Kohëve të fundit janë duke u raportuar raste nga pronarët e kompanive të bizneseve të ndryshme që kanë të bëjnë me një formë mashtrimi përmes sistemeve kompjuterike, ku si pasojë shkaktohet dëm i konsiderueshëm. Personat e dyshuar arrijnë në forma të ndryshme të sigurojnë të dhëna për kompanitë e biznesit siç janë: qarkullimin e mallrave, faturat, pagesat e ndryshme, komunikimet përmes kompjuterit (e-mail-ave) etj.
Sipas policisë, këto të dhëna i përpunojnë apo i falsifikojnë në atë mënyrë që të jenë të besueshme dhe pastaj fillojnë me mashtrim. Bazuar në rastet e deritanishme, personat e dyshuar kanë arritur që të ndërhyjnë në komunikimin përmes internetit (shkëmbimin e e-mail-ave) të kompanive biznesore (njëra në Kosovë e tjetra jashtë Kosovës), duke ndryshuar të dhënat e xhirollogarive si dhe duke u paraqitur në emër të kompanisë tek e cila është dashur të transferohen mjetet për pagesë të mallit. Fatkeqësisht, në disa raste transferet janë realizuar dhe mjetet janë tërhequr jashtë Kosovës, por në disa raste ato janë stopuar dhe mjetet janë bllokuar gjithashtu në bankat jashtë Kosovës, pasi është arritur të raportohet shpejt mashtrimi.
Teknikisht, kjo formë e krimit është e mundur të kryhet, por duhet të krijohen kushtet paraprake. Një gjë e tillë mund të bëhet përmes infektimit me ndonjë virus të kompjuterëve të kompanive, ku më pastaj arrihet qasja në kompjuter dhe njëkohësisht në të gjitha dokumentet dhe të dhënat që i posedon kompjuteri përkatës. Infektimi i kompjuterit me virus bëhet në disa mënyra, si: përmes materialeve të bashkëngjitura në e-mail-a të falsifikuar, përmes USB-ve etj.
Hetimi dhe identifikimi i kryeseve të këtyre veprave nuk është i lehtë, gjithashtu më komplekse situatën e bën edhe natyra e rasteve ku pothuaj të gjitha janë ndërkombëtare.
Menaxhimi i biznesit natyrisht se është përgjegjësi individuale e çdo pronari të biznesit, por duke pasur parasysh rastet që kanë ndodhur, Policia e Kosovës e sheh të nevojshme që të nxjerrë disa rekomandime për kompanitë e bizneseve me qëllim që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve.
Rekomandimet janë si në vijim:
* Të sigurojnë sistemet kompjuterike me antivirus;
* Të përdorin vetëm një kompjuter për komunikim si dhe kjo të bëhet në formë të kontrolluar, p.sh. të autorizohet vetëm një apo dy punonjës të kompanisë që merren me komunikim dhe transaksione; në këtë kompjuter mos të instalohen kurrfarë programesh përpos atyre që janë të nevojshme për kryerjen e punëve dhe për të cilat ka licencë;
* Të mos hapen e-mail-a të dyshimtë apo që nuk iu dihet dërguesi;
* Të vërtetohet se e-mail-i nga kompania partnere është i vërtetë (keqbërësi e ndryshon ose e shton vetëm një karakter në e-mail p.sh. në vend të shkronjës o shkruhet me u – johnson@mail.com – e-mail i vërtetë, kurse johnsun@mail.com – e-mail i rrejshëm);
* Para autorizimit të kryerjes së transaksionit, të konfirmohet me kompaninë partnere nëse xhirollogaria është e vërtetë, kjo mund të bëhet përmes komunikimit në forma tjera (p.sh. me telefon fiks); për çdo transaksion të kontaktojnë bankat respektive në Kosovë, gjithashtu edhe në këtë mënyrë mund të dihet se ku gjendet xhirollogaria.
Nëse ndërmerren këto masa, me siguri se rreziku për të qenë viktimë e mashtrimit do të jetë shumë i ulët.
Gjithashtu iu inkurajojmë që nëse eventualisht hasni në diçka të tillë apo vini në dijeni se është duke u tentuar të kryhet vepra, të raportoni rastin në stacionin më të afërt të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës është e gatshme që në çdo kohë të angazhohet në krijimin e sigurisë për të gjitha shtresat e shoqërisë. Pikërisht ky njoftim për bizneset besojmë se do të ndikojë në vetëdijesimin e tyre dhe nuk do të ketë dëme të cilat janë të vështira të rikuperohen.