02,05,2024

Qendra e punësimit pritet të angazhojë qytetarë për punë publike

Must Read

Qendra e Punësimit në Komunën e Ferizajt shumë shpejt pritet të angazhojë 30 qytetarë për punë publike, në mirëmbajtjen e pyjeve dhe shuarjen e zjarreve. Sipas drejtorit të kësaj qendre, për këto qëllime do të angazhojnë, përfitues të asistencës sociale. Megjithëkëtë, shumë nga ferizajasit përfitues të asistencës sociale, po refuzojnë mundësinë e punës për gjashtë muaj, me pagë mujore prej 250 euro.

Nuk janë të pakët ata që nuk kanë punë në Ferizaj, edhe pse disa nga bizneset në këtë qytet po përballen me mungesë të punëtorëve.

Por, jo vetëm bizneset private, punëtorë, të vështirë po e kanë të gjejnë edhe në Qendrën e Punësimit në Ferizaj. Drejtori i kësaj qendre, Naim Gashi, tregon për Radio Kosovën se shumë shpejt për punë publike në mirëmbajtjen e pyjeve dhe shuarjen e zjarreve, pritet të angazhojnë 30 përfitues të kategorisë së dytë sociale. Por, shumë nga ta, sipas Gashit,  po e refuzojnë mundësinë duke mos pranuar të punojnë.

“Ne kemi bashkëpunuar me Qendrën për Punë Sociale dhe kemi marrë listën e tyre. Kemi thirr në telefon mbi 70 persona, prej tyre vetëm 11 kanë pranuar të punojnë. Të tjerët kanë sjellë dëshmi të mjekut se kinse nuk mund të punojnë, ose nuk janë lajmëruar në telefon. Po mundohen në çfarëdo forme t’i ikin punës”, pohon ai.

Drejtori Gashi jep më shumë detaje për projektin që po refuzohet nga përfituesit e asistencës sociale, ndonëse, paga që do të merrnin, nëse do të punonin, është më e madhe se asistenca sociale.

 “Kjo është një skemë gjashtë mujore. Pagesa është 250 euro në muaj, shumë më e madhe se asistenca sociale. Përfituesit e kategorisë së dytë sociale, me përfundimin e kësaj skeme mund të kthehen përsëri në social. Mirëpo, sigurisht ndoshta po refuzojnë të punojnë edhe me frikën se do ta humbin asistencën sociale”, tha ai.

Radio Kosova ka pyetur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, se sa është numri i përfituesve të asistencës sociale, në kuadër të kategorisë së dytë sociale.

Drejtori i këtij institucioni social, Ruzhdi Latifi, ka bërë të ditur se në Komunë e Ferizajt, në muajin mars, numri i përfituesve të asistencës sociale ka qenë rreth 1 mijë dhe se prej tyre, 414 persona asistencë sociale kanë marrë si kategori e dytë. Këta të fundit, përfitojnë ndihmë nga shteti, ngase kanë kushte jo të mira ekonomike dhe kanë fëmijë nën moshën 5 vjeçare.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Policia rajonale e Ferizajt konfiskon motoçikleta dhe skuter pa dokumentacion të rregullt

Policët e Komunikacionit Rrugor dhe polcicët e stacionit të Ferizajt sot kanë zbatuar planin operativ " Motoçikleta dhe Trotineti...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img