25,04,2024

Shkollat profesionale mundësi e mirë për punësim

Must Read

Me gjithë mundësitë e mira që ofrojnë shkollat profesionale në Ferizaj, ato nuk pëlqehen fort nga nxënësit e këtushëm.

Për çdo vit shkolla e Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Zenel Hajdini dhe shkolla e mesme teknike “Pjetër Bogdani” regjistrojnë numër të vogël të nxënësve, për shkak të interesimit të ulët të nxënësve për të vazhduar shkollimin e mesëm aty.

Abdullah Imeri, drejtor i shkollës së mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë, tregon se çdo vit i vizitojnë shkollat fillore të Ferizajt në mënyrë që t’i njoftojnë nxënësit për drejtimet që i ofron kjo shkollë.

“Si shkollë i kemi gati të gjitha kushtet që të përgatisim një nxënës për treg të punës. Në shkollë i kemi nëntë kabinete, nëntë punëtori ku kryhet pjesa më e madhe e punës praktike, ndërsa pjesa tjetër kryhet me bizneset. Ne i kemi diku 80 kontrata me biznese të Ferizajt. Pavarësisht se a e duam apo nuk e duam një profesion është shkolla që sipas statistikave që i kemi, më së paku kemi nxënës që i qesim rrugëve. Nxënësit tanë janë kryesisht të punësuar, nuk është për me u injoru që një nxënës pas shkollës së mesme e siguron një vend të punës në kohën kur të gjithë ankohen se nuk ka punë”, tha Abdullah Imeri, drejtor i shkollës së mesme “Zenel Hajdini”.

Edhe Isuf Çalaj, Drejtor i Shkollës së Mesme Teknike “Pjetër Bogdani” tregon se çalojnë në numrin e nxënësve, e që sipas tij po mungon vetëdijësimi i nxënësve rreth përgatitjes që ofron kjo shkollë për tregun e punës por edhe për studime të mëtejme.

Pjesa bazike e praktikës profesionale kryhet në bazat prodhuese të shkollës ku nxënësit tanë bukur mirë përgatiten për tregun e punës. Shpesh na ka rënë të dëgjojmë nga kompanitë që nxënësit e shkollave profesionale nuk janë shumë të përgatitur. Problemi është që është numri shumë i vogël dhe nuk mund ta mbulojnë krejt industrinë e Ferizajt. Vetëm ndërtimtaria ku në çdo tri vite i kemi nga 15 nxënës, e me ndërtimtarinë sot në Ferizaj këta 15 nxënës nuk mund ta mbulojnë tregun e Ferizajt në këtë lëmi, prandaj kompanitë detyrohen të kenë nxënës të drejtimeve të ndryshme. Ne i vizitojmë kompanitë dhe i marrim shënimet për nxënësit tanë që e kanë kry shkollimin e mesëm. Mbi 70-90% të nxënësve që kryejnë profilet në ngrohje, klimatizim, saldim, instalues elektrik, auto mekanik, janë nxënës të cilët të gjithë punojnë, pjesa dërmuese janë sipërmarrës që i kanë hapur kompanitë e veta”, tha Isuf Çalaj, drejtor i shkollës teknike “Pjetër Bogdani”.

Për dallim nga shkolla Teknike dhe ajo e Agrobiznesit, interesim më të madh të nxënësve për regjistrim ka në Qendrën e Kompetencës në Ferizaj.

Drejtori i kësaj qendre Bashkim Hyseni, tregon se pavarësisht kërkesave të mëdha kjo qendër e ka numrin e kufizuar të nxënësve për regjistrim, ku mund t’i marrin vetëm 140 deri në 150 në vit.

“Ofron mundësi shumë të mira për të gjithë nxënësit për shkak se është shumë e pajisur. Ka asete të jashtëzakonshme brenda shkollës sa i përket pajisjeve, kabineteve. Çdo profil dhe çdo drejtim shëndetësor nxënësit kanë mundësi të bëjnë përgatitjet e duhura kabinetike. Kemi bashkëpunim me të gjitha organizatat dhe kompanitë që ofrojnë shërbimet që i kemi ne dhe bëjnë mësimin praktik“, u shpreh Bashkim Hyseni, drejtor i Qendrës së Kompetencës.

Edhe nxënësit e këtyre shkollave japin përvojën e tyre dhe prespektivën sa u përket shkollave profesionale.

“Zakonisht brenda në laborator i përgatisim format farmaceutike që na nevojiten edhe në barnatore. Ne mundemi me punu edhe në industri farmaceutike ku na duhet me e ditë se si krijohen barnat”, tha Ema Zejnullahu, nxënëse në Qendrën e Kompetencës.

 “Përgatitemi për konstruktim, patrona,  por edhe qepjen e mësojmë këtu. Kemi kabinetin ku praktikën e vijojmë në shkollë, por edhe tek dizajnerë të ndryshëm”, theksoi Verda Dushkaja, nxënëse në drejtimin dizajn i modës në shkollën “Zenel Hajdini”.

“Kemi përgatitje të qëndrueshme, edhe praktikën e bëjmë në laboratorin e mekatronikës “, tha Elton Ivaja nxënës i mekatronikës në shkollën “Pjetër Bogdani”.

Përveç këtyre shkollave, Ferizaj ka edhe Gjimnazin e Shkencave Natyrore  dhe atë Gjuhësore, shkollën e mesme të Mjeksisë, atë të Muzikës dhe Ekonomisë, transmeton Televizioni Tema.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Dr Fitim Goga, emërohet UD i Drejtorit Mjekësor të Spitalit të Ferizajt

Ditë më parë, Dr Fitim Goga, është emëruar UD i Drejtorit të Spitalit të Ferizajt. Emërimi i tij lidhet me...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img