Për këtë vit buxheti i komunës nga hyrat vetanake kanë qenë i paraparë të jetë 30 milion euro, ndërsa, vitin tjetër, parashihet të jetën afro 5 milion e gjysmë më pak, apo 24 milion e 600 mijë euro. Në anën tjetër, granti i përgjithshëm qeveritar, për këtë vit ka qenë 35 milion euro, ndërsa për vitin e ardhshëm pritet të jetë 2 milion më shumë, shkruan lajmi.net
Opozita në Asamblenë e Prishtinës LDK-PDK, ia kanë bërë numrat koalicionit qeveritarë në Komunën e Prishtinës, LVV-AKR-AAK duke ia mundësuar që të kalojë buxheti për vitin 2017. Me disa vërejtje opozita ka votuar pro buxhetit të hartuar nga administrata e kryetarit Shpend Ahmeti. Buxheti ka marr 40 vota pro, nga 48 asambleistë sa ishin të pranishëm. Tri vota ishin kundër dhe 5 abstenime.
Kryetari Ahmeti ka thënë se Ministria e Financave ka lëshuar qarkore buxhetore dhe mbi bazën e saj janë caktuar kufijtë e buxhetit. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Agim Gashi ka shprehur shqetësimin e partisë së tij se si të hyrat vetjake po bien çdo vit. Ndërkaq, Muhamet Selmanaj nga PDK është shprehur skeptik në realizimin e të hyrave të planifikuara nga disa pozicione.
Në këtë vit Komuna ka pasur të miratuar një buxhet në vlerë prej 65 milion e 882 mijë euro, nga to të hyra vetjake 30 milion euro, granti për arsim 20 milion euro, granti për shëndetësi 7 milion e 227 mijë euro. Për në vitin 2017, pa tepricat e këtij viti, buxheti do të jetë 62 milion e 23 mijë euro. Granti për shëndetësinë do të jetë 7 milion 156 mijë euro, Granti për arsim 20 milion e 130 mijë euro. Granti i përgjithshëm 10 milion e 130 mijë euro. Të hyrat vetjake 24 milion e 607 mijë euro. Për paga dhe mëditje do të jenë 3 milion e 680 mijë euro, sa kanë qenë 3 milion e 690 mijë euro.
Bien investimet kapitale, rritet pak luksi komunal
Shpenzimet kapitale do të jenë në vlerë prej 17 milion e 761 mijë euro, ndërsa në këtë vit kanë qenë 21 milion e 712 mijë euro. Rritje kanë shënuar Mallra dhe Shërbime, fiks 4 milion e 163 mijë euro. Në këtë vit kanë qenë 3 milion e 918 mijë euro. Nga mallrat dhe shërbime për shpenzimet e udhëtimit, akomodimi jashtë vendit janë ndarë 28 mijë euro, deri sa ato kanë qenë në vlerë prej 20 mijë eurove. Shpenzimet për shërbime 1 milion e 310 mijë euro, shkruan lajmi.net. Derivate dhe lëndë djegëse do të jenë në vlerë prej 250 mijë euro, aq sa kanë qenë. Për mirëmbajtje janë paraparë 1 milion e 555 mijë euro. Shpenzimet e përfaqësimit do të jenë 30 mijë euro, dreka zyrtare 25 mijë euro, dreka zyrtare jashtë vendit 5 mijë euro. Ndërsa në këtë vit kanë qenë 18 mijë euro, dreka zyrtare 12 mijë euro, dreka zyrtare jashtë vendimit 6 mijë euro.
Disa nga investimet kapitale
Një shumë e madhe e mjeteve do të shkojnë në riparime të institucioneve arsimore, ndërsa ndërtime nga themelet në krejt institucionet janë paraparë katër shkolla dhe, ndërtim i çerdheve, por pa u cekur numri. Për ndërtimin e shkollës në Kalabri janë ndarë 300 mijë euro. Kjo shkollë ka qenë si pikë buxhetore edhe në këtë vit. Për ndërtimin e shkollës në lagjen Mati 1, 500 mijë euro, ndërtimi shkollës në Arbëri, 600 mijë euro, ndërtimi i çerdheve 270 mijë euro, ndërtimi i sallave sportive në disa shkolla 30 mijë euro.
Ndërkaq, ndërtimi qendrës për personat me nevoja të veçanta, 180 mijë euro. Ndërtimi i këndeve të lodrave dhe fushave sportive, 250 mijë euro. Ndërtimi i studionit të Prishtinës – bashkëfinancim 1 milion euro. Ndërtimi i rrjetit të kanalizimit në lagjet e reja 400 mijë euro. Për ndërtimin e rreth rrotullimit në Arbëri dhe Lakërishtë 1 milion euro.
Rruga mbi lumin Mat, 750 mijë euro. Ndërtimi i rrugëve në pjesët urbane me infrastrukturë përcjellëse 2 milion e 220 mijë euro. Ndërtimi i infrastrukturës në pjesët rurale me infrastrukturë përcjellëse 1 milion e 300 mijë euro. 536 mijë euro janë paraparë për shpenzimin e energjisë elektrike për semafor dhe ndriçim publik. /lajmi.net
.