‘Telenovela’ SBASHK – MASHT: S’ka fund të lumtur
Autori: Lajmi.net Lajme, Nacionale22:10, 17 April 2019
‘Telenovela’ e orëve të humbura gjatë grevës dhe kompensimit të tyre po vazhdon ende.
Ministria e Arsimit javë më parë nëpërmjet një vendimi ka obliguar mësimdhënësit që t’i kompensojnë orët e humbura gjatë grevës, vendim ky i refuzuar kategorikisht nga SBASHK-u.
Madje, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës lëndën për kompensimin e orëve e dërguan edhe në Gjykatë, nga e cila nuk kanë marrë ende ndonjë verdikt, shkruan lajmi.net.
MASHT-i e SBASHK-u patën edhe një takim javën e kaluar ku Sindikata e Arsimit prezantoi kushtin e ri për kompensim të orëve – barazimi i koeficientit të mësimdhënësve të ciklit klasor me ata të ciklit lëndor.
Ndërsa dje, Ministria e Arsimit tha se vendimi për kompensim të orëve do të qëndrojë dhe orët duhet të kompensohen gjithsesi.
E shefi i SBASHK-ut, Rrahman Jashari në një prononcim për lajmi.net është shprehur se ky vendim nuk do të realizohet qysh nuk është realizuar as herën e parë.
“Ministri doli me vendim të prerë edhe herën e kaluar por nuk u realizua sepse ne kemi konsideruar se nuk mbështetet në ligj. Pra as në të shtunat e as në pushimin pranveror nuk u realizua vendimi i tij për kompensim të orëve”, tha Jashari.
Jashari gjithashtu tha se një vendim i tillë e ka humbur vlerën SBASHK-u e kundërshton për arsye se Ligji për Grevistët nuk i obligon këta të fundit me zëvendësim të orëve.
“Një vendim i tillë e ka humbur vlerën tani dhe ministri po insiston që një vendim i tillë të mbetet në fuqi, gjë që nuk është e mundur sepse ne jemi kundër. Ne jemi kundër sepse ligji për grevat nuk obligon grevistët që orët e humbura në grevë t’i kompensojmë”, tha Jashari.
Gjithashtu, Jashari tha se nëse nuk plotësohet kërkesa për barazim të koeficienteve, nuk do të ketë kompensim të orëve.
“Dhe ne bëmë një hap tutje në takimin që patëm me ministrin Bytyqi dhe me zëvendësministrin Geci, dhe thamë që nëse mblidhen nënshkrimet që koeficienti i mësimdhënësve të ciklit klasor të barazohet me ata të ciklit lëndor, po ashtu edhe psikologëve dhe pedagogëve ne do të bëjmë të pamundurën që t’i bindim mësimdhënësit që për hir të mbështetjes së këtyre kolegëve do ta mbajmë një javë më shumë pas vitit shkollor, nëse kjo nuk ndodh nuk do të ketë kompensim të orëve”, tha Jashari.
E krejt në fund, i pyetur për vendimin e Gjykatës, ai tha se SBASHK-u e pranon çdo vendim që del nga Gjykata dhe ka porositur që kjo lëndë të jetë me prioritet.
“Do të ishte mirë që duke e parë këtë situatë të krijuar, Gjykata ta ketë lëndë me prioritet këtë lëndë dhe të sjellin një verdikt të merituar që ne do t’i bindemi, por në punën e gjykatës nuk kemi ndikim dhe kurdo që gjykata e sjell do ta respektojmë”, tha Jashari.
Greva e mësimdhënësve erdhi si pasojë e mosplotësimit të kërkesave të mësimdhënësve për rritje të koeficientit gjë që ndodhi pas 3 javësh grevë.
Por, kjo rritje u përcoll me pakënaqësi nga mësimdhënësit e ciklit klasor të cilët kërkuan që koeficienti i tyre të barazohet me kolegët e tyre të ciklit lëndor.
Në takimin e javës së kaluar, edhe nga Ministria e Arsimit u konfirmua një gjë e tillë dhe ata u zotuan se do të punojnë në këtë drejtim. /N.S/Lajmi.net/