“KULLA PRISHTË”

Share

Duke i takuar gjeneratave që e kaluan edhe kohën kur ishim të shtypur e të okupuar dhe pothuajse të barabartë në varfëri e në ngritje arsimore, rrjedhat e aktualitetit politik natyrshëm ma kthejnë kujtesën në asociacione retrograde të kohës së rinisë së hershme e lojërave të kohës, kur topin e futbollit e improvizonim me çorape të shqyera, ndërkaq bënim edhe lojëra të tjera argëtuese.

Bizariteti i ditëve të sotme në skenën politike, si për koincidencë, më kujtoi edhe një lojë që e quanim “Kulla prishtë”. Si të rinj, në rrethanat e kohës, gjenim argëtim duke shembur një kullë të ngritur me gurë të grumbulluar në natyrë. Posa njëri grup e improvizonte kullën, grupi nga ana tjetër, me breshëri gjuajtjesh e rrënonte kullën, dhe kështu vazhdonte përsëritja e lojës. Kështu kujtesa ime sjell edhe përjetimin e rrezikut të lëndimit që mund të sillte hedhja e gurëve drejt kullës, ende pa u larguar grupi ndërtues.

Metaforikisht e paradoksalisht, sikur sot vendi ynë, gjegjësisht shoqëria jonë apatike, me “Kullën e ngritur – Shtetin e ndërtuar – me Kuvendin si tempull të demokracisë”, për të cilin është investuar deri në çmimin e jetës së larë me gjak, po lejon që ky projekt i quajtur Republika e Kosovës të shndërrohet në një “Kullë të prishtë”, dhe për mjerimin e vetëdijes shoqërore, ende nuk po shihen limitet e indiferencës qytetare.

Duke lënë anash asociacionet negative, si ish-aktivist i LVV-së nga viti 2010 deri në vitin 2019, me idealet e Vetëvendosjes së dikurshme, me idealin e bashkimit kombëtar, shtetit të së drejtës dhe barazisë sociale, sot reflektoj sikur më parë, kur e hodha gazin lotsjellës në Kuvendin e Këshillit Drejtues të LVV-së në Ferizaj, si kundërreagim ndaj mohimit të fjalës së lirë si fundament i demokracisë.

Reflektoj jo në vetëfajësim për kontributin, gjithsesi mëkatar, të dhënë për ndryshim dhe avancim shoqëror, ku pothuajse cep më cep e kemi kallur Prishtinën, por për atë që rezultoi me një mbindërtim – ngrehinë të quajtur Vetëvendosje, tashmë Mbivendosur mbi kupolën e kalasë, me tendencë rrënuese e të drejtuar nga një dhe vetëm një njeri i quajtur “Albin Baba”.

Kriza aktuale me domosdo e nxjerr në dritë doktrinën politike të LVV-së në dokumentin 52-faqësh “Mbi organizimin politik”, cit.: “Ne s’do të arrijmë ta marrim pushtetin pa një gjendje të jashtëzakonshme dhe mbase as ta mbajmë atë pa një gjendje të tillë për një kohë…” (faqe 45).

Hipokrizia shoqërore e normëzuar, fatkeqësisht, po vazhdon të rrjedhë para syve tanë nga njeriu i deliruar me reflektim të pushtetit, me sindromën hubristike (pushteti i teprisë), me tendencë të pushtetit omnipotent drejt totalitarizmit autokratik.

Hipokrizia kulminante drejt rrënimit kushtetues po vjen nga njeriu që me zë dhe figurë shprehej: “Kush e shkel ligjin është kriminel, ndërkaq kush e shkel Kushtetutën është superkriminel.”

Për ata që mendojnë dhe thirren në legjitimitetin e votave me mbi 50%, përgjigjen për hipokrizinë e kemi prapë nga rrënuesi i legalitetit. Cit.: me zë dhe figurë: “Edhe Hitleri ka qenë i zgjedhur, edhe Millosheviqi ka qenë i zgjedhur…” – epilogu i të cilëve dihet.

Hegjemonia manjake paranojake mbi çdo krijesë që eklipson pamjen e “babës”, mbetet premisë e “Déjà-vu-së” (tashmë e parë) i “filmave” të metrazhit të shkurtër.

P.S.

Empirizmi historik na mëson se: Kriza, kriza, kriza…, si doktrinë politike, vjen si yvertyrë polarizuese, e kthyer në krizë institucionale drejt anarkisë, e cila do të ishte dëmi më i madh për ne, ndërkaq shërbimi më i madh për armikun kujdestar.

Me gjasë, ende s’kemi parë asgjë, polarizimi i ushqyer ndër vite mund të sjellë gjendjen e “Zhamevy-së” (asnjëherë e parë), që mund të jetë një “film” i metrazhit të gjatë.

Le të shpresojmë që “Kullat tona”, që u përgjakën për kullën e madhe të Republikës, të mbesin simbolikë e kujtesës së lavdishme dhe të mos kemi nevojë t’i shkundim përsëri!

Ish aktivisti i LVV-së, prof. Enver Bajrami 

Të ngjashme: