Një projektligj rutinë ndezi shkëndijat mes përfaqësuesve nga parti të ndryshme në të njëjtin koalicion.
“Nuk mund të hartohet drafti në rrugë e sipër as nga një grup parlamentar, as nga një komision i posaçëm, as nga një komision specialistësh të nivelit të lartë. Se unë nuk e di kush e çmon se qenka një grup specialistësh të nivelit të lartë dhe një tjetër i nivelit të ulët. Unë them, na i qartësoni. Drafti juaj nuk është draft i Ministrisë së Drejtësisë”, deklaroi nënkryetari i LSI, Luan Rama.
“Ne duhet të kemi respekt për të gjithë këta që kanë ardhur e kanë lënë punën si gjyqtarë e prokurorë, sepse nëse ka ndonjë problem tjetër edhe unë edhe zoti Rama mund ta trajtojmë në komisionin e ligjeve”, replikoi deputeti i PS, Fatmir Xhafaj.
“Kjo veprimtari nuk është as e 6 muajve, as e një viti, por e 4 viteve. Ministria e Drejtësisë ka 4 vjet që punon në një projekt me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale”, tha Artan Hoxha, ekspert i nivelit të lartë.
SPAK dhe kompetencat për përgjimet ishin tema më delikate e diskutimit. Këtu LSI nuk u përplas me PS, por me policinë.
“Ndërhyet vetëm kur vendoset nga gjykata dhe për vepra penale të rënda, që cënojnë sigurinë kombëtare dhe atë sociale. Ju e imagjinoni ç’do të thotë abuzim me vendosjen e përgjuesit në shtëpi?”, argumentoi ministri i ri i Drejtësisë, Petrit Vasili.
“Nuk jemi dakord që autorizimi për përgjimet ambjentale të kalojë nga prokuroria dhe gjykata. Nuk kemi pasur ndonjë problem me aplikimin e përgjimeve ambjentale”, sqaroi Sokol Selfollari, ekspert i policisë.
Gjithashtu, përfaqësuesi i policisë la të kuptohet se SPAK duhet të fokusohet tek hetimi i korrupsionit të “peshqve të mëdhenj” dhe jo tek çdo nivel mitmarrjeje.
“Vetëm në muajin e fundit janë 39 raste kur shtetas të ndryshëm kanë tentuar të korruptojnë punonjës të policisë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke dhënë 500 apo 1 mijë lekë të reja. Sipas draftit aktual, këto vepra hetohen nga SPAK. Por këto janë vepra që nuk kanë as nevojë për hetim sepse janë të filmuara nga kamerat e trupit. Mendoj se kompetencat e SPAK duhen parë”, tha Selfollari.
Kjo ide u mbështet edhe nga prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme. “Do të ishte mirë të bëhej një ndarje “korrupsion i madh” dhe “korrupsion i vogël” dhe që struktura të merret më tepër me subjektin që kryen korrupsionin”, deklaroi Alfred Progonati. /tch/