Nëse diplomacia nuk e ka përcjellur emrin dhe produktin e Kosovës nëpër shumë vende të botës, rrobat e dizajnuara në Kosovë kanë arritur të dalin edhe në qilimat e kuq me famë në botë dhe të vishen nga artistë gjigantë si “Beyonce”
Të inspiruar nga suksesi i disa kreatorëve kosovarë, disa nxënës të Ferizajt ia kanë mësyrë shkollës së dizajnit të modës, nga ku synojnë të dalin me brendin e tyre.
Vitet e fundit, suksesi i fushës së modës ka nxitur edhe hapjen e drejtimeve shkollore për përgatitjen e kuadrove të reja për stilimin dhe krijimin e rrobave dhe aksesorëve.
Dizajnerë të ri pritet të dalin edhe shkolla e mesme e agrobiznesit dhe teknologjisë, “Zenel Hajdini”.
Tre shokë të klasës në këtë shkollë po punojnë në vazhdimësi për koleksionet e tyre të modës.
Nga detajet e vogla qepjeje në fustane ekstravagante, Vanesa Hashani, nxënëse e klasës 11 në këtë shkollë thotë se me këtë drejtim shkollor është një hap më afër drejt ëndrrës.
“Dizajni modës është pasioni im që e vogël kam pasur dashuri dhe talent per këtë drejtim dhe fatmirësisht shkolla e mesme më ka mundësuar të vijojë mësimet në fushën e dizajnit të modës në këtë moshë aq të re”, thotë ajo.
Ajo thotë se në të ardhmen e afërt mendon të shprehë talentin e saj dhe shumë vende t’ia njohin kreacionin.
Për këta të rinj edhe pse materialet mund të jenë financiarisht të shtrenjta dhe duhet mjaft kohë e kujdes për të ardhur deri te produkti përfundimtar, nuk i ndalon të sjellin diçka të re në veshje e aksesorë.
“Dizajni është synimi im parësor në jetë dhe unë do të punoj gjithmonë në këtë degë dhe tu ofrojë njerëzve modele të reja “ – thotë nxënësja Leona Shala.
Edhe për Leonën, shkolla është ndihmesë e madhe.
“Shkolla na ndihmon shumë sepse na përgatit nga ana praktike ashtu edhe profesionale“, thotë ajo.
Fustanet elegante janë disa nga krijimet e Shaban Tahirit, po ashtu nxënës në këtë shkollë.
“ Ideja që të merrem me dizajn erdhi duke e parë kreativitetin shqiptar, dhe doja të drejtohesha në këtë degë që të sjell diçka të re. Inspirimin e marr nga gjërat më të thjeshta si janë natyra ose diçka që lidhet me jetën tonë “, thotë ai.
Synimi kryesor i stilistëve të ardhshëm është përfundimi i fakultetit dhe sjellja e një trendi të ri në modë.
“Në të ardhmen e afërt e shoh vetën me një lokal timin dhe me përfundimin e fakultetit“, thotë Shabani.
Këta stilistë punojnë shumë duke filluar nga idea e duke kaluar tek stilimi nëpërmjet një rruge tërësisht profesionale, për të arritur tek produkti.
Ata me mendjemprehtësi dhe pasion transformojnë pëlhurat, ngjyrat, modelet, copat, me qepje dhe prerje në veshje dhe aksesore elegantë.
Nxënësit thonë se përveç shkollës u ndihmon edhe praktika private në këtë fushë.
Profili Konfeksion, në Shkollën e Mesme të Lartë “Zenel Hajdini” në Ferizaj u hap për herë të parë në vitin shkollor 2017/2018 me kërkesë të bizneseve ferizajase.
Drejtori i kësaj shkolle, Abdullah Imeri për KALLXORinia ka treguar sukseset e drejtimeve të reja në këtë shkollë.
“Ky profil edhe pse për herë të parë në Ferizaj u mirëprit shumë edhe nga nxënësit dhe kishte që në vitin e parë një numër të madh të nxënësve të interesuar. Karakteristikë e të interesuarve ishte edhe suksesi i tyre i mëparshëm , që tregoi se ka profile që edhe nxënësit e shkëlqyeshëm mund të orientohen në shkolla profesionale kur profilet janë atraktive dhe nevojë e bizneseve”,thotë ai.
Ai tregon se këta nxënës qysh në gjeneratën e dytë filluan qepjen e uniformave për personelin arsimor.
“Tani në këtë shkollë kemi edhe gjeneratën e parë e cila pritet të diplomojë së shpejti dhe të ti kthehen tregut të punës më një përgatitje të kënaqshme profesionale”, shpjegon Drejtori.
Momentalisht në këtë profil sipas tij janë 75 nxënës në tri gjenerata ndërsa thonë se planifikojnë vazhdimin e këtij profili pasi ka interesim të nxënësve.
Sfidë e vetme sipas tij ka qenë sigurimi i kushteve, makinave të qepjes në sasi të mjaftueshme për numrin e nxënësve.
Ai thotë se janë munduar të bëjnë më të mirë për sigurimin e këtyre materialeve ndërsa ka bërë thirrje për investim më të madh në këtë fushë.
Autorja Kadrije Ramadani është nxënëse e klasës XI/10 nga gjimnazi “Shaban Hashani”, në Ferizaj. Artikulli është prodhuar në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente të veçanta në fushën e gazetarisë hulumtuese”, të përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit