22,12,2024

“Problemet e koalicionit”, Vasili reagon pas deklaratës së Majkos

Must Read

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka reaguar lidhur me deklaratën e deputetit socialist, Pandeli Majko, i cili mbrëmjen e së premtes u shpreh se koalicioni i majtë ka probleme dhe për këtë PS-ja dhe LSI-ja duhet të ulen dhe të diskutojnë.

Në reagimin e tij në emër të LSI-së, Vasili shprehet se nuk ka asnjë keqkuptim për reformën në drejtësi lidhur me qëndrimin e LSI-së.
Vasili tha se qëndrimi i kryetarit Meta dhe i LSI-së ka qenë i palëvizshëm për të pasur një reformë në drejtësi sipas standardeve të Venecias dhe me konsensus.

Ndërsa në lidhje me koalicionin, Vasili shprehet se LSI-ja ka qenë gjithnjë korrekte dhe nuk ka vënë kushte. Ai shprehet se Majko është i painformuar rreth çështjeve të koalicionit, i cili sipas Vasilit është shumë i vogël në krahasim me arritjen shtetformuese të 22 korrikut, miratimit të reformës në drejtësi.

Deklarata e plotë e Vasilit

Jo se e kam zakon të reagoj pas çdo prononcimi të çdo deputeti, por në respekt të miqësisë dhe raportit personal me z. Majko dua të ndaj me të dhe me publikun disa të vërteta të domosdoshme.

Nuk ka asnjë keqkuptim për reformën në drejtësi lidhur me qëndrimin e LSI-së dhe z. Meta. Jam i bindur që z. Majko nuk është i informuar, që në tavolinat e nivelit të lartë të koalicionit që nga dita e parë kur kjo reformë filloi të hartohej edhe deri në miratimin e saj në mesnatën e 21-22 korrikut, qëndrimi i z. Meta dhe i LSI-së ka qenë i palëvizshëm për të pasur një reformë në drejtësi sipas standardeve të Venecias dhe me konsensus.

Ky qëndrim i z. Meta nuk ka lëvizur asnjë presje edhe në çdo takim me përfaqësuesit më të lartë ndërkombëtarë, pasi ka ekzistuar një bindje e patundur që çdo votim i njëanshëm do të shfrenonte konfliktin politik, do të vriste dialogun politik dhe do të aksidentonte seriozisht procesin e integrimit. LSI-ja si forcë bashkëpunuese dhe jo përjashtuese ka qenë dhe do të jetë e vendosur për t’iu kundërvënë politikës së konfliktualitetit që minon procesin e integrimit evropian si dhe që imponon nxjerrjen e opozitës jashtë institucioneve.

LSI-ja ka qenë një forcë shumë korrekte në raportet e saj me koalicionin dhe ky qëndrim ka qenë i qartë edhe në tavolinat e nivelit më të lartë të koalicionit, por edhe në të gjitha nivelet e tjera të komunikimit ku unë kam qenë i pranishëm edhe personalisht.

LSI-ja dhe Ilir Meta nuk kanë vënë asnjëherë kushte apo kushtëzime pushteti ndaj Edi Ramës dhe PS-së. Por ka pasur vetëm një kusht, që është vendosur nga LSI-ja për PS-në para zgjedhjeve të vitit 2013 dhe ai ishte që Partia Socialiste, në opozitë në atë kohë, të votonte tre ligjet që ishin detyrim i integrimit evropian, pasi ekzistonte shqetësimi i madh se në rast se koalicioni PS-LSI nuk do të arrinte 84 vota, Berisha do të bënte të njëjtën gjë duke penguar procesin e integrimit evropian të vendit.

Gjithashtu, është vendi të kujtoj se edhe koalicioni me PD-në në vitin 2009, i cili u krijua, pas përjashtimit nga PS-ja të çdo mundësie të bashkëpunimit politik me LSI-në, u krijua vetëm me një qëllim: për të siguruar stabilitetin e vendit dhe për të bërë liberalizimin e vizave për të gjithë shqiptarët, falë të cilit shqiptarët gëzojnë mundësinë për të lëvizur si qytetarë të barabartë në Evropë, duke bërë realitet kështu një ëndërr të parealizueshme për dekada të tëra.

LSI-ja mbajti një qëndrim të prerë ndaj Berishës kur u kërkua të miratohej një ligj që kishte të bënte me NATO-n, por që nuk e kishte miratimin e saj. Dhe LSI-ja kushtëzoi qëndrimin në koalicion me PD-në, duke frenuar miratimin e këtij ligji me qëllimin moscenimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Unë besoj akoma që z. Majko bën pjesë në atë plejadë socialistësh që nuk e kanë harruar kredon: të sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet. Pikërisht për këtë arsye konsensusi i realizuar mesnatën e 21-22 korrikut ishte prova e bindjes tonë se duhet bërë një shtet i fortë dhe që e besojnë të gjithë shqiptarët. Për reformën në drejtësi, 91% të shqiptarëve shpreheshin se e donin atë. Miratimi me 140 vota shpreh dëshirën e 100% të shqiptarëve për të qenë më të bashkuar dhe për të pasur një shtet më të fortë dhe një drejtësi të pavarur e të besueshme nga të gjithë.

Në funksion të realizimit të këtij konsensusi që 100% e shqiptarëve duan ka qenë edhe komunikimi me PD-në si forca kryesore e opozitës, por besoj se Pandi më shumë se kushdo tjetër socialist në kuptimin më të mirë të fjalës ka qenë një “fanar ndriçues” në këtë drejtim, pasi ai vetë e ka cilësuar të domosdoshme këtë edhe kur komunikonte me Berishën e parë, ashtu edhe me Bashën e fundit për Asamblenë e NATO-s që u mbajt në Tiranë, pasi besoj që edhe Pandi edhe unë ndajmë të njëjtin mendim që çështjet e mëdha të shtetit, që u takojnë të gjithë shqiptarëve i detyrojnë të gjithë shqiptarët që i përfaqësojnë politikisht të komunikojnë mes tyre.

Unë e vërej të qartë mosinformimin që Pandi ka për çështjet e koalicionit megjithëse sinqerisht koalicioni ynë më duket i vogël në raport me këtë arritje shtetformuese, që u realizua mesnatën e 21-22 korrikut dhe që shtron rrugën e vendit për 30 vitet që vijnë. Megjithatë, deklarimi i z. Meta dhe gatishmëria e plotë për të komunikuar në çdo nivel, qoftë edhe të grupeve parlamentare për çështje të koalicionit, besoj që e shteron edhe këtë merak të mikut tim, Majko, ku theksoj edhe një herë se korrektesa e LSI-së në bashkëpunimin e saj politik do jetë e pandryshuar sikurse dhe gatishmëria për të dëgjuar çdo shqetësim që Majko apo kushdo tjetër mund të ketë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img