë dhe jo të na ndajnë. Por, Kosova është stabile, është me institucione funksionale dhe efektive.

Natyrisht që gjithmonë ka hapësirë për të bërë më tepër dhe nuk shoh që do të mund të kemi rikthim të krizës. Nuk ka arsye, argumente dhe as një mundësi për krijimin e rrethanave për një krizë politike apo qytetare në Kosovë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img