Emocione të shumta, ligjërata cilësore, interesim i madh i të rinjve për të mësuar për efektet negative që japin substancat narkotike, përqafime të ngrohta, të gjitha ishin motivim për zonjën Arjeta Musliu dhe aktivitetet e zhvilluara nga Qendra “Këshillimi” në kuadër të muajit ndërkombëtarë për ndërgjegjësimin kundër substancave narkotike, shkruan Gazeta Metro.
Qendra “Këshillimi” e vetmja në rajon për këshillimin e personave të varur nga substancat narkotike, tash e sa muaj ka bërë jehonë në qytetin e Ferizajt, për punën dhe përkushtimin e madh për tu dalë në ndihmë të gjithë atyre të rinjve përdorues të substancave narkotike, që kanë trokitur në derë dhe kanë kërkuar përkrahje. Në këtë qendër përkrahje nuk kërkojnë vetëm të rinjtë e Ferizajt dhe qyteteve tjera të Kosovës, por ndihmë dhe përkrahje kanë kërkuar edhe shumë të rinj nga Maqedonia, Shqipëria, Presheva sepse qendra të tilla nuk kanë në vendet ku ata jetojnë.
E kjo qendër u krijua nga një nënë e cila humbi djalin e saj para një viti e gjysmë nga përdorimi i substancave narkotike, Arjeta Musliu me profesion psikologe vendosi që dhimbjen e saj ta kthejë në forcë dhe ta përmbush amanetin që i dha djalit të saj, se do ta themelojë një qendër të tillë, që tu dalë në ndihmë të gjithë atyre të rinjve që përballen me problemet e njëjtat me të cilat u përball edhe djali i saj, e që nuk i mbijetoi një lufte të tillë.
Qendra “Këshillimi” gjatë muajit nëntor, që njihet si muaji ndërkombëtar për ndërgjegjësimin kundër substancave narkotike, e ka shënuar me një sërë aktivitetesh, andaj Gazeta Metro ka zhvilluar një bisedë me zonjën Musliu për të mësuar për së afërmi se si ka shkuar procesi i aktiviteteve.
Zonja Musliu tregon se aktivitetet i ka filluar me organizimin e tryezës së diskutimit, pasuar me marshin sensibilizues dhe ligjëratat e mbajtura gjatë tërë muajit nëntor nëpër shkollat e qytetit të Ferizajt për t’i vetëdijesuar të gjithë të rinjtë për efektet negative që sjell përdorimi i substancave narkotike.
“Aktiviteti ka filluar me 01 nëntor me tryezën e përbashkët e organizuar me zyrtarë komunal e shëndetësor , me 04 nëntor kemi organizuar marshin sensibilizues kundër substancave narkotike, ligjëratat i kemi filluar me 05 nëntor dhe ende nuk i kemi përfunduar të gjitha shkollat. Ligjërimi është bërë fillimisht në 7 shkolla fillore me nxënësit e klasave të larta, e pastaj edhe në 6 shkolla të mesme, jemi ne proces edhe të 2 shkollave tjera që do të thotë se i kemi përfshirë të gjitha shkollat që janë në qytetin e Ferizaj.” tregon Musliu
Zonja Musliu thekson se realizimi i ligjeratave ka qenë shumë i lehtë pamvarësisht mendimeve e paragjykimeve se do të jetë i vështirë sidomos me nxënësit e shkollave të mesme.
“Realizimi i ligjëratave ka qenë shumë i lehtë fillimisht para se me fillua me ligjërata na kanë thënë që është shumë e rrezikshme me i formulua dy apo tri fjali sidomos me nxënësit e shkollave të mesme por jam befasuar prej respektit, qetësisë, interesimit, ndaj prezencës sime dhe pyetjeve qe ata mi kanë parashtruar, ka pasur momente që unë kam menduar se po bëjë monolog dhe nuk kam njerëz në afërsi sepse qetësia ka qenë absolute me çka jam befasuar tej mase” thotë Musliu.
Zonja Musliu tregon se interesimi dhe kërkesat për të vazhduar ligjëratat në qytete tjera nuk kanë munguar, ajo tani vetëm se ka marrë ftesa nga komunat tjera dhe nuk e përjashton mundësinë e realizimit të tyre, por pasi t’i përfundojë ligjëratat në shkollat e viseve rurale të komunës së Ferizajt.
