26,11,2024

Plani i ndryshimit të kufijve ngjall frikën e serbëve në enklava në Kosovë

Must Read

Një shkëmbim i mundshëm i territorit mes Kosovës e Serbisë, që po propozohet nga liderët e tyre për t’i dhënë fund një prej mosmarrëveshjeve më të paqëndrueshme territoriale në Evropë, ka ngjallur brenga se kufiri mund të rishkruhet në vija etnike dhe të rinxis armiqësitë shoqërore etnike.

Ndonëse janë publikuar shumë pak detaje, mediat thonë se rajoni kufitar verior me shumicë serbe përreth qytetit të Mitrovicës do të inkorporohej në Serbi sipas planit, plan sipas të cilit Beogradi po ashtu do t’ia dorëzonte Kosovës rajonin me shumicë shqiptare, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Shkëmbimi po ashtu do të bënte që Beogradi ta njihte pavarësinë e ish-provincës së saj, 20 vjet pas një lufte të ashpër mes forcave serbe dhe guerilëve shqiptarë pro-pavarësi që çoi në ndarjen e Kosovës nga Serbia më 2008, transmeton Koha.net.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili bashkë me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq, vitin e kaluar ngritën mundësinë e rishkrimit të kufirit, ka insistuar se një version i rishikuar nuk do të vizatohej përgjatë vijave etnike.

– ‘Ndarje e pastër etnike’ –

Por plani ka dërguar valë alarmi mes komuniteteve në këto rajone, e më të dukshme janë në mesin e serbëve etnikë që jetojnë në enklava të shpërndarë nëpër Kosovë që nuk do të preken nga një marrëveshje e këtillë.

Një shkëmbim territori do të nënkuptonte “ndarje të pastër etnike dhe kështu brenda disa dekadash nuk do të ketë më serbë në Kosovë”, thotë Stefan Filipoviq, një aktivist 24 vjeçar serb i Kosovës në Graçanicë, një nga këto enklava që nuk është larg nga Prishtina.

Janë në përgjithësi rreth 120,000 mijë serbë që jetojnë në Kosovë. Nga ta, rreth 40,000 mendohet se jetojnë përreth Mitrovicës – dhe me gjasë do të jenë pjesë e shkëmbimit të territorit – ndërsa 80 mijë të tjerë jetojnë më thellë në Kosovë dhe do të mbesin nën qeverisjen e Prishtinës.

Graçanica, ku gjendet një prej manastireve kryesore ortodokse në Kosovë, është një nga gjashtë komunat më të mëdha që janë si ishuj të rrethuar me lagje shqiptare.

Për Rada Trajkoviqin, politikane serbe në të 60-at që jeton në Graçanicë, ndryshimi i kufirit do të nënkuptonte krijimin e “dy hapësirave mono-etnike” dhe të çonte në largim të serbëve nga enklavat e Kosovës, transmeton Koha.net.

Trajkoviqi është një nga pak serbët e Kosovës që haptazi kritikojnë Listën Serbe, partia kryesore e pakicës serbe. Shumica e kolegëve serbë të Trajkoviqit përkrahin linjën e Beogradit të Presidentit Vuçiq.

– ‘Të braktisur nga Beogradi’ –

Shkëmbimi i territoreve, që për një kohë të gjatë ka qenë temë tabu, ka mbështetjen e SHBA-së dhe të disa zyrtarëve të BE-së.

Megjithatë, Gjermania e kundërshton, duke paralajmëruar për rikthim të zemërimeve të nacionalistëve të vijës së ashpër që kanë trazuar Ballkanin ende të trazuar në të kaluarën.

Forca paqeruajtëse e NATO-s ka mbrojtur Kosovën që nga shkëputje e saj nga Serbia pas një lufte të përgjakshme më 1998-99 që la më shumë se 13,000 të vdekur.

Rishikimi i kufirit “është ide shumë e rrezikshme, veçanërisht dramatike”, thotë Filipoviq, që ndihet “i braktisur nga Beogradi”.

Për Trajkoviqin, “nëse e shkëpusin veriun dhe ia bashkëngjisin Serbisë, nuk shoh arsye përse shqiptarët (e Kosovës) do të shfaqnin ndjeshmëri për serbët që jetojnë” në enklava.

Në fshatin e afërt të Laplasellës, një zonë e banuar kryesisht me serbë me rreth 1,000 banorë e rrethuar me rezidenca të qelqta e të çelikta të Prishtinës, pak njerëz flasin haptazi për temën e kufirit, e edhe më pak e kritikojnë hapur Vuçiqin.

Por në një pub lokal, katër serbë pinë “raki” derisa debatojnë nëse Vuçiqi po i braktis ata “në një burg shqiptar”, transmeton Koha.net.

Me njëfarë ironie, njëri sqaron se “nëse dikush mund të na shpëtojë neve është (Ramush) Haradinaj”, ish-luftëtari i UÇK-së, tash kryeministër, të cilin Beogradi dhe serbët e konsiderojnë kriminel lufte.

Haradinaj kundërshton idenë e rishikimit të kufijve, duke paralajmëruar se një gjë e tillë do të çojë në “luftëra të reja”.

– Sfida e murgjve –

“Mendoj se presidenti Vuçiq nuk do të na lë vetëm”, thotë Jagoda Trajkoviq, një pensionist 69 vjeçar derisa e lë nipin e tij në shkollën e vogël të Laplasellës.

Të tjerët nuk janë kaq të bindur.

Aty përfshihet edhe ati Sava Jançiq, kryemurg në Manastirin e Deçanit.

Vitet e fundit kanë kaluar në afërsi në mënyrë mjaft të qetë, përveç disa demonstrata të rastësishme nga shqiptarët e Kosovës duke kërkuar që murgjit të heqin dorë nga një pjesë e tokës së tyre.

Por më 2008, viti kur Kosova shpalli pavarësinë, një shqiptar hodhi një predhë në murin e varrezave.

“Unë personalisht posedoj informata shumë të besueshme… sipas të cilave ata veçse janë duke punuar në detajet e shkëmbimit të territoreve përgjatë vijave etnike”, thotë Janjiqi, i cili gjatë luftës mbrojti shqiptarët e Kosovës nga forcat serbe.

Nga pikëpamja e tij, ndryshimet kufitare “do të çonin në braktisjen e 80,000 serbëve, duke i lënë ata në nivel shumë të ulët e të dyshimtë të sigurisë dhe mbrojtjes”.

Një nga pak ata që e kundërshtojnë presidentin serb Vuçiq publikisht, Ati Sava vitin e kaluar ishte cak i një fushate të tabloideve në Beograd që e cilësonin atë si një “patriot të madh shqiptar” – apo, në thelb, tradhtar.Koha.net

- Advertisement -spot_img
Të fundit

30 gra udhëheqëse të agrobizneseve përfitojnë 300 mijë euro grante

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami mori pjesë sot në tryezën tematike "Mundësitë e grave në sektorin bujqësor,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img