Tërbimi është një prej sëmundjeve infektive më të rrezikshme për kafshët dhe njeriun. Shkaktari është një virus i familjes Rhabdoviridae i cili si burim kryesor ka kafshët e egra, veçanërisht dhelprat.
Infeksioni nga kafshët e egra mund të kalojë edhe tek qentë endacak dhe në këtë mënyrë të kalojë tek qentë shtëpiak dhe nga këta tek njerëzit. Kjo sëmundje nuk ka mjekim por fatmirësisht ekziston vaksina e cila mbron kafshët nga kjo sëmundje dhe në këtë mënyrë bëhet më e sigurt edhe bashkëjetesa mes kafshëve dhe njeriut.
Prandaj për ta parandaluar përhapjen e kësaj sëmundje dhe për të mbrojtur shëndetin e qenve dhe njerëzve, Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë edhe sivjet do të bëjë vaksinimin e qenve me pronar kundër sëmundjes së Tërbimit. Ky projekt do të realizohet nga veteriner të licencuar në çdo fshat dhe lagje në orare të caktuara për të cilat do të njoftoheni paraprakisht me anë të njoftimeve.
VAKSINIMI FILLON TË SHTUNËN ME DATË 16.05.2020
Vëmendje: Për shkak që ndodhemi në një gjendje pandemie, luten të gjithë qytetarët që do të paraqiten për vaksinimin e qenve të respektojnë masat mbrojtëse siç janë mbajtja e distancës sociale dhe përdorimi i dorezave dhe maskës.