05,05,2024

Qytetarët grumbullojnë rezerva ushqimore

Must Read

Pas panikut që është krijuar nga Koronavirusi, edhe qytetarët  e Ferizajt sot ia kishin mësyer me të madhe marketeve.

Shportat e tyre kryesisht ishin të mbushura me miell, vaj dhe sheqer. Ata thanë se pasi ky virus është shpallur pandemi globale, dëshirojnë t’i kenë rezervë në shtëpitë e tyre produktet elementare. Qytetarët theksuan se raftet e marketeve kanë filluar të zbrazen dhe pikërisht atë çfarë e kërkuan më së shumti nuk e gjetën, si dezinfektues e mjete të tjera higjenike, transmeton Televizioni Tema.

“Unë besoj se nuk është për me u frikësu aq shumë, siç kemi dëgjuar e lexuar është pak si një grip i zakonshëm, por familja insiston që të kemi diçka më shumë afër vetës dhe po duhet”, tha Islam Berisha.

“Blerje e rëndomtë, për firmë jam duke marrë, por shoqja mbrëmë më tha që të marrim, por i thash që jo, nuk jam duke e besuar që mund të ketë diçka, por sot e pashë që populli është duke u frikësuar, çmimet ishin të njëjta. Nuk duhet të ketë panik, ndoshta ka qenë virusi tek ne po e kemi kaluar dhe nuk e kemi vërejtur.  Më porositën nga shtëpia që të blej dezinfektues, kërkova sot por nuk kishte, po edhe për produkte të tjera kishte mungesë nëpër rafte”, tha Xhabir Elezi.

“Është projekt amerikan me shitë mallin, në Kosovë asnjë nuk është i sëmurë, nuk jam duke marrë miell, se kemi miell të sa duash“, tha një tjetër qytetar.

Kurse, pronari i “Plus Marketit”, Sylejman Neziri, tha se këtë javë është rritur dukshëm numri i konsumatorëve. Ai njoftoi se në fillim të kësaj jave në depon e tij kishte mbi 50 ton miell, ndërsa sot i kanë mbetur vetëm edhe 10 ton.

“Që tri ditë është shtuar dukshëm numri i konsumatorëve, më së shumti marrin gjërat elementare, si çaj, sheqer, miell, kripë.  Miell janë duke marrë dukshëm më shumë, i kemi pasur 50 ton miell, nuk kanë mbetur as 10 ton, ne jemi duke u dhënë vetëm  75 kilogram apo tre thasë, e kam kufizu, pasi dikush ka mundësi të marrë 10 ton përnjëherë e dikush nuk ka mundësi, prandaj e kam bërë kështu”, tha Neziri.

Neziri thotë se nuk do t’i rrisë çmimet e artikujve, por nëse  rritet çmimi i importit atëherë do të jenë të detyruar të rrisin çmimet.

“Në “Plus Market” nuk janë rritur çmimet, janë të njëjta siç kanë qenë para 1 muaji, por nëse marrim artikullin e ri është diçka tjetër, ajo nuk varet nga ne”, tha Neziri.

Përveç në markete, dezinfektues dhe maska nuk po gjenden as në barnatore. Edhe në ato që gjenden çmimi i tyre është rritur për 100%.

“Për momentin nuk kemi, presim me na furnizu gjatë ditës, për momentin është mungesë, që dy javë është mungesë për shkak të çmimit, çmimi i maskave është shumë i lartë kanë qenë 10 cent e tani janë mbi 1 euro, ashtu edhe dezinfektues, por çmimi luan nga firma importuese, tani në këtë kohë dezinfektuesit janë nga 1.20 deri në 7 euro, më herë kanë qenë më lirë tani në këtë kohë janë shtrenjtuar”, tha farmacisti Shefki Maloku.

Këto ditë punën e kanë intensifikuar edhe inspektorët e tregut.

“Inspektorati i tregut është mobilizuar, edhe ne kemi bërë kontrollet e tona që na takojnë neve, kemi shiku çmimet nëse na përputhen me arkë, nuk vërehet ndonjë ngritje e lartë e çmimeve, ndonjë dukuri tjetër nuk kemi hasur. Në bazë të ligjeve që ne i zbatojmë ne kemi të bëjmë me ekonomi të lirë të tregut, çmimet variojnë, por konsumatori duhet të kërkoj aty ku është më lirë, ndërsa ne si inspektorë të tregut nuk kemi të drejtë të ndërhymë tek ngritja e çmimeve“, tha Besim Uruçi, inspektor.

Gjatë ditës së sotme Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi, në një konferencë të jashtëzakonshme, ka kërkuar nga qytetarët që të kontaktojnë Administratën Tatimore të Kosovës në rast se vërejnë ngritje të çmimeve nëpër markete dhe nëse një gjë e tillë vërtetohet dënimet do të jenë të pashmangshme./TV Tema

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Rinia e PDK-së me aksion simbolik: Qeveria Kurti po tenton ta përmbysë Ferizajn

Rinia Demokratike e Kosovës ka protestuar në Ferizaj, përmes një aksioni simbolik duke “peshkuar” në rrugën magjistrale, të përmbytur...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img