Kryetari i kësaj shoqate, Ramadan Memaj, thotë se përvec që këto produkte nuk janë duke u kontrolluar, po hyjnë në Kosovë edhe kundërligjshëm.
E arsyeja e zgjerimit të kallëzimit penal, sipas Memajt, është që vajrat bimor që po përzihen me produkte të qumështit, nuk kanë të drejt të hyjnë në Kosovë.
“Unë gjithmonë i kam quajt produkte ilegale, sepse nuk ka as ligj dhe as një udhëzim që i trajton këto produkte që hyjnë në Kosovë. Nuk ka standard, rregullore, kritere, e as certifikat që bazohen këto produkte që hyjnë në Kosovë”, thotë Memaj për lajmi.net.
Memaj thotë se kallëzimin penal e kanë zgjeruar para tri dite.
“E kemi plotësuar apo zgjeruar kallëzimin penal para tri dite, për munges të ligjit për këto prodhime ilegale”, thotë Memaj.
Memaj tregon se kanë hyrë miliona kilogram vaj palme, e vajra të tjerë bimor e që nuk u është bërë kontroll.
“Kanë hyrë miliona e miliona kilogram vajra që përdoren për të prodhuar djathëra, gjizë, ajkë etj, e që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk e ka asnjë mostër për kontrollin e këtyre produkteve për vitet që kanë shkuar”, thotë Memaj.
Shoqata e e Qumështarëve kishte bërë një kallëzim penal kundër Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës janarin e këtij viti, për shkak se po konsiderojnë se janë duke u dëmtuar prodhuesit vendor nga përdorimi i vajrave bimor, që po përdorën në prodhime të qumështit.
Shoqata e kishte dërguar kallëzimin penal në prokurori kundër Agjencisë së ushqimit dhe disa kompanive vendore që përdorin produkte me yndyrë bimore.
Ndryshe Autoritetit Europian për Sigurinë Ushqimore ( EFSA), në një hulumtim shkencor që e ka realizuar ka konstatuar se vaji i palmës shkatërron qelizat e pankreasit të cilat prodhojnë insulinë, e gjithashtu ka edhe elemente kancerogjene.
Disa shtete kanë marrë masa për këtë vaj, ndërsa Kosova ende nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.
Doktoresha Antigona Ukëhaxhaj nga Institutin Kombëtar për Shëndetin Publik të Kosovës, ka thënë para disa dite në media se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kurrë nuk ka kërkuar analiza që të vërtetohet sasia e vajrave nëpër produkte. Ajo kishte kërkuar ndarjen e yndyrërave shtazore nga ajo bimore për të vërtetuar se a ka apo jo prezencën e vajit të palmës, mirëpo, sipas saj, AUV asnjëherë nuk ka kërkuar një gjë të tillë./Lajmi.net/