27,04,2024

Për një vit, në Ferizaj u asfaltuan 54 kilometra rrugë

Must Read

Në seancën e rregullt të Kuvendit komunal të Ferizajt, të premte është debatuar puna e qeverisë lokale për vitin e kaluar.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, para këshilltarëve ka prezantuar raportin e punës së ekzekutivit komunal, duke përshkruar objektivat e arritura në këtë periudhë kohore.

“Në këtë sallë teatri, jashtë vendit ku rëndom për vite bëmë debatet për sfidat e të arriturat e qeverisjeve, të detyruar nga gjendja epidemike, pikërisht sot, po shpalosim dokumentin bazë e përmbledhës të djersës së qindra punonjësve, mijëra faqeve vendime e udhëzime, projekte e pafund veprime investuese me sytë drejt një dëshire: jetës më të mirë të ferizajasve. Sot pra, po shpalosim Raportin Vjetor të Punës për vitin 2019 të qeverisë sime lokale. E kush më shumë sesa ferizajasit dijnë e përjetuan vitin që shkoi, dorën e shtetit në lagjet e fshatrat, kthinat e çdo rrugë ku frymon qytetari. Ato kënde, ku qytetarët jetojnë e plaken, rrisin biznesin, e mbushin xhepin me të mirat nga vet puna e tyre, kaherë kërkonin diell.

E qeverisjet kanë një obligim, fundja shteti këtë rol thelbësor ka, një kuptim ekzistence: lehtësimin e përmirësimin e jetës, punës ditore të të gjithë qytetarëve.

2019 – ishte edhe një vit më shumë në harkun e shkurtër por suksesplotë të vitit të dytë të qeverisjes. Këtë e them nisur nga faktet kokëforta, që sot keni para vetes.

Zgjedhuar në fushat ku mbërrin leva jonë e qeverisjes në shtrirjen e kompetencës së saj, 2019-ta i solli ferizajasve, rritje të të hyrave vetanake prej 12% më shumë sesa vitin paraprak, që përkthyer me gjuhë të thjeshtë e interes qytetar, i bie më shumë buxhet, rrjedhimisht më shumë investime për komunitetin”, është shprehur Kryetai Aliu.

Numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, në këtë mbledhje  ka shtuar se shpenzimi racional i buxhetit dhe ulja e shpenzimeve kanë qenë prioritetet e qeverisjes së tij.

 “Bizneset përfituan nga vendimi që morëm për heqjen e taksës për ushtrimin e veprimtarive, të papunët i asistuam në procesin e punësimit në mbi 500 vende të lira pune në ekonominë private Në infrastrukturën rrugore e shërbimet publike, rilindëm shërbimet në fshat e qytet. Nisëm procedurat për rikonstruktimin e rrugës nga ura në Bibaj deri tek kyçja në autostradën “Arbën Xhaferri”.

Njëkohshëm edhe perlës së turizmit ferizajas, maleve të lakmueshme të Jezercit, po i japim dimensionin e zhvillimit me procedurat që nisëm për përfundimin e infrastrukturës rrugore në gjithë këtë trup me peshë turistike.

54 kilometër rrugë e mijëra banorë që jetojnë skaj tyre, nuk do ta çelin më ditën mes baltës. Asfaltuam ato bashkë me rregullimin e mbi 6 kilometër trotuare, 1,4 kilometër rrjet ujësjellësi e rregullim të 16 kilometrave kanal atmosferik.

Ferizaj ndriçon në shumicën e rrugëve. Vetëm gjatë 2019-tës shtrimë mbi 4 kilometër rrjetin e ndriçimit publik e më të kërkuarat investime për të zbrazur trafikun janë edhe investimet që bëmë në 4 kilometër shteg të çiklistëve.

Edhe në pikëpamje të projekteve madhore, shumë nga to janë në stadin më të zhvilluar tashmë, e janë pak muaj që ndajnë ferizajasit nga dobia e drejtpërdrejt e tyre.

