30,10,2024

Profili i Presidentit të betuar – Hashim Thaçi (Dokument)

Must Read

thaci-681x361

Aktivitetin e tij politik e kishte nisur si pjesëtar i një grupacioni ushtarak, por ka kohë që ai synon të mbahet në mend si një burrë shteti.
I lindur më 24 prill 1968 në Burojë të Skënderajit, Hashim Thaçi ka studiuar për histori në Universitetin e Prishtinës, ku kishte qenë pjesë e organizimeve studentore.

Pas një dështimi të policisë serbe për ta burgosur më 1993, ai arratiset për në Zvicër, ku anëtarësohet në Lëvizjen Popullore të Kosovës, organizatë kjo që themeloi UÇK-në.

Më 1996, ai regjistrohet në Universitetin e Zurichut, për të studiuar histori dhe filozofi politike, studime këto që nuk i mbaroi. për një vit sa ishte student, nuk kishte dhënë asnjë provim.

Carsten Goehrke, profesor historie që e kishte pasur Thaçin student, e kujton atë si shumë të tërhequr dhe pothuajse të ndrojtur.

Ndërkohë, Thaçi kthehet disa herë ilegalisht në Kosovë dhe më 1997 merr pjesë në një aksion kundër stacionit policor të Gllogocit, për çka Gjykata e Qarkut në Prishtinë e dënon me 10 vjet burg në mungesë.

Çuditërisht, në po të njëjtën vit, emri i Thaçit përmendet në lidhje me vrasjen e gazetarit Ali Uka në Tiranë, vrasje kjo që kurrë nuk është zbardhur publikisht.

Në atë kohë, Thaçi kishte qenë shok dhome me Ukën.

I njohur për dinakërinë e tij, gjatë luftës, Hashim Thaçi do të mbante nofkën “Gjarpëri”.

Por ai do të bëhej gjerësisht i njohur për publikun, vetëm kur i zgjedhur si përfaqësues politik i UÇK-së,nga Shtabi i Përgjithshëm në Tiranë, Hashim Thaçi do të udhëhiqte delegacionin shqiptar në bisedimet e Rambujesë.

Këtu për herë të parë, shpërfaqet hapur mosdurimi mes tij dhe Ibrahim Rugovës, rivalitet ky që do të zgjaste deri në vdekjen e këtij të fundit.

Përkundër skepticizmit të treguar nga vetë UÇK-ja dhe disa kërcënimeve të kohë pas kohëshme për të mos nënshkruar asgjë që nuk përputhej me luftën e UÇK-së, Hashim Thaçi bashkë-nënshkroi në Paris Marrëveshjen e Rambujesë, pika e dytë e së cilës kërkonte ruajtjen e sovranitetit dhe intergritetit territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë.

Kjo marrëveshje dështoi kur u refuzua nga delegacioni serb, çfarë më pas i hapi rrugë intervenimit ushtarak të NATO-s.

Vite më pas, shumë nga protagonistët e Konferencës së Rambujesë, kanë pohuar që Thaçi ishte bindur të nënshkruante marrëveshjen, kur James Rubin i kishte premtuar atij se një mik i tij në Hollyëood, mund të shkruante një skenar filmi për UÇK-në.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Thaçi drejtoi procesin për çarmatosjen e UÇK-së dhe transformimit të saj në TMK.

Në tetor të vitit 1999 ai themeloi Partinë e Progresit Demokratik të Kosovës, ndërsa në Kuvendin e Parë Zgjedhor (2000), Thaçi zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, të cilën vazhdon ta drejtojë që nga ajo kohë.

Hashim Thaçi ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga marsi i ’99-s deri në janar të vitit 2000, kur ai i humbi zgjedhjet lokale.

Një vit më pas, PDK-ja e drejtuar nga Hashim Thaçi humbi edhe në zgjedhjet nacionale.

Njeriu që kishte qenë në krye të UÇK-së, nuk mori dot besimin qytetar, për çfarë ai u detyrua që për 8 vjet rresht, të qëndronte në opozitë.

Nga ky pozicion, në vitin 2005, Thaçi formoi dhe drejtoi të ashtuquajturin Kabinet për Qeverisje të Mirë, apo siç njihej ndryshe Qeveria në Hije.

Ndërkohë ai ishte pjesë e Ekipit të Unitetit gjatë bisedimeve në Vjenë, për zgjedhjen e statusit final të Kosovës.

Në jo pak raste, direkt apo tërthorazi, emri i Thaçit është përmendur në lidhje me vrasjet politike të pasluftës, duke përfshirë edhe atentatin e dështuar në Ibrahim Rugovën më 2005.

Pas vdekjes së Rugovës në janar të 2006-s, armiku politik më i madh i tij, Thaçi, do të ndryshonte krejtësisht qasjen ndaj figurës së tij.

