05,05,2024

Përjetimi i një “bote” të vizatuar përmes enterierit unik të një kafiteri në Ferizaj

Must Read

Një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit ka bërë vend për një “botë” unike, të fshehur brenda mureve të një lokali. Duket sikur një pëlhurë e bardhë ka mbërthyer gjithë hapësirën e lokalit “Bianco Coffee” në Ferizaj, e në të është shkrirë arti i vizatimit. Thuajse gjithçka e krijuar vetëm si skicë, por e mbushur me ngrohtësinë që ngjallë përjetimet e një bote të animuar.

Kjo kafiteri ka sjellë një enterier krejt ndryshe nga ajo që syri sheh në kafiteri e lokale të ndryshme gjithandej vendit. Pak elemente fizike e shumë të krijuara nga brusha dhe ngjyra e artit.

Gjithçka e bardhë me vija të zeza e vizatime gjithandej është krejt çka ofrohet në këtë lokal. Dritaret që bëjnë ndarjen e “pamjes” përtej mureve dhe imazhi që ruhet brenda lokalit gjithashtu nuk janë të rëndomta, ato kanë marrë formë vetëm nga vizatimi. Njëjtë qëndron edhe me një raft librash e një mace që nuk lëvizë kurrë. Disa poqa elektrikë, ora e murit, pikturat e murit, saksitë me lule e shumë detajet tjera janë të paprekshme fizikisht, por arritshëm për të të prekur me ndjesi pozitive.

Përjashtimin e vetëm nga bota e animuar e bëjnë tavolinat dhe karriget së bashku me pjesën e banakut, që pashmangshëm mbesin fizike. Por, edhe ky inventar i është përshtatur konceptit të kësaj kafiterie, duke pasur elemente të artit të vizatimit.

Pronari i kafiterisë “Bianco Coffee”, Ensar Reçica ka treguar pse është sjell ky lokal në konceptin unik.

“Jemi percaktuar për këtë enterier nga fakti se klientela gjene prehje pushimi dhe relaksi në këtë ambient. Në këtë enterierin e kësaj kafierie është bërë gërshetimi i modernes, traditës dhe te veçantës”, ka thënë ai.

Që piktorja Ermira Murati tu japë jetë mureve të kësaj kafiterie, përmes artit pamor, është bërë një analizë për t’i ikur të rëndomtës.

“Inspirimi për këtë lokal, në këtë formë,  ka ardhur pas një analize qe u kemi bërë lokaleve të tjera në tregun tonë. Thjeshtë kemi dasht që të sjellim diçka më unike për klientët që kalojnë kohë në hapësirën që kemi krijuar”, ka shtuar tutje ai.

Derisa në Ferizaj dhe në qytete tjera të Kosovës ka kafiteri të shumta, e veçanta është që bënë njerëzit të tërhiqen drejtë ambientit të “Bianco Coffee” .

“Kafiteria me këtë enterier po pritet shumë mirë nga klientët sepse është diçka e re. Duke qenë se është diçka e pa parë më herët tek ne, disave nuk po ju besohet, kur po e shohin lokalin nëpër rrjete sociale”, ka treguar Reçica.

E gjithë kjo krijimtari në enterier, e realizuar me pak mjete, ka një ndriçim të lehtë artificial dhe të ngrohtë, për tu përshtatur me konceptin që mbahet brenda metrave katrorë të këtij lokali.


- Advertisement -spot_img
Të fundit

Rinia e PDK-së me aksion simbolik: Qeveria Kurti po tenton ta përmbysë Ferizajn

Rinia Demokratike e Kosovës ka protestuar në Ferizaj, përmes një aksioni simbolik duke “peshkuar” në rrugën magjistrale, të përmbytur...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img