20,11,2024

Sulmohet me mjete shpërthyese Kuvendi i Kosovës

Must Read

Kuvendi i Kosovës është sulmuar me mjet shpërthyes nga distanca, të enjten në mbrëmje rreth orës 23.00, i tha Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës,Daut Hoxha.

Ai tha se nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e Kuvendit por nuk ka pasoja në njerëz.

“Policia e Kosovës me njësitet relevante të saj menjëherë ka reaguar në lokacion dhe veprime intensive operative dhe hetimore janë duke u kryer për të identifikuar të dyshuarit e involvuar në këtë rast”, tha Hoxha.

Policia e Kosovës tha se në një pjesë të qytetit të Prishtinës, jo larg nga vendi sulmit është gjetur një motoçiklete që po digjej, pak kohë pas shpërthimeve.

Policia nuk e përjashtoi mundësinë e përdorimit të saj nga persona të përfshirë në shpërthim, megjithëse tha se ende po bëhen hetime.

Burime zyrtare i thanë Radios Evropa e Lirë, se sulmi u bë me mortajë dore, në lëvizje me motoçikletë nga dy persona, të cilët braktisën mjetin transportues duke e djegur dhe ikën në këmbë në drejtim të panjohur.

Motivet e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendi të Kosovës nuk dihen ende, po aq sa edhe autorët e tij.

Shpërthimi ndodhi në kohën kur kishte lëvizje të qytetarëve në shëtitoren e qytetit të Prishtinës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti në opozitë, në reagimin e saj duke dënuar sulmin e ka cilësuar “si sulm mbi shtetin, mbi demokracinë dhe mbi të gjithë qytetarët e Kosovës”

“Kushdo që qëndron prapa këtij shpërthimi apo sulmi, çfarëdo që të jetë ai, është kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj” thuhet në një deklaratë të AAK-së e cila kërkon kapjen e autorëve të sulmit dhe nxjerrjen përpara drejtësisë.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës u sulmua para jo më shumë se gjashtë muajsh me koktej molotovi, dhe as atëherë nuk u zbuluan motivet dhe as autorët e sulmit.

Sulmi në ndërtesën e Kuvendit erdhi në kohën e krizës më të thellë politike në Kosovë, pas një periudhe disa mujore të kundërshtimeve të ligjvënësve nga opozita ndaj marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Të enjten qeveria e Kosovës dërgoi në Kuvend projekt ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion, pas një debati shume orësh shkencor-profesional të organizuar në Kuvend me pjesëmarrjen edhe të ekspertëve dhe shoqërisë civile.

Nisja në Kuvend e projekt ligjit ngjalli reagimin e serishëm të opozitës e cila kërkoi që të mos futej në votim i njëjti. Megjithëkëtë vlerësohet se marrëveshja për demarkacion mund të votohet në Kuvend brenda pak ditësh.

Marrëveshja për demarkacion u shndërrua në kushtin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, pas rekomandimit për mundësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve nga Kosova në vendet e BE-së./REL

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img