Projekti “Shtëpia e Bamirësisë “ i cili tash e disa javë është bërë një vendtakim i rëndësishëm për shumë institucione dhe qytetarë të Ferizajt ka zgjuar edhe interesimin e nxënësve të shkollës së mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “ Zenel Hajdini” të drejtimit konfeksion e dizajn që këto ditë ti punojnë vet disa kapela të cilat më pas i kanë shitur dhe mjetet e grumbulluara i kanë dedikuar për këtë fondacion humanitarë
Drejtori i shkollës së bashku me mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës thonë se angazhimi ka qenë një përvojë mjaftë domethënëse ku është vlerësuar profesionalizmi i këtyre nxënësve por edhe humanizmi i treguar ndër qytetarë meqë ata kanë lënë edhe më shumë mjete e që përbëjnë një motivim për këta të rinj.
“ Është një akt i mirë që e kanë ndërmarrë vet nxënësit . Ka qenë një vetiniciativë e nxënësve, kanë kërkuar edhe pak ndihmë prej shkollës që tu ndihmojmë me material por un kamë qenë së pari me punën e tyre dhe me angazhimin e tyre sepse që nga fillimi I këtij aksioni kanë qëndruar me ditë të tëra këtu në shesh. Por, çka është më interesant jam befasuar me gatishmërinë e qytetarëve tu ndihmojnë. Nuk ka pasur aq shumë material që të shitet dhe të grumbullohen aq shumë mjete por ka qenë zemërgjerësia e qytetarëve që kanë paguar këto kapela. Ky nuk është aksioni i parë që marrin nxënësit e kësaj shkolle. Shpesh marrin iniciativa për ti ekspozuar punimet e shkollës apo produktet e punës së tyre. Këto aksione mund ti shihni edhe në qytet, zakonisht me produkte që i punojnë në shkollë, me punimet që i bëjnë në shkollë, me lulet që shpesh janë në qytet. Pra janë aksione që nuk ndalen. Nuk është ndonjë fitim që bëjmë por vetëm të sigurohen mjetet që të fillojmë të njëjtat gjëra të riprodhohen. Pra nuk është ndonjë fitim por është një aktivitet që i mbanë aktivitetet tjera gjallë” ka thënë Abdullah Imeri , drejtor i Shkollës “Zenel Hajdini”.
“Fillimisht ideja ka qenë e nxënësve tu dashtë me ba diçka për bamirësi dhe kjo iniciativë është mbështetur nga ana ime. Kemi vendosur bashkërisht me bërë qepjen e këtyre kapelave “beretave” e për të cilat kemi vendosur ta kenë një çmim i cili është i përballueshëm për gjepin e qytetarëve, pra me një shumë prej 3 euro e cila nuk ka qenë fikse pasi ky ka qenë aksion humanitare dhe varësisht nga vullneti dhe mundësia e qytetarëve janë paguar ato. Gjatë këtij aksioni janë grumbulluar rreth 650 euro. Në vazhdim presim që të rreth muajit Qershor një iniciativë të tillë dhe ku do ta mbështesim me një projekt tjetër ku do të dalim me produkte sezonale.” Ka thënë Bjond Krasniqi, mësimdhënëse në shkollën “Zenel Hajdini.
Ndërsa nxënësja Fleta Krenzi, një nga pjesëmarrëset e këtij aksioni ka thënë se ka qene kënaqësi kur kanë kontribuar qytetarët pasi nuk kemi pritur se do të grumbullohen kaq shumë mjete.
“Ka qenë pak e lodhshme pasi kemi filluar herët dhe kemi qëndruar deri ora 18:00 por ka qenë shumë kënaqësi kur kanë kontribuar qytetarët sepse nuk e kemi pritur të grumbullohen aq mjete. Përveç se kanë blerë ka pasur edhe kontribute shumë të mëdha . Fatkeqësia që ndodhi në Shqipëri bëri që pak të jetë edhe e bezdisshme tu kërkohet qytetarëve të japin mjete edhe për Kosovë edhe për Shqipëri por prapëseprapë janë treguar shumë zemërgjerë dhe kanë ndihmuar shumë. Ka qene një ngarkesë pasi është dashur edhe ti përcjellim mësimet dhe të merremi me aksionin por kemi arritur që të balancohemi dhe ti përcjellim të dyja” ka thënë Fleta Krenzi.
Ndërkaq për aktivistët e projektit “Shtëpia e Bamirësisë “ ky organizim dhe dorëzimi i mjeteve të mbledhura në shumë 650 euro prezanton një vlerë të kultivuar në shkollat tona. Sipas tyre shkollat e Ferizajt vërtetë janë treguar përkrahëse të solidaritetit dhe të gjithë këtij projekti .
“ Në Shtëpinë e Bamirësisë punën e këtyre nxënësve e vlerësoi shumë. Jo vetëm nxënësve, drejtorit të shkollës , të gjithë qytetareve të Komunës së Ferizajt , të gjithë nxënësve. Ka qenë një përkrahje shumë e mirë. Sikur të ishte gatishmëria e qytetarëve sa ka qenë gatishmëria e nxënësve kishte me u zhduk varfëria shumë shpejt në komunën e Ferizajt. Këtë nxënës me mundin e vet që kanë bërë dhe kanë grumbulluar mjete për ti dërguar në shtëpinë e Bamirësisë është një vepër shumë e mirë e tyre” ka thënë Sylejman Nëziri, pronar i Plus Center.
Angazhimi në kuadër të “Shtëpisë së Bamirësisë” duke shërbyer kafe e lëngje të tjera e duke mbledhur kështu të holla për një familje me kushte rënda ekonomike pritet të përfundoj të dielën me mbajtjen edhe të një gare të vrapimit. Organizatorët pohojnë se tashmë është grumbulluar një shumë e konsiderueshme e mjeteve të cilat do të dedikohen në projekte të tjera të bamirësisë e të cilat do të bëhen publike me rastin e përfundimit të projektit, transmeton Televizioni Liria.