Ferizaj

Prezantohet projekti për sheshin e miqësisë me SHBA-të


Publikuar më:


Pas pllakës që iu ngrit djalit të presidentit amerikan Joe Biden, Ferizaj po planifikon që të ndërtojë hapësirë të gjelbër dhe të ngrisë një shtatore edhe për presidentin amerikan, Joe Biden, si shenjë falënderimi për shtetin amerikan.

“Sheshi i miqësisë Kosovë-SHBA” dhe shtatorja planifikohen të vendosen në afërsi të kampit “Bondsteel” në Sojevë të Ferizajt.

Iniciatori i këtij projekti Faton Haxhisalihu, thotë se ky projekt do jetë si falënderim ndaj presidentëve amerikanë që ndihmuan Kosovën, duke filluar nga Woodrow Wilson, Bush, Obama e Trump.

“Me 17 shkurt 2021, në 13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, së bashku me Arsim Hetemin dhe Kenan Gashin diskutuam për madhështinë e kësaj feste. Kujtojmë miqtë tanë të cilët ishin me ne atëherë kur liria ishte vetëm një dëshirë e cila kishte filluar të dukej në horizont falë luftës çlirimtare. Gjatë kësaj bisede dhe aktiviteteve më 20 janar kur u inagurua presidenti i SHBA-së, Biden, shpalosëm idenë për rregullimin e një sheshi në të cilin do të vendoset edhe shtatorja e presidentit Biden”, thotë Haxhisalihu.

E, kryetari i Ferizajt Agim Aliu, pati një sugjerim për këtë projekt.

“Ne jemi të bekuar që kemi miq të tillë dhe jo kjo që do të jetë shesh i miqësisë, por do të duhej të shtohet fjala “e përjetshme” pasi që miqësia është e përhershme me shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Koloneli amerikan Drake McGraw u shpreh falënderues për këtë projekt.

“Dua t’iu falënderoj për këtë projekt që do ta zbukurojë kampin ”Bondsteel” dhe do të nderojë miqësinë tonë. Jam këtu prej 2 vitesh dhe partneriteti me popullin e Kosovës është i mrekullueshëm”, theksoi ai.

 Projektuesi i këtij projekti tregon se sheshi dhe shtatorja parashihet të kenë kosto prej më shumë se 500 mijë eurosh, para të cilat, sipas iniciatorëve, do të sigurohen nga donatorët.

Koncepti i këtij projekti u diktua nga rrjedha e lumit që gjendet në parcelën ekzistuese. Në aspektin simbolik, por edhe në fromat organike të lumit, ishin bazë e ideimeve të shtigjeve dhe hapësirave gjelbëruese brenda projektit. Fokusi patjetër që është tek statuja e presidentit Joe Biden. Hapësirat organike, por edhe piedestali ku është e vendosur statuja bën që ajo të përjetohet si më madhështore. Pjesë tjera janë projektuar në harmoni me peisazhin natyrorë përrreth duke mos e cenuar asnjëherë atë“, tha Granit Zeqiri.

Në gusht të vitit 2016 kur u prezantua pllaka për të birin e Joe Biden, Beau Biden, u vendos që edhe rruga magjistrale Ferizaj-Gjilan të mbaj emrin ”Joseph R. “Beau” Biden”, në afërsi të së cilës do të ndërtohet edhe ky shesh./ Tv Tema

To Top