Policia e Kosovës ka dalë me raportin zyrtar të aktit makabër që ndodhi mbrëmë në Gllogjan të Deçanit.
Në raportin 24-orësh, policia ka thënë se rasti saktësisht ka ndodhur në orën 18:58, shkruan lajmi.net.
Sipas raportit, dyshohet se autobusi është sulmuar me kallashnikov(AK-47) nga një i dyshuar që ende është i panjohur për policinë.
Siç bën të ditur policia, dy nxënësit kanë vdekur pasi që janë dërguar në Spitalin e Pejës.
Raporti i plotë:
Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore.