29,04,2024

Kërkesat minimaliste të kirurgëve !

Must Read

“Kirurgët kanë jetën tonë në duart e tyre, por shumica prej nesh  dinë më shumë për njerëzit që ua  prejnë  flokët, sesa për  mjekët që i prejnë trupat tanë” Michelle  Crouch( gazetar)

Por, çfarë  është  një  kirurg?

Kirurgun e  definojnë  si   një  mjek  i  cili  hapë  trupin  e njeriut me qëllim të heqjes së indeve ose organeve të sëmura, për të riparuar sistemet e trupit ose për të zëvendësuar organet e sëmura me anë  të  transplanteve.  Nisur  nga  kjo  ,  kirurgu  në  njëfarë  mënyre  konsiderohet  si  një “Zot”,  apo shëmbëllimi  i  tij  në  tokë,  i  vetmi që  ka përgatitjen ,  aftësinë  dhe  guximin  për  të përmirësuar “ gabimet” e tija (  Zotit ) apo  natyrës,  të  largojë  ato  të  dëmtuarat dhe  t  i  zëvendësojë  ato  qoftë  me  organe  autologe,  homologe  apo  ato  të krijuara  ,  së  fundmi,  me  inxhiniering  biogjenetik.
 Dhe për  fat  të  keq,    ky  njeri i  perëndishëm , i  cili  ecën  nëpër  tokë  ,  ndonëse  është  kaq  shumë  i  lidhur me  jetën  e  njeriut  dhe  në  çastet  vendimtare  , është  ai  që  mbanë  në  dorë  jetën  e  tij,  shumë  pak  prej  njerëzve  që  bashkëjetojnë  me  të  e  njohin  apo  dëshirojnë  ta  njohin,  deri  në  momentin  kur  sëmundja  e  tij,  e  ndonjë  familjari  apo  miku  të  tij  të  ngushtë , e  ka  sjellë  në duart e  tija,duke  ia  besuar gjënë  më  të shtrenjtë,jetën .
 Shumë  pak  prej  tyre,  njerëzve, do t  kenë  marrë  mundin  për  ta  njohur  apo  për  t  u  interesuar  për  të,  për  rrugën  e  tij, për  kalvarin  e  mundimshëm  dhe  privimet  e  tija  të  parreshtura që  ai  ka  bërë,  për  të  qenë  në shërbim  të tyre,  të  “bashkëqenieve “  të  tija,  një  zot  i dytë  në  tokë,  i  cili  ka  në  dorë  jetën e  tija  apo  të  më  të  afërmëve  të  tij.

Dhe  rruga  e  një  kirurgu nuk  është  një  rrugë  e shtruar  me  lule. Përkundrazi, ajo  është  një  kalvar  i  pafund  mundimesh  e  përpjekjesh;  ajo  është  një  vistër  e  gjatë  privimesh e  flijimesh të  pafund,  të  moshës  më  të  mirë  të  jetës,  të  viteve  të  njëzeta  e  të  tridhjeta,  të  viteve  kur  fillon  dhe  mbaron  rinia, mosha  më  e  mirë  e  jetës.  Dhe  gjersa moshatarët  e  tij   e jetojnë  dhe  përjetojnë  këtë  moshë, pa  i  lënë  asgjë  mangut  kënaqësive,  studenti  i  mjekësisë,   kirurgu i  ardhshëm,  do  jetë i  nxënë me  ligjërata  e  ushtrime  ,  që  fillojnë  nga ora  8-të e  mëngjesit,  nëpër  auditoriume  dhe    mbarojnë  në  ora  18-të apo  20-të,të   mbrëmjes,nëpër  laboratore  e  klinika,  ndërsa shpesh  mëngjesi  do  ta zërë  akoma  të  zgjuar  e  të kërrusur  mbi  librat  dhe  atllasët  e  anatomisë,  fiziologjisë,  biokimisë, të internos , pediatrisë, kirurgjisë e  gjinekologjisë,  e  që  secila  prej  tyre  kërkon  së  paku  nga  gjashtë  muaj  punë e  mësim  të  përkushutuar, sepse  secili  syresh, thuaja,  është  gati  një fakultet më vete!

