Në një takim të pesë drejtorëve të shkollave të Agrobiznesit me Zyrtarin e Lartë për shkolla profesionale z. Agim Krasniqin, ka njoftuar se, me qëllim të stimulimit të vajzave për t’u regjistruar në këto profile, MASH-i ka marrë vendim që tē fillohet nga ky vit dhēnia e bursave për nxënëse të cilat u drejtohen shkollave profesionale.
Në këtë takim, z. Agim Krasniqi ka njoftuar Drejtorët e shkollave se Ministri Ramë Likaj ka marrë vendim që një shumë prej 20 mijë euro këtë vit të ndahet për nxënëse.
“Këto bursa kanë për qëllim rritjen e interesimit të vajzave për orjentim në këto profile dhe do të jetë ndihmë për lehtësimin e shkollimit të tyre” ka thënë Krasniqi.
Këto bursa do të kenë vlerën prej 50 euro në muaj dhe do tu ndahen nxënëseve për tre vite të shkollimit.
“Për këtë vit është ndarë vetëm kjo shumë por pritet që viteve të ardhshme të rritet numri i përfitueseve të kësaj burse dhe të kenë mundësi që sa më shumë vajza të ndihmohen në shkollimin e tyre” ka thënë z. Agim Krasniqi.
Behët e ditur se për bursa mund të konkurrojnë nxënëset e klasave të X-ta ndërsa si kriter do të jetë suksesi i shkollës fillore nga klasa e VI deri në klasën e IX-të.