Ai që dikur e kishte quajtur Rugovën si të papërgjegjshëm pas takimit të tij me Millosheviçin, tani shprehte ngushëllime për të dhe përkulej para varrit të tij.

Madje shumëkush beson, se Thaçi nuk do të mund t’i kishte fituar zgjedhjet asnjëherë, sikur Ibrahim Rugova të kishte qenë edhe më tutje në skenën politike.

Pikërisht këtu, nis ndryshimi i madh i Thaçit: PDK-ja hoqi shqiponjën nga logoja e saj, për ta zëvendësuar atë me dy fusha të valëvitura, ngjashëm me logon e LDK-së.

Në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit 2007, PDK doli e para, dhe si kandidat i koalicionit PDK – LDK, Hashim Thaçi u bë kryeministër për herë të parë.

Që në start, duke anashkaluar Rregulloren e Kuvendit, Thaçi i shtrëngoi deputetët e koalicionit që t’i votonin 100 ligjet e Pakos së Ahtisarit për 40 ditë, pa lexim dhe pa debatim.

Në muajin e dytë të mandatit të tij si kryeministër, Thaçi shkeli sërish rregulloren e Kuvendit, duke lexuar deklaratën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ndonëse sipas kësaj rregulloreje, ishte kryetari i Kuvendit ai që duhej ta bënte këtë.

Së bashku me presidentin e atëhershëm Fatmir Sejdiu, Thaçi do të pranonte planin 6-pikësh të Ban Ki Moonit, i cili i solli bisedimet e vazhdueshme me Serbinë.

Këto bisedime, fillimisht u kamufluan si teknike, por që edhe si të tilla ato i sollën Kosovës fusnotën për mosparagjykimin e statusit, fusnotë kjo që ende po e zëvendëson termin Republikë për Kosovën.

Koalicioni PDK – LDK u prish në atë që njihet si Nata e Zanzibarit, më 19 nëntor 2009, por që në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010, PDK do të dilte sërish e para, dhe pas një koalicioni me AKR-në dhe një varg partish të vogla, Thaçi u bë për së dyti kryeministër.

Duke shfrytëzuar ndikimin e tij politik, Thaçi zgjodhi në krye të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanin, njeriun që dikur përkthente për të.

Ky i fundit, i hyri Thaçit në punë të paktën në dy raste, kur me vendimet e Kushtetueses, Thaçi rrëzoi nga karrigia e presidentit dy partnerët e tij, së pari Fatmir Sejdiun e pastaj edhe Begjet Pacollin.

Duke qenë në krye të pushtetit ekzekutiv, megjithëse dikur drejtor politik i një grupi të majtë siç ishte UÇK-ja, dhe megjithëse PDK ishte anëtare e Intenacionales Socialiste, gjatë dy mandateve si kryeministër, Thaçi ndoqi kryesisht politika të djathta.

Me Thaçin kryeministër, Kosova pati një buxhet të ndërtuar kryesisht nga të hyrat doganore, ndërkaq raporti mes importit dhe eksportit ishte 1 me 8.

Me Thaçin kryeministër, u vodhën 25 kg ari në Dhomën e Dëshmive të Policisë në Pejë.

Me Thaçin kryeministër, arsimi universitar u kritikua pwr rrënim dhe politizim tw skajshëm tw UP-së, u publikuan punimet plagjiaturë dhe nga 32 universitetet private ku shumë nga profesorët ishin bashkëpartiakë të Thaçit.

Me Thaçin kryeministër, Kosova nuk mori asnjëherë Raport Progresi me nota pozitive: për çdo vit, BE-ja përsëriti nevojën për të luftuar korrupsionin dhe krimin.

Me Thaçin kryeministër, Kosova u rendit në raportet ndërkombëtare si një vend gjysmëautoritar dhe me korrupsion super të lartë.
Me Thaçin kryeministër, shëndetësia u dominua nga skandalet me klinikat private, ndër të cilat rasti i klinikës Medicus me trafikimin e paligjshëm të veshkave.

Me Thaçin kryeministër, KQZ-ja u detyrua të dorëheqje nga kërkesa e saj për të vënë kamera në vendvotime, çka u pasua nga vjedhja masive e votave.

Me Thaçin kryeministër, Kosova pagoi 6 milionë euro kompanisë izraelite Saatchi&Saatchi, për një spot publicitar që doli të ishte i kopjuar.

Me Thaçin kryeministër, i tërë distribucioni i KEK-ut u shit për vetëm 26 milionë euro.

Me Thaçin kryeministër, u nënshkrua një marrëveshje pa çmim për autostradën e kombit, që rezultoi të ishte autostrada më e shtrenjtë në Evropë.