Dhe  pasi  të  ketë  mbaruar  kalvari  i  studimeve  në  mjekësi,   e  që  mesatarisht  zgjasin  nëntë  vjetë, kolegu  i  tij  i  studimeve  të  shkencave  shoqërore,  tashmë  është  ngopur  nga  kënaqësitë  që jep  jeta  dhe  do  të  jetë  punësuar e të  ketë   krijuar   familje,  ndërsa  kirurgu,  vetëm  sa  ka  ngjitur  gjysmën e  malit  për  ku  ka  filluar ngjitjen, por  që  maja  të  cilën  do e  arrijë  akoma  është  larg,  ndërsa  martesa  dhe  krijimi  i  familjes,  duhet  të  presin  së  paku  edhe  për  5 -6-të  vite , ndërkaq  puna  e  argatit  në  klinika  e  institute,  me  një  pagë  që  mezi  i  mbulon  rrugën  dhe  shujtën e  drekës , shpesh  do  bëjë  ta mallkojë  vetën,  fatin  dhe  familjen,  që  nuk  diti  të bëjë  zgjedhjen e  duhur,  që nuk  pati  fatin e  ish  kolegëve  studentë  të  shkencave  shoqërore ;  të mallkojë  prindërit  që  nuk  e  ndihmuan  në  zgjedhje, madje , disa  nga  ta  edhe  e   yshtën,  duke  ia  lëvduar  e  madhëruar  punën e  mjekut!.

Kur  pas  gjithë  këtyre  sakrificave  e   privimeve  të  pafundme, të  ketë “përfunduar”  mësimnxënien  e  të  ketë  përvetësuar  teknikat  më  të  mira  e  më  të  reja operatore,  do  duhet  të  presë  një  apo  dy  vjetë  mëshirën e  Ministrisë  së  Shëndetësisë,  që  të  shpalli  ndonjë  konkurs  e  të  punësohet  në  ndonjë  klinikë  të  QKUK-ut  apo  në  ndonjë  spital  regjional,  por  që  paga  e  tij  do  jetë , e barabartë  apo  më  e  ulët  se  e  një  shoferi  të  ndonjë  ministri  apo e  një  portiri  e  pastruesi  të  Postës e  të  KEK-ut!
Ndërkaq,    ish  kolegu  i  studimeve,  të  shkencave  shoqërore,psh,  ai  i  juridikut,  tashmë  ka  një  përvojë  mbi  7-8 -të  vjeçare, me  një  pagë  mbi  2300  e  2600  E  ( koeficienti  10-të , apo  11-të),  ndërsa  kirugu  i  cili  do  jetë  një  nxënës i  gjithkohshëm, në  luftë  me  vdekjen, duhet  të  kënaqet  me  një  pagë  prej  549  euro  dhe  t  mos  pretendojë,  për  një  pagë më  shumë  se  1200 Euro (bruto), nëse  Qeveria  tregohet  e  mëshirshme,  për  rritje  të  pagave  dhe  realizim  të koeficientit  nga 3.6  deri  në  5!
Dhe  tashmë kur  ti  ketë  “ buzëqeshur “  fati,  këtij  të  vuajturi  e të  privuari  të  gjithëkohshëm,  kirurgut,  të  jetë  punësuar  në  ndonjë klinikë  apo  spital  shtetëror,  do  vendosi  të  martohet e  të  krijojë  familje,  por  që  familjen  dhe  fëmijtë,  do  mund  t i  takojë  ndoshta  vetëm   për  gjysmë  ore ,  aty  kah  ora  21 apo 22, kur  ata  të  jenë  në  gjumë,  meqë  puna  shtetërore  nuk  arrinë  t’ia  mbulojë  as  shpenzimet  e  rrugës  e  të  ushqimit , ndaj  do  detyrohet  që  pasdite  të  gjejë  një  punë  te  ndonjë  klinikë  private apo, ata  më  të  shkathtit, të  hapin  një  ordinancë,  ku  mund  të  fitojnë  edhe  diçka  tjetër  që  familja  dhe  fëmijtë  e tij, të  mos  lakmojnë  ata të  tjerët  e  lagjes,  burrat  dhe  baballarët  e  të  cilëve  punojnë në  Qeveri, Postë, KEK,  Aeroport  apo  Gjykatë.
Pra , puna  pas  orarit, nuk  është diçka  që  ata  e  dëshirojnë, sepse  edhe  ata  janë  njerëz ,  si  gjithë  të  tjerët, dhe  do  dëshironin të  kishin  një orar të  caktuar  pune, e  pastaj  të  ktheheshin  në  shtëpitë  e  tyre, të  shplodheshin,  të  rrinin me  familjarët  e  fëmijtë  e  tyre  dhe  të mund  të  lexonin e  të  merreshin me  aktivitetet  tjera  dëfryese. 
 Por,  jo,  ata  janë  të  detyruar  të  punojnë  edhe  14-të   e  16-të  orë në  ditë, pa  pushuar,duke  pasur  mallë e  tepër  rrrallë, që  një  të  dielë,  ta  kalojnë  bashkë  me  familjen  dhe  fëmijtë  e tyre .
 E,  nga  ana  tjetër, ish  kolegët  e  tij  studentë, vazhdojnë  të  bëjnë  një  jetë  për  qejfi,  me  një  orar tetë orësh,  të  cilin  s  dijnë  se  si  ta  mbysin,  dhe  pasditet  i  kalojnë nëpër villat  e  tyre  në  Prevallë  e në  Lalzi  të  Durrësit,  kirurgu  i  cili  kthehet  në  21.00apo  22.00 të  mbrëmjes,  i  lodhur  sa  s  ka  më  dhe që  mezi  arrinë  të hajë  si  njeri  një  racion  të  darkës, pjesën  tjetër  të  natës  mund  ta ketë  një  furtunë të pambarim persiatjesh e  ankthi,  për  një  operacion  që   nuk  po  shkon  si  duhet,  paçka  se  ai  bëri  më  të  mirën e  mundshme, por  i  vetëdijshëm  për  mundësitë  e  kufizuara  të  tija,  si  çdo  qenie  njerëzore !.
Mos  e  thëntë  zoti,  që  të  përkeqësohet  gjendja e  pacientit, se  pastaj  do  fillojnë  thirrjet  dhe   bërja  e  gjyqit nga  familjarët  e  të  afërmit:  se  po  ta dinin  që ti  s’mund  t i  dilje  zot,  ata  do  ta  dërgonim  në një  spital  më  të  mirë, madje  edhe  jashtë  shtetit, e  nuk  do  ta  linim  në  dorën  tënde,  ndonëse  deri  atëherë  do të  kenë  harxhuar  gjithë  baterinë  e  lidhjeve,  që  ta  fusësh  në  program si  rast  urgjent !
E,fëmija  që  po  rriten  pa  praninë  dhe   përkujdesjen  tënde dhe  ti nuk  po  i  sheh  duke  u  rritur,  ata  ndoshta  po  i  merr  rruga!Dhe  ti  duhet  të kënaqesh  me  një  pagë  prej  549 euro  ose  të  ndjehesh  i  privilegjuar,  poqese  don  zoti,  e  aprovon Kuvendi  dhe  Qeveria,  koeficientin  prej 3.6 deri në  5  dhe  ti  do  marrësh  një  pagë  1200 euro  bruto,  ndërkohë  që ish  kolegu  i  yt  i  studimeve,  juristi, ka  koeficientin që  fillon  nga  5.5  dhe  mbaron  me  11-të   dhe  tashmë,  çdo  gjë e  ka  në  vijë !

