Gjatë ditës së sotme, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi-Bytyçi ka mbledhur anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa për diskutuar shumë pika të rendit të ditës.
Komiteti për politikë e Financa u mblodh sot për të diskutuar disa pika të rendit të ditës të cila do të diskutohen në mbledhjen e Kuvendit të komunës së Ferizajt. Një interes më të veçante mes anëtarëve të Komitetit e zgjoi pika ku një parcelë tek rrethi për në fshatrat Nerodime e Pleshinë ku po kërkohet për shpallje të interesit të përgjithshëm pasi që aty ka nevojë për zgjerim të rrethrrotullimit dhe për ndërtimin e një parku me hapësira gjelbëruese.
Drejtori për Pronë Gjeodezi dhe Kadastër Sabri Murseli sqaroi se është arritur një pajtueshmëri me shoqatën e Pensionistëve për rrënimin e objektit ku ata e zhvillojnë veprimtarinë dhe me përfaqësuesit e lokaleve në atë pjesë që komuna të kujdeset për akomodimin e tyre.
Ndërsa nga të pranishmit pati kundërshtime dhe kërkim të sqarimeve shtesë se si do të zhvillohen procedurat më tutje.
Ndërsa gjatë punimeve në takimin e Komitetit për Politikë e Financa pati edhe diskutime të tjera lidhur me një raportin e Komisionit për emërtimin e rrugëve dhe shesheve në Ferizaj. Faik Selmani kryetar i komisionit për emërtimin e rrugëve ka njoftuar se mandati i këtij komisioni ka kaluar dje, ndërsa ka kërkuar nga anëtarët e Kuvendit që t’i vazhdohet mandati për punë këtij komisioni edhe pak muaj në mënyrë që të përfundohet ky proces ngase është stërzgjatur nga lëshimet dhe ankesat e shumta.
Kërkesën për vazhdim të mandatit e ka përkrahur edhe Drejtori për Urbanizëm dhe Mjedis, Lulzim Aliu duke treguar se mos përfundimi i këtij procesi ka sjellur mjaft sfida.
Në mbledhjen e Kuvendit të komunës së Ferizajt e cila do të mbahet javën e ardhshme me 30 korrik do të ketë edhe pika të tjera që kanë të bëjnë me shpalljen në interes të përgjithshëm të disa ngastrave tjera kadastrale. Ndërsa do të ketë diskutime edhe për raportin e auditorit të përgjithshëm i cili ka vlerësuar punën e komunës së Ferizajt për vitin 2018 dhe këto ditë ka publikuar këtë raport.