Qeveria e Kosovës ka miratuar disa masa shtesë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Me kërkesën e ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, ekzekutivi ka miratuar vendimin i cili parasheh edhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve private nga ora 10:00 deri në orën 16:00, dhe nga ora 20:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit.
Policia e Kosovës në Ferizaj mëngjesin e sotëm ka filluar ta zbatoj këtë vendim.
”Ne kemi pranuar një vendim nga DPP-ja dhe ne jemi duek e zbatuar, fillimisht jemi duke i njoftuar qytetarët se ky vendim ka ardhur dhe ekipet tona janë në terren. Çdo vendim që vjen nga DPP-ja qind për qind zbatohet”, tha Qazim Reka, komandant i Stacionit Policor në Ferizaj, transmeton Televizioni Tema.
Vendimin e qeverisë për kufizim të lëvizjes së qytetarëve, e ka cilësuar antikushtetues presidenti Hashim Thaçi, duke kërkuar që policia mos ta zbatoj këtë vendim. Lidhur me këtë, Reka tha se policia i zbaton urdhërat që vinë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës.
“Ne i zbatojmë urdhërat që na vinë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, të gjitha ato vendime që vinë ne i zbatojmë. Ne i kemi planet se si do të veprojmë në këto raste“,tha Reka.
Lëvizjet e qytetarëve brenda orarit të ndaluar nga qeveria lejohen vetëm për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore).Kurse mundësohet qarkullimi i lirë për operatorët ekonomik të klasifikuar si më të rëndësishëm sipas kodeve NACE që Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike lejon të operojnë në këtë periudhë emergjente lidhur me pandeminë COVID-19, si dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit.
Në vendim thuhet se lëvizjet në rrugë të bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët. Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët. Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit./ Televizioni Tema.