Dhe  kur  tashmë  kirurgët, 20-të  vite  pas  lufte, ata  të  cilët  të  parët  i  dhanë  dërmen  rexhimit  të Millosheviçit, duke  nisur  të  parët  rebelimin  kundër  tij,(shumica  e  nënshkruesve  të  “Apelit  të  215”-ëve  ishin  mjekë  nga  Fak. i  Mjekësisë  ) dhe  të  parët  dorëzuan  librezat  e  LKJ-së,  kundërshtuan  organet  e  dhunshme  dhe  u  përzunë  nga  puna,  hapen  ambulanta  e  spitale  paralele  dhe  e  mbajtën  gjalllë  shëndetësinë,   e  mbrojtën  shëndetin e  popullit,  ishin  më  të  shumtët  që  u  rreshtuan  në  radhët  e  UÇK-së (  kishte  Batalion  të  Shëndetësisë!) dhe  ndihmuan  popullatën  e  të plagosurit,  të  vetëdijshëm  se  janë shpënë  në gjendjen  e  varfanjakëve  dhe të  përbuzurve  , ndonëse  kërkohet e  bëjnë  punë  më  shumë se  çdo  kategori e  të  punësuarëve  publikë, kërkojnë  që  të  vlerësohen  bile  njejtë me  gjyqtarët  dhe  prokurorët,  kërkesat  e  tyre  shpallen  si  maksimaliste e  të  parealizueshme ,  ndërsa  ata  anatemohen  dhe  sa  nuk  shpallen  armiq  të  popullit  e  të  shtetit , sepse  kërkesa  e  tyre qenka  jorealiste, meqë  një  gjyqtar  e  prokuror  vleka  më  shumë, pasi  ata  kryekan  punë  me përgjegjësi  dhe  qenkan  të  rrezikuar!