“Ka pasur interesim të madh edhe nga shkollat jashtë Ferizajt, ftesë më kanë bërë edhe komunat tjera, si komuna e Gjakovës, Pejës, Prishtinës, Preshevës, por më duhet së pari me i përfundua aktivitetet që ia kemi vënë synim vetes, tani janë në radhë shkollat e viseve rurale të komunës së Ferizajt sepse deri më tani nuk ka tregues që edhe ajo rini të mos infektohet nga kjo dukuritë negative shqetësuese siç është përdorimi i drogave”thotë Musliu
Interesimi për t’i ndjekur ligjëratat ka qenë i njëjtë tek të gjitha moshat rrëfen zonja Musliu madje koha prej 60 minutave sa ka pasur ajo në dispozicion nxënësve u është dukur e shkurtër dhe aspak monotone, sipas zonjës Musliu ligjëratat e tilla janë tepër të nevojshme duke e vërejtur se nxënësit kishin mungesë të informacioneve për ndikimin që kanë substancat narkotike në jetën e njeriut. Ajo po ashtu rrëfen momentet emocionuese dhe përqafimet që i ka marrë prej nxënësve gjatë ligjërimeve
“Gjatë ligjërimit ka pasur edhe momente emocionuese do ta veçoja një rast kur një nxënës më përqafoi dhe më tha “ma ke kthyer ndjesinë e nënës, tani unë do ta respektoj më shumë nënën time dhe do t’i marr të gjitha këshillat nga ajo”, mos të flasim për përqafimet e ngrohta që kam marrë gjatë këtyre ditëve që janë një motiv i madh për mua që t’i përkushtohem edhe më shumë kësaj kauze që kam nisur”thotë Musliu
Zonja Musli thotë se drejtorët e shkollave duke e përfshirë edhe Drejtorin e Arsimit të komunës së Ferizajt Afrim Llabjanin të cilin e falënderon shumë, kanë qenë bashkëpunues dhe kanë organizuar gjithçka që ligjëratat të organizohen në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ligjëratat e sajë kanë përçuar me të vërtetë mesazhe bindëse sepse sipas Zonjës Musliu gjatë këtyre ditëve në qendrën e sajë ka pasur më shumë të rinj të cilët duke u inkurajuar nga ligjërata kanë kërkuar ndihmë dhe këshillim.
“Unë mund të them se ka ndodhur një mrekulli që pas ligjëratave është shtuar numri i të rinjve që po e vizitojnë qendrën jo në kuptimin që po shtohen rastet, por në kuptimin e vetëdijesimit që nxënësit e kanë marrë nga ligjërata ime, sepse tani ata e dinë se kanë një adresë ku të orientohen për largimin e tyre nga përdorimi i substancave narkotike ku thelbi i rezultatit është përkrahja” thotë Musliu
Interesimi për të mësuar rreth përdorimit të substancave narkotike sipas Zonjës Musliu është shumë i madh madje edhe te prindërit që ende i kanë fëmijët e vegjël, Qendra “Këshillimi” planifikon aktivitetet e radhës të jenë takimet dhe ligjëratat me prindërit.
Familja luan rolin kyç në jetën e fëmijëve thotë Zonja Musliu andaj ajo mendon se prindërit në bashkëpunim me shkollën mund t’i ndihmojnë shumë fëmijët që të heqin dorë përfundimisht nga përdorimi i substancave narkotike.
“Kam kërkuar nga Drejtoria e Arsimit që të më mundësojë takim edhe me prindërit që i kanë fëmijët nëpër shkolla, me ta të mbahet ligjëratë e veçantë për paragjykimet dhe hedhjen e fajit tek fëmijët, sepse familja luan rolin kyç në jetën e fëmijëve, gjithashtu atyre prindërve që kanë probleme me fëmijët që janë përdorues të substancave narkotike tu ndihmoja dhe tu jepja këshilla se si duhet t’i qasen problemit në bashkëpunim me shkollën që ata fëmijë të heqin dorë përfundimisht nga përdorimi i drogave” thotë Musliu.
Qendra “Këshillimi” ka mungesë hapësirë dhe përkrahje të dobët financiare por zonja Musliu nuk do të dorëzohet ajo thotë se do ta bëjë të pamundurën që tu qëndrojë afër të gjithë atyre të rinjve që kanë nevojë për ndihmën dhe këshillat e saja./gazetametro.net