01,05,2024

OVL e UÇK-së – dega në Ferizaj: Është për keqardhje heshtja e institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës

Must Read

Sot, zyrtarë të EULEX-it kanë kryer një aksion basitsjeje në zyret e OVL të UÇK-së dhe kanë arrestuar kreun e kësaj Organizate, Hysni Gucatin dhe nënkryetarin, Nasim Haradinajn.

Për këtë aksion ka reaguar OVL UÇK në Ferizaj, ku këtë akt e quajnë sa të pahijshëm aq dhe të dëmshëm për marrëdhëniet e tyre me Bashkësinë Ndërkombëtare, dhe me ata që pritet të ndajnë drejtësi

OVL e UÇK-së, Dega në Ferizaj vlerëson se është koha që të reflektojnë të gjithë, institucione qendrore e lokale, media, organizata tjera për të kundërshtuar me argumente këtë formë  të sjelljes ndaj institucioneve që kanë  dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila ka  pikërisht këtë mision – Mbrojtjen e  vlerave të luftës dhe promovimin e idesë për për një shtet 100% të pavarur.

Ja reagimi i plotë i tyre:

KOMUNIKATË – OVL e UÇK-së – dega  në Ferizaj

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – dega në Ferizaj, të mbajtur sonte, më 25.09.2020, i kemi parë me shumë shqetësim ngjarjet e ditëve të fundit, më konkretisht të ditës së sotme në zyret qendrore të OVL-së në Prishtinë.

OVL e UÇK-së Dega në Ferizaj e vlerëson krejtësisht të panevojshëm spektaklin e  krijuar sot me rastin e bastisjes së zyreve  të OVL-së dhe arrestimet spektakolare të krerëve të organizatës sonë. 

OVL e UÇK-së është organizatë politike, vullnetare, e përcaktuar fuqishëm në  mbrojtje të vlerave të luftës së shenjtë të UÇK-së dhe në mbrojtje të të gjithë pjesëtarëve të saj dhe misionit të luftës së UÇK-së, për të krijuar një shtet të lirë për të  gjithë, të pavarur dhe  të  sigurt për të  gjithë banorët, pa dallim, feje, kombi  apo  raceje.

OVL e UÇK-së Dega në Ferizaj bën thirrje  për maturi, për sjellje qytetëruese dhe për respekt të ndërsjellë. Askujt nuk i bën nderë arroganca, sjelljet e padinjitetshme të kujtdo qoftë.

OVL e UÇK-së Dega në Ferizaj vlerëson se veteranët, përkatësisht zyret e OVL-së  nuk janë adresa për bastisje e arrestime të papritura me  përgatitje  e arsenal, kur  kihet  parasysh fakti se askush nuk po ikë  askund dhe kjo do të mund të bëhej me një ftesë në mënyrë krejtësisht normale. Krijimi i përshtypjeve sikur po kapen kriminelët dhe po bastiset ndonjë  organizatë kriminale, është i dhimbshëm për çdo veteran luftëtar të këtij vendi, për çdo qytetar që krenohet me luftën e  UÇK-së.

Është tejet për keqardhje edhe heshtja e  institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pamjet e  arrestimeve  nga njësitë policore të Republikës së Kosovës, të djemve tanë më të mirë, shumica e të  cilëve janë luftëtarë e bij luftëtarësh, janë  pamje që nuk do të duhej t’ua ofronim prindërve e familjarëve të dëshmorëve, nuk do të duhej t’ua ofronim këto pamje  familjeve tona e fëmijëve tanë.

Ne u bëjmë thirrje të gjithëve pa  përjashtim, veteranëve dhe të gjithë kolegëve tanë, Institucioneve të Kosovës, që të sillemi mirë dhe dinjitetshëm, që të kryejmë secili punën dhe obligimin tonë.

Veteranët e UÇK-së kanë vuajtur shumë, kanë kontribuar shumë, kanë treguar  maturi e pjekuri në momentet më  të  vështira historike, veteranët e UÇK-së duhet të trajtohen dinjitetshëm dhe me respekt.

Ne edhe në këto kohë çoroditëse dhe  nëpërkembëse që po kalojmë do të dijmë  të reagojmë dinjitetshëm, sepse askush nuk mund të na e shuajë dashurinë për këtë vend, dëshirën e angazhimin tonë për të pasur një shtet të fortë e të vendosur dhe jo një shtet servil dhe një pushtet që sillet si fantazmë konform  zhvillimeve.

Përfundimisht, OVL e UÇK-së, Dega në Ferizaj vlerëson se është koha që të reflektojnë të gjithë, institucione qendrore e lokale, media, organizata tjera për të kundërshtuar me argumente këtë formë  të sjelljes ndaj institucioneve që kanë  dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila ka  pikërisht këtë mision – Mbrojtjen e  vlerave të luftës dhe promovimin e idesë për për një shtet 100% të pavarur.

Me respekt, Kryesia e OVL-UÇK – dega Ferizaj, Kryetari Rafiz Sejdiu.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Bëri debutimin në Superligë me fanellën e Prishtinës, Donart Llabjani: Përgjegjësi e madhe të luash për klubin më të trofeshëm kosovar

Skuadra e Prishtinës u mposht në javën e 31-të në Superligën e Kosovës, por për talentin Donart Llabjani ishte...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img