Por,  ne shtrojmë  një  pyetje  fare  të  thjeshtë : cilat  janë  kriteret  apo  premisat   për  të  fituar një  vlerë  koeficienti ? Nëse  kriter i  parë  do  duhesh  të  jetë  shkollimi  , atëherë  shkollim  i  ynë  e  tajkalon  shkollimin  e  strukturave  të  vlerësuara  me koeficientë  prej  5.5  deri  11-të,  për  dy  tre  herë, sepse  shumica  nesh,  pas  fakultetit, kanë  kryer  5  apo  6-të  vite   specializim, shumica  syresh   kanë të mbaruar  edhe  mastera  e  doktorata  , në një  kohëzgjatje  nga  tre  deri  pesë  vjetë ;  nëse  merret  si  kriter përgjegjësia  në  punë, atëherë  përgjegjësia  e  një  gjyqtari  dhe  prokurori  ,  për  të  dënuar  një  delikuent  apo  një kriminel,  është e pakrahasueshme me  përgjegjësinë e  mjekut dhe  kirurgut, për  të  shpëtuar  jetë;  nëse një kriter  tjetër  është  rrezikshmëria  në  punë,  atëherë  të  parët ( gjyqtarët  dhe  prokurorët)  kanë  vetëm  rrezikun  hipotetik,  i  cili  kurrë  mund  të  mos  bëhet  real,  ndërkohë që mjeku dhe  kirurgu,  pos  këtij  rreziku hipotetik ,   që mund  të jenë të sulmuar  në  çdo  moment  nga  familjarët  e përcjellësit  e  pacientëve të  frustruar (  siç  edhe  ka  ngjarë  shpesh),  kem  edhe  rrezikun  real,  atë  të  lëndimit  gjatë  një  nërhyrje  operatore  dhe  infektimi  me  virusin e HIV-it , apo të  hepatitit “C”;  rrezikun  nga  rrezatimi  me  rrezet  rëntgen,  nga  përdorimi  i  kemikalieve  dhe  anestetikëve, që  përthithim   në  sallat  e  operacionit,  gjë  që  për  çdo  ditë i  nënshtrohemi  dhe  për  çdo  ditë  e  bën jetën  tonë  më  të  ekspozueshme  e  më jetëshkurtër,  pa  mos  përjashtuar  stresin  dhe  ankthin  e  përditshëm  që jep  profesioni  i  mjekut  dhe kirurgut,  për  çka  edhe  ata  njihen  si  kategoria  më  e  “  disponueshme” ,  për  të  bërë  vetëvrasje .

Por , si  është  gjendja  në  shtete  tjera,  ato  përendimore,  ku  jeta  çmohet  si  gjëja  më  e vlefshme  e  njeriut  dhe  kirurgu ka  vlerësimin  maksimal,  e  paga  e  tyre  tejkalon  pagën e  kryetarëve  dhe  kryeministrave  të  shteteve,  e  lërë  me  të gjyqtarëve  dhe  prokurorëve.

Më poshtë po  u  jap  njëtabllo  të  pagave  të  kryetarëve  dhe  kryeministrave  të  shteteve  me  standard  dhe  fuqinë  ekonomike  më  të  lartë  si  dhe  pagat  e  gjyqtarëve  dhe  prokurorëve  nga  njëra  anë ,  e  të   kirurgëve  nga  ana  tjetër , për  të  parë  se  sa  e  arsyeshme  dhe  sa  minimaliste  është  kërkesa  jonë,  e  kirurgëve ,  për  rritje  pagash të mjekëve, në  nivel  të  gjyqtarëve dhe  prokurorëve.

1. SHBA : Paga vjetore  e  kryetarit  të shtetit rezulton  të  jetë  400,000 dollarë; ajo  e  një  senatori  174,000,  anëtarëve  të kabinetit $199,700  dhe një  urologu  që  fillon  nga   $322,682 dhe  shkon  deri $428,841, pra  me  një  page vjetore  mesatare  prej $367,701.,  ndërkaq  ajo e  gjyqtarëve  dhe  prokurorëve  mesatarisht  arrinë  shifrën prej    $115,820.