Me Thaçin kryeministër, Aeroporti i Prishtinës u dha me koncesion për 20 vjet për vetëm 100 milionë euro.

Me Thaçin kryeministër, në Kosovë u aplikua privatizimi i tipit neoliberal siç ishte bërë në vendet afrikane dhe amerikanolatine: rezultati i privatizimit ishte që fabrikat dhe ndërmarrjet u shitën por investimet nuk erdhën.

Me Thaçin kryeministër, ai që kishte drejtuar procesin e privatizimit, Dino Asanaj, u tha se u vetëvra me 12 goditje me thikë.

Me Thaçin kryeministër, filloi vala e parë e emigrimit që solli tragjedinë në lumin Tisa.

Me Thaçin kryeministër, Mitrovica mbeti e ndarë: përkundër aksionit të Policisë së Kosovës në veri më 25 korrik 2011, policia u detyrua të zmbrapsej duke humbur pjesëtarin Enver Zymberaj.

Me Thaçin kryeministër, transformimi i FSK-së në ushtri u shtye nga një vit në tjetrin për të mos u bërë ende.

Me Thaçin kryeministër, Kosova mbeti një vend i izoluar, pa liberalizim të vizave.
Me Thaçin kryeministër, ekonomia e Kosovës mbeti e pazhvilluar njësoj si dhe projekti për të, Plani Bansko i Bullgarisë.

Me Thaçin kryeministër, 40% e kosovarëve jetuan të papunë dhe 40% e kosovarëve jetuan në varfëri.

Me Thaçin kryeministër, Kosova doli me popullsi të përgjysmuar në regjistrimin e dështuar.

Me Thaçin kryeministër, Policia e Kosovës zbatoi urdhra politik për të gjithë ata që guxuan të shfaqin pakënaqësitë e tyre.

Me Thaçin kryeministër, vetëm brenda vitit 2011, atij iu refuzuan 27 kërkesa për tu takuar me burrështetas të Europës.

Me Thaçin kryeministër, Kosova bisedoi pandërprerë me Serbinë, pa kushte, pa dënimin e krimeve të luftës, pa kthyer të pagjeturit, pa marrë dëmshpërblimet e luftës, pa marrë fondin pensional dhe pa marrë artefaktet arkeologjike.

Brenda pak vitesh, ndryshoi aq shumë, sa që në një intervistë për Euroneës, Thaçi kishte thënë se ai kishte qenë larg fronteve të luftës, duke mohuar të kaluarën e tij në UÇK me të cilën ishte ngritur në politikë.

Si kryeministër ai bisedoi gjatë me krerët serbë Daçiq dhe Vuçiq, dikur bashkëpunëtorë të Millosheviqit dhe Sheshelit, mes të cilave ai negoicioi marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe.

Se si kishte qeverisur Thaçi, u kuptua më mirë pas rrjedhjes së disa përgjimeve telefonike të Policisë, ku në mënyrë krejt të papërgjegjshme për një kryeministër, ai dëgjohet teksa flet me një stil mafioz në italisht, gjuhë që nuk e njeh.

Me Thaçin kryeministër, Kosova u bë top lajm i mediave botërore pas akuzave të Dirck Martit, sipas të cilave Thaçi kishte drejtuar një grup kriminal që kishte trafikuar organe të serbëve në atë që njihet si “shtëpia e verdhë”.

Hashim Thaçi premtoi që do ta padiste Dirk Martin, por ai nuk e bëri kurrë këtë.

Thaçi nuk bëri asgjë për t’ia hequr UÇK-së barrën e akuzave për trafikim organesh, çka solli Gjykatën Speciale.

Pas dështimit të votimit të Speciales në qershor, Thaçi i shtërngoi deputetët e tij t’i votonin të njëjtat amandamente më 3 gusht të 2015-s.

Pas kësaj, Hashim Thaçi që dikur kishte drejtuar UÇK-në, u mburr në OKB për Gjykatën Speciale që do të hetojë krimet e supozuara të UÇK-së.
.
Me Thaçin ministër i Jashtëm, Kosova mbeti e izoluar pa liberalizim të vizave.

Me Thaçin ministër i Jashtëm, Kosova dështoi të anëtarësohej në UNESCO.

Me Thaçin ministër i Jashtëm, njohjet për Kosovën u stopuan në 111 shtete.

Me Thaçin ministër i Jashtëm, ai nënshkroi marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, e cila mund ta lërë Kosovën me 9000 hektarë tokë më pak.

18 vjet pas hyrjes së tij në politikë, Hashim Thaçi mëton që karrierën e tij ta vazhdoj si President i Republikës së Kosovës.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Është gjetur edhe vetura e dytë, e cila ishte vjedhur në fshatin Dardani të Ferizajt

Me datën 25.10.2024 rreth orës 16:00 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në fshatin Koshare të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img