62 lule, 7 drunj dekorativ dhe 1 dru ulliri u mbollën sot në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Ferizaj.
Kjo iniciativë erdhi nga Sektori i të Rinjve të Ferizajt, të cilët treguan se çka simbolizojnë ato që i mbollën sot.
“62 lulet e ndryshme simbolizojnë 62 dëshmorët e kombit tonë, kurse 7 drunjtë simblizojnë 7 zonat operative të UÇK-së , kurse ulliri është amaneti i Skënderbeut i cili ka thënë që çdo shtëpi ta ketë një ulli sepse ulliri është një bimë shumë e fortë me jetëgjatësi 5 mijë vjet, prandaj kemi vendos me mbjellë këtu që ne t’i përkujtojmë gjithmonë dëshmorët e kombit tonë”, tha Alda Haxhisalihu.
Ky veprim i të rinjve ferizajas u mirëprit nga përfaqësues të familjeve të dëshmorëve në këtë qytet.
“Është një thënie e vjetër, ” Sa është i kulturuar një popull varet se çfarë qasje ka për varrezat”, kështu Ferizaj është shembull për trajtim, kujdes, mirëmbajtje të varrezave të dëshmorëve. Unë si babë i dëshmorit dhe kryetar i shoqatës me 62 dëshmorë këtu të varrosur, ky kujdes më emocionon shumë”, tha Gafurr Bytyq, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj.
Ngjashëm shprehet edhe veterani Nexhat Shahini, i cili është sekretar i Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së në Ferizaj.
“Sa herë kur vijë këtu dhe shoh aktivitete të ngjashme si ky i sotmi më ngjallen emocione të veçanta pasi që edhe tek trashëgimtarët tonë po mbjellet një dashuri për ata që bënë dhe dhanë jetën për liri. Sado që ky aktivitet është i vogël e ka vlerën e vet për shkak se vihet në konsideratë moslënia anash e këtyre varrezave, pasi që vërtet duhet të konsiderohet një vend i shenjtë, unë i përgëzoj të rinjtë që kanë marrë këtë iniciativë duke i mbjellur drunjtë e lulet, por edhe ullirin që urojmë ta ketë fatin të qëndrojë, pasi simbolizon jetën”, tha Shahini.
Përveç kësaj, këta të rinj u përkujdesën edhe për pastrimin e hapësirës së Kompleksit të Varrezave të Dëshmorëve, trasnmeton Televizioni Tema.