2. Kanada: Kryeministri  kanadez  ka  pagë  vjetore  prej  $265,000, ministrat  e  kabinetit  qeveritar 255,300, parlamentarët  172,700  dhe  juristët  arrijnë pagë  mesatare  deri  66.000dollarë amerikan,ndërsa për  urologët mesatarë pga  është  $244,933  dhe  ata  me  pozita  më  të  larta mund të arrijnë  deri   $284,954,pagë  vjetore;

3.  Australia  : 410,000 USD ( Guvernatori  i  Përgjithdhëm);  Kryeministri, 328,600 USD;   anëtar  i  Tribunalit  {  gjyqtar, prokuror), $119,219 , urologu $433,792, neurokirurgu  $577,674 ;Oftalmologu,$552,947; 4. Japonia : Imperatori  (  grant  mbretëror)3,086,890 USD ;  kryeministri 253,800 USD; urologu $453,000;  gjayqtarët  dhe  prokurorët deri$100,000); 5. Norvegjia : mbreti   33.237.000 USD(  grant  mbretëror);  kryeministri 210.714  USD; urologu  253.000   dhe  mjeku  i  praksës  së  ërgjithsme  117.000 USD; ndërkaq  rroga  mesatare  për  jurist  dhe  prokuror  është $136,366; 6. Suedia :  Mbreti (  Grant mbredtëror);  kryeministri$230,926 ; urologët nga $197,863-$214,782.; 6. Zvicra :Kancelari federal,219.420 USD;  urologu $299,337 ; gjyqtarët  dhe  prokurorët  165.354  dollarë ; 7.   Franca:Kryetari , €181,680, ndërkaq  urologu 217. 278 €. Nga  këto  të dhëna  shihet  fare  mirë se  cili është  vlerësimi  për  mjekët,  gjegjësisht  kirurgët  që u  bëhet  në shtete  perëndimore, meqë atje  konsiderojnë  se :“… bota u detyrohet ( mjekëve- nën. I.H.) ,njëfarë kompensimi , në formën e pasurisë, respektit dhe statusit shoqëror”,  ngaqë : “… askush nuk ka mundësi të riparojë një martesë të prishur, apo të rikthejë dëmin e shkaktruar fëmijëve nga neglizhimi i pretenduar i etërve“ (Erik Segal, “Mjekët”),  ndaj edhe   një kirurg , si  ky  i  cituari më  poshtë,  mund  të  shkruaj  se:“Mua  kurrë nuk më  ka  ardhur keq që kam  studjuar  mjekësinë, do ta bëja përsëri nesër dhe do t’ua them të gjithë të rinjve që e konsiderojnë atë, mjekësia është një thirrje, është më shumë se një biznes.E zgjodha kirurgjinë mjekësore-sepse kombinonte një kërkim për njohuri me një mënyrë për të shërbyer, për të shpëtuar jetën dhe për të lehtësuar vuajtjet “, (C. Everett Koop, kirurg pediatrik),  përkundër  mjekut  dhe  kirurgut  kosovar ,  të cilët  profesionin  e  tyre  e  konsiderojnë  si  një mallkim dhe  mezi  presin  të ikin  nga  sytë-këmbët,  në  kërkim  të  një  vlerësimi  më  dinjitoz, ndërkohë  që pushtetarëti  kanë  vënë punët  e  tyre  në  vijë  dhe   gjyqtarëve  e prokurorëve  u  kanë  nivelizuar  pagat  me  të  tyre,  kinse  për  të  luftuar  korrupsionin .  Në  të vërtetë  ,  me  këtë  kanë  blerë rahatinë  dhe  komoditetin , nga  ndjekjet  e  mundshme,  të  vetëdijshëm   se në  majë  të  piramidës  sëkorrupsionit   janë  vetë  ata,  të  ulur  këmbkryq , një  kusht  ky  i paplotësuar për  liberalizimin e  vizave  dhe  një  mbyllje  në  geto  e popullit  të  Kosovës,  të  cilët po  e  vuajnë   si haraç  ,     babëzinë  e  pushtetarëve  të  pangopshëm   !
Isa  Haxhiu,  urolog,  QKUK .

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjendet i vdekur një person në Entin Special në Ferizaj

Një person ka vdekur në Entin Special në Ferizaj. Këtë e ka bërë të ditur Drejtoria Rajonale e Policisë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img