Pas disa kthesave në konsultime rreth votimit, ku kishte edhe ide që të mos votohej fare, në Komisionin për liri qytetare, drejtësi dhe punë të brendshme të Parlamentit Evropian është miratuar raporti për liberalizimin e vizave për Kosovën, por është refuzuar dhënia e mandatit për negociata me Këshillin për këtë çështje.
Raportuesja Tanja Fajon e ka quajtur megjithatë këtë votë si “pozitive”, sepse nuk do të ketë nevojë për rivotim në këtë Komision parlamentar, por mandatin duhet ta japë i tërë Parlamenti në përbërje të plotë, në seancë plenare, shkruan sot Koha Ditore.
E seanca e radhës do të jetë javën që vjen, ndërsa më vonë vetëm në tetor.
Parlamenti Evropian në seancë plenare takohet vetëm një herë në muaj.
Fajon ka bërë të qartë se pa përmbushjen e dy kushteve të mbetura nuk do të paraqitet fare për votim në seancë plenare heqja e vizave për Kosovën dhe kjo u bë e qartë edhe nga deputetët tjerë të Parlamentit Evropian.