Në një takim të këshillave të tre fshatrave, Mirosalë, Dardani dhe Zllatar e ku mori pjesë edhe Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit Faik Grainca pas shumë diskutimeve u vendos që ky problem të bartet në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht në komisionin për Mbrojtje të Ambientit pranë Kuvendit të Kosovës.
Shqetësimi i banorëve të Mirosalës rreth ndotjes së ambientit nga fabrika e përpunimit të gomës ka bërë që këtë të martë të mblidhen këshillat e tre fshatrave, Mirosalë, Dardani dhe Zllatar e ku ishin të ftuar edhe Drejtori i Urbanizmit Faik Grainca dhe inspektori Komunal.
Në këtë takim Grainca i njoftoi të pranishmit për të gjithë hapat që i ka marrë Qeveria Komunale në drejtim të zgjidhjes së këtij problem.
Drejtori i Urbanizmit të Ferizajt Faik Grainca tha se të gjitha veprimet që kanë qenë në kompetenca të komunës i ka ndërmarrë.
“Nga moment kur unë kam marrë këtë Drejtori i kamë marrë të gjitha veprimet që kanë qenë në kompetencave tona. Ne si drejtori edhe kemi mbyllur këtë fabrikë. Ata kanë siguruar lejet për punë e që janë të lëshuar nga një institucion e që ne obligohemi që të zbatojmë vendimet e institucioneve. Por pas shqetësimit të banorëve ne i kemi filluar procedurat me një institute të pavarur nga Shkupi dhe në bazë të rezultateve do të bëjmë një krahasim se për çka është fjala dhe në bazë të kësaj do të merren veprimet ligjore. Krejt kjo do të bëhet me qëllim të zgjidhjes së problemit të këtyre banorëve.” tha Grainca.
Grainca tha se asnjëherë nuk ka deklaruar se ky objekt ka leje por leja e ndërtimit nuk ka të bëjë asgjë me veprimtarinë që zhvillohet.
“Nëpër fshatra po edhe në qytet ka plotë objekte ku zhvillohen veprimtari që nuk kanë leje ndërtimore por zhvillohet biznesi, por kjo nuk është arsye që të mbyllet veprimtaria. E vetmja arsye është nëse ka ndotje të ambientit e për të cilat kompetent është Ministria e Ambientit” ka thënë Grainca.
Halili tha se ka kontaktuar me deputetët ferizajas në Kuvendin e Republikës së Kosovës por për shkak të seancës e cila ka qenë e paraparë nuk kanë mundë të vinë në këtë takim.
Asamblisti komunal Fadil Halili tha se për këtë tubim ka ftuar edhe deputet e rajonit të Ferizajt në Parlamentin e Kosovës.
“Kam kontaktuar me deputetët e rajonit të Ferizajt por për shkak te seancës së Kuvendit nuk kanë pas mundësi të vinë por kanë shprehur gatishmërinë që gjithçka që është në mundësit e tyre do të bëjnë që ky problem të zgjidhet” tha Halili.
Ndërsa asamblisti Xhevat Sallahu, njëherit kryetar i fshatit Zllatar tha se analizat duhet të jenë profesionale dhe të analizohen substancat që lirohen gjatë këtyre djegieve.
“Gjatë djegies se këtyre gomave lirohen substance helmuese dhe grimca të cilat mundë të jenë helmuese jo vetëm për njerëzit por edhe për botën bimore.Prandaj kushdo që do të bëjë këto analiza duhet të jetë profesional dhe tu tregoi banorëve se sa janë të rrezikuar nga gazrat e kësaj fabrike” ka thënë Sallahu.
Në këtë tubim ishte edhe Fazli Shabani, koordinator i nënkomiteteve pranë LVV , Qendra në Ferizaj, i cili tha se në këtë rast. Komuna është ajo që mundë të marrë masa në ndalimin e kësaj veprimtarie.
Shabani tha se fabrika për të cilën po diskutohet nuk ka leje ndërtimi dhe komuna sipas ligjit është ajo e cila mund të ndalë këtë veprimtari dhe ndoshta edhe të rrënoi objektin.
“I njëjti ligj i cili i ka dhënë lejen pronarit po ai ligj u jep kompetenca Komunës të ndaloi veprimtarin e cila rrezikon shëndetin apo bënë ndotjen e ambientit” tha Shabani
“Ministria i ka dhënë leje për ushtrimin e veprimtarisë por nuk i ka dhënë leje se atë mund ta zhvilloi në mes të fshatit. Prandaj kjo është pjesë e Komunës që të caktoi vendin se ku mundë të ndërtohet” ka thënë Shabani.
Me këtë rast banorët e Mirosalës para Drejtorit Grainca treguan problemet të cilat sipas tyre po u shkakton kjo fabrikë.
“Si pasojë e kësaj ndotje të ambientit unë kam humbur 13 koshere të bletëve, e për këtë kanë qenë dëshmitar edhe një komision nga Prishtina” tha Shefqet Shala.
Por Ilaz Shala i cili thotë se e ka shtëpinë më së afërmi fabrikës thotë se nëse vazhdon kjo ai me familje e ka të pamundur jetën aty.
“Unë do të pres edhe katër ditë dhe nëse nuk ndërmerret asgjë do të shpërngulem me familje nga këtu” tha Ilaz Shala.
Në fund të këtij takimi nga kryetari i fshatit Zymer Berisha doli edhe propozimi që edhe një herë të provohet ana ligjore e zgjidhjes së këtij problem.
“ Pas gjithë këtyre diskutimeve si përfundim ne do të bëjmë një listë me nënshkrime (një lloj kërkese apo Peticioni) dhe ti drejtohemi Komisionit Parlamentar për Mbrojtjen e Ambientit pranë Kuvendit të Kosovës” tha Berisha.
Pritet që brenda dy ditësh të grumbullohen nënshkrimet dhe së bashku me kërkesën për shqyrtimin e këtij rasti të dorëzohen në këto organe ku sipas të pranishmëve është rasti i fundit që presin zgjidhje të këtij problemi.