Serbët e fshatit Grackë kanë refuzuar ta presin e të takohen me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e vizitës së tij të papritur në vendin e tyre, të mërkurën.
Kryetari i katundit në fjalë, Zoran Qirkoviq ka thënë se një këshilltar i Thaçit ka tentuar mbrëmë, rreth dy orë, të bind atë dhe banorët e tjerë ta presin mysfirin, kur ai të vinte këtu, një ditë më vonë.
“Familjet, bashkë me mua, refuzuan ta pranojnë Thaçin dhe bashkëpunëtorët e tij. I thamë se nuk është momenti dhe se derisa të mos gjenden urdhërdhënësit dhe përgjegjësit për krimin më të madh ndaj serbëve në Kosmet, Thaci nuk është i mirëseardhur në Staro Gracko”, ka thënë ai, raportojnë mediet serbe, transmeton Klan Kosova.
Sipas fjalëve të tij, tentimi i Thaçit për të ndezur qirinj vetëm sa ka shqetësuar edhe më tepër 200 serbët e mbetur në këtë fshat.
Edhe banorë tjerë, siç raportojnë mediet serbe, kanë thënë se nuk e kanë mirëpritur ardhjen në Grackë të presidentit të Kosovës.
“Ardhja e Thaçit ishte hedhje e kripës në një plagë të freskët”, ka thënë Sonaj Zhiviq, për Blic.
Kryetari i fshatit, Qirkoviq ka thënë që Thaçi ka qëndruar edhe më herët në Grackë.
“Mbrëmë e morëm informatën se Thaçi, natën pasi ka ndodhur krimi, kur janë vrarë 14 korrës, ka qëndruar në fshatin tonë, në shoqërinë e shefit të atëhershëm të UNMIK-ut, Bernard Kushner”, ka thënë ai.
Mediet raportojnë se deri në vitit 1999, në këtë fshat kanë jetuar rreth 500 serbë, ndërsa tash kanë mbetur afër 200, në 40 familje.
Më i riu nga 14 viktimat e krimit të 23 korrikut, ishte 17 vjeç.