Organizata ‘Konsumatori’: Qytetarët janë të pambrojtur nga rritja e çmimeve sepse Qeveria nuk di si të merret me t
Rritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve esenciale, është mashtrim që po bëhet nga ana e tregtarëve thonë nga organizata për mbrojtjen e konsumatorit.
Selatin Kaçaniku, kryetar i organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, thotë për KALLXO.com se po keqpërdoret ndikimi i tregut global në tregun e brendshëm. Kaçaniku ka kërkuar që nga qeveria që të marrin masa menjëherë.
“Qytetarët janë të pambrojtur përball këtyre rritjeve sepse qeveria nuk di si të merret me të”, thotë Kaçaniku.
Siç deklaroi ai, konsumatorëve po u shërbehet në markete malli me të cilën janë furnizuar kohë më parë.
“Është lehtë të konstatohet nga institucionet përgjegjëse, ndërsa ne po e themi dyshimin tonë, sepse nuk po na u ofrohet mall, i një date të re por po ofrohet prodhim/mall i më hershem, por që po i jepet çmim i ri. Një riformulim i çmimit është i ndaluar me ligj, dhe këtë probleme si inspektorët dhe qeveria duhet t’i kontrollojë dhe jo të tërhiqet në defensivë dhe të thotë që tregu i rregullon. Kosova nuk ka treg. Qytetarët janë të pambrojtur përballë këtyre rritjeve sepse qeveria nuk di si të merret me të. Ne jemi ata që e mbushim buxhetin e shtetit, nuk kemi pse të komunikojmë përmes mediumeve por duhet të jemi të afërt në komunikim”, u shpreh ai.
Ditëve të fundit në Kosovë përveç çmimit të naftës është vërejtur rritje e çmimeve edhe të disa prej produkteve esenciale ushqimore.
Disa nga produktet që ka rritje të çmimeve është vaji, sheqeri dhe mielli.
Vendosja e çmimeve të njëjta, për të njëjtin produkt të brendeve të ndryshme, paraqet marrëveshje dhe është e ndaluar me ligj.
Neni 4 i Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë thotë se “ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marrura ne mes te shoqatave të ndërrmarjeve dhe praktikat e bashkrenduar të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që:
-caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi
-kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit
-kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave
Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar masa për marketet që sipas tij, po rrisin artificialisht çmimin e vajit dhe të produkteve në përgjithësi.
Pasi vizitoi një fabrikë të vajit në Gjilan, Kurti tha se inspektorët janë duke i dokumentuar shkeljet që po ndodhin me çmime.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në muajin shkurt 2022 në Kosovë çmimi për një litër vaj ishte 1.69 euro. Por aktualisht çmimi për një litër vaj është 3.50 euro.
Në disa dyqane, afër paketimeve të vajit dhe miellit shkruan që produkti është i limituar dhe qytetarëve u lejohet të blejnë vetëm një pako vaj ushqimor dhe dy pako miell.