Ferizaj

Temperaturat e larta dhe ndikimi tek pacientët me diabet


Publikuar më:


Këshilla mjekësore nga Dr. Fatbardh Ramadani

Në ditët me temperatura të larta që po mbretërojnë në vendin tonë ,paraqitet rrezik i shtuar për persona që vuajnë nga grupe të caktuara të sëmundjeve ,sidomos nga diabeti mellitus-sëmundja e sheqerit. Gjatë periudhës me temperatura të larta paraqitet humbje e lëngjeve trupore, për shkak të djersitjeve profuze kontinuele që ndodhin për shkak të zgjerimit të enëve të gjakut të trupit.

 Te diabetikët dehidrimi manifestohet me: tharje të mukozës së gojës, çarje të buzëve, lodhjes, plogështisë, marramendjes, temperaturës së lartë trupore, e deri tek rënia e vlerave të sheqerit në gjak e cila njihet si hipoglikemi.

Te diabetikët këto manifestime mund të jenë të dëmshme, sepse humbja e lëngjeve trupore-dehidrimi mund ta kërcënoj organizmin seriozisht dhe mund të jetë bazë për paraqitjen e humbjes se vetëdijes dhe komës.

Kur temperaturave të larta i shtojmë edhe aktivitetin e shtuar fizik gjatë ditëve të verës, kjo mund të ndikoj edhe më shumë në uljen e nivelit të sheqerit në gjak –hipoglikemisë.

 Kështu që vetëkontrolli i sheqerit dhe marrja e masave adekuate për parandalim e cila nënkupton rregullimin e dozave terapeutike të antidiabetikëve oral, terapisë insulinike si dhe marrjes adekuate të shujtave ditore ushqimore 5 deri 6 herë në ditë.

Pacientët me diabet duhet patjetër që të konsumojnë ujë mbi 2 litra në ditë por edhe lëngje të tjera si supa, çaj pa sheqer me qëllim të kompensimit të lëngjeve trupore dhe prevenimit të dehidrimit.

Pacientëve me diabet u rekomandohet të marrin ushqim deri 6 herë në ditë dhe atë: 3 shujta ushqimore të mëdha dhe 3 të vogla. Këto ushqime duhet të përbëhen nga fibra dietetike, perime të gjelbërta, drithëra integrale.

Ndërsa materiet ushqimore të cilat përmbajnë yndyra dhe amidon duhet të largohen nga përdorimi ditor.

Pacientët me diabet gjatë ditëve të verës lëvizin shumë dhe shpesh, kështu që mundësia për lëndime të hapura të shputave të këmbëve është e shtuar, lëndim ky i cili mund të ketë për pasojë edhe mundësinë e paraqitjes së infeksioneve -shputës diabetike.

Pacientëve me diabet u rekomandohet të mos ecin zbathur për të parandaluar këto rreziqe. E rëndësishme është parandalimi i djersitjeve të shputave e cila gjithashtu mund ti paraprijë ndonjë infeksioni.

Përdorimi i pudrave të ndryshme mund të parandalojë djersitjet e tepërta.

 E rëndësishme është që te pacientët me diabet gjatë verës kur temperaturat janë të larta, mund të lajmërohen edemat ose ënjtjet e këmbëve. Këtë mund ta parandalojmë ashtu që pacienti të shtrihet dhe ekstremitetet e poshtme(këmbët) lehtë ti ketë të ngritura.

Pacientët që në këto momente ndodhen në bregdet u rekomandohet të përdorin preparate UV për aplikim në lëkurë për mbrojtje nga Dielli, të mos ecin zbathur në rërë e cila është me temperaturë të lartë sepse shputat do ti nënshtrohen djegies, e kjo mund të ketë pasoja katastrofale dhe mund të qoj deri në zhvillimin e shputës diabetike .Përdorni syze të Diellit gjatë ditës.

 Vlen parimi se nga ora 11-17 të qëndrojnë në apartamentet e tyre në temperaturë optimale. Nëse pacientët me diabet vërejnë shenjat e ndikimit të temperaturave të larta në trupin e tyre duhet patjetër të vendosen në hapësira me temperaturë të ulëta ,të bëjnë dush me ujë të vakët dhe të konsumojnë sasi të madhe të ujit.

Ndalohet rreptësisht qëndrimi jashtë në diell nga ora 10-17, pra aktiviteti fizik i propozuar për diabetikët të kryhet para orës 11 dhe pas orës 17.

 E rëndësishme është veshmbathja të jetë me rroba që kanë ngjyra të çelura. Sepse këto ngjyra absorbojnë më pak nga rrezet e Diellit.

Temperaturat e larta atmosferike në ambientin e jashtëm ndikojnë edhe në efikasitetin e terapisë sidomos asaj insulinike.

 Pacientët që e marrin terapinë insulinike duhet me kujdes ta ruajnë insulinën dhe me kujdes ta marrin atë.

 Insulina ruhet në temperaturë të ulët në frigorifer dhe para aplikimit në trup duhet patjetër të nxehet deri në temperaturë trupore. Keqësimi i gjendjes së pacientëve me diabet kërkon ndihmën e Endokrinologut.

To Top