2019-tën e mbyllëm edhe me procedurat për projektin strategjik të ndërtimit të Fabrikës së Ujit në Talinoc të Muhaxherëve. Si më të shtrenjtën e pjesë të pandashme të programit e vendimmarrjes sime të përditshme politike janë edhe investimet që kryem në nisma komunitare, mbrojtjen e familjes, me theks të veçantë përkrahja e parezervë për grupimet sociale në luftë kundër narkotikëve e dukurive tjera devijonte”, ka potencuar Kryetari Aliu.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu duke raportuar për punën njëvjeçare të Komunës duke thënë se rëndësi e veçante i është kushtuar edhe luftës kundër amoralitetit, veprave devijonte ku përmes Inspektoratit të Komunës janë kryer mbi 1000 kontrolle inspektuese që rezultuan me mbylljen e kazinove, bastoreve, qendrave të masazhit si dhe dhjetëra lokaleve në veprimtare devijonte të dyshimta.

Kryetari tutje ka folur edhe për të arriturat në arsim, shëndetësi, por edhe heqjen e mbi 50 deponive ilegale të mbeturinave me mbi 1700 tonelata mbeturina, vendosjen e 700 kontejnerëve familjar në afërsi të objekteve të banimit kolektiv, mbjelljen e mbi 30,000 luleve e mbi 400 drunjve dekorativ, pastrimin e 72 kilometrave kanal ujor dhe shtretër lumenjsh – të gjitha këto për pastërtinë, mbrojtjen e ambientit, që sidomos këto kohë, u vërtetua për të satën herë, që është domosdoja e shëndetit publik.

Arian Imeri, shef i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ka vlerësuar tejet lart raportin e punës së Qeverisë Lokale të Ferizajt, duke vlerësuar për një transparencë të madhe të treguar gjatë vitit që sapo e lame pas.

Ndërkaq partitë opozitare në mënyrë të ndryshme kanë pasur edhe vërejtje e tyre për këtë raport.

Të gjitha vërejtjeve të partive opozitare i janë përgjigjur drejtoret veç e veç, ndërsa të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar në fund edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, me c’rast ka falënderuar të gjitha grupet parlamentare për kontributin e dhënë në këtë mbledhje.

Imri Hashani, këshilltar nga LDK-ja, ka thënë se raporti vjetor i punës së ekzekutivit ka një varg mangësish dhe gabimesh teknike, ndërkaq disa drejtori atë e kanë përgatitur në mënyrë profesionale. Sipas tij, 23 për qind e këtij raporti përmban zhvillimet në sektorin e Shëndetësisë.

Nuk pajtohem me ekzekutivin se kinse transformimi i Ferizajt ka filluar me këtë qeverisje. Nuk ka filluar e as nuk do te mbaron me këtë qeverisje, sepse transformimi ka filluar që nga paslufta. Mirëpo, qytetareve u intereson sa është mbledhur buxheti dhe si është shpenzuar, mirëpo një shpenzim në detaje nuk po e shohim në këtë raport. Kemi 17 aneks kontrata në vlerë prej një milion eurosh, mirëpo për secilën kontratë mund të jepen anekse të tilla vetëm 10 për qind e vlerës së kontratës, andaj kjo i bije se është dashur të investohen 10 milionë euro, por që në raport nuk e kemi këtë prezantim”, ka thënë Hashani.

Në këtë mbledhje me shumicë votash është votuar edhe propozim-vendimin për shpalljen e interesit të përgjithshëm të pjesës së ngastrës kadastrale 400-0 për ndërtimin e shkollës fillore në Talinovc të Muhaxherëve, si dhe propozim-vendimi për shpalljen e interesit të përgjithshëm për pjesët e ngastrave kadastrale nr.496-3, 499-0,500-1 dhe 500-2 të zonës kadastrale në Ferizaj.

U diskutua edhe për raportin financiar për përudhen janar-mars 2020, si dhe u miratua edhe propozim-vendimi i korrigjimit të vlerës së mjeteve për bartjen nga vitit 2019 në vitin 2020.

Ndërsa më shumicë votash u aprovua edhe propozim vendimi për Aprovimin e Planit të Veprimit për Efiqiencë të Energjisë për vitin 2020-2022.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Dy të plagosur në Ferizaj pas të shtënave me armë

Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë në mesnatë. Rasti ka ndodhur